Raporti i Progresit 2026: BE-ja evidenton ngecje në drejtësi, korrupsion dhe ekonomi

Komisioni Evropian ka publikuar Raportin e Progresit për Kosovën për vitin 2026, në të cilin evidentohen një sërë sfidash dhe ngecjesh në procesin e integrimit evropian. Dokumenti paraqet një pasqyrë të gjendjes politike, ekonomike dhe institucionale të vendit, duke vënë në pah se Kosova vazhdon të përballet me probleme serioze në funksionimin e institucioneve, sundimin…

Lajme

04/11/2026 13:34

Komisioni Evropian ka publikuar Raportin e Progresit për Kosovën për vitin 2026, në të cilin evidentohen një sërë sfidash dhe ngecjesh në procesin e integrimit evropian. Dokumenti paraqet një pasqyrë të gjendjes politike, ekonomike dhe institucionale të vendit, duke vënë në pah se Kosova vazhdon të përballet me probleme serioze në funksionimin e institucioneve, sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe zbatimin e reformave.

Një prej çështjeve kryesore që trajtohet në raport është funksionimi i institucioneve dhe ndikimi i krizës politike në procesin e reformave. Komisioni Evropian vlerëson se bllokada e zgjatur institucionale ka penguar punën e institucioneve dhe ka ngadalësuar zbatimin e agjendës evropiane, duke kërkuar përkushtim më të madh politik për të çuar përpara proceset e rëndësishme.

Kritika ka edhe për sistemin e drejtësisë, ku progresi vlerësohet si i kufizuar. BE-ja kërkon forcimin e pavarësisë së gjyqësorit, rritjen e efikasitetit të gjykatave dhe prokurorisë, si dhe përmirësimin e llogaridhënies. Në luftën kundër korrupsionit, raporti evidenton mangësi në ndjekjen dhe dënimin e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë, duke kërkuar rezultate më konkrete dhe një strategji të qartë kombëtare për luftimin e këtij fenomeni.

Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe prokurimit publik. Sipas raportit, gjatë vitit 2025 vlera e kontratave publike të nënshkruara arriti në rreth një miliard euro. Megjithëse procedurat e hapura përbënin 92.41 për qind të kontratave, Komisioni Evropian vëren se sektori vazhdon të jetë i cenueshëm nga parregullsitë dhe korrupsioni. Ndër problemet e evidentuara janë planifikimi i dobët, vonesat në procedura dhe mosrespektimi i rregullave të prokurimit.

Edhe gjendja ekonomike e Kosovës mbetet një prej sfidave të rëndësishme. Komisioni Evropian vlerëson se vendi ka shënuar njëfarë progresi në zhvillimin e ekonomisë së tregut, por ende ka përgatitje të kufizuara për t’u përballur me konkurrencën dhe presionet e tregut të Bashkimit Evropian. Papunësia, pjesëmarrja e ulët e grave në tregun e punës, varësia nga importet dhe konkurrueshmëria e dobët e bizneseve vazhdojnë të jenë probleme që kërkojnë zgjidhje.

Në sektorin e energjisë, raporti evidenton vonesa në realizimin e reformave dhe projekteve të energjisë së ripërtëritshme. Kosova vazhdon të mbështetet kryesisht në termocentralet e vjetra me linjit, ndërsa BE-ja kërkon përshpejtimin e investimeve dhe harmonizimin e legjislacionit me standardet evropiane.

Sa i përket dialogut me Serbinë, Komisioni Evropian vlerëson se zbatimi i marrëveshjeve të arritura ka shënuar përparim të kufizuar. BE-ja kërkon nga të dyja palët zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe obligimeve të tjera të marra në kuadër të dialogut, duke theksuar se normalizimi i marrëdhënieve mbetet kusht i rëndësishëm për avancimin drejt integrimit evropian.

Kritika janë paraqitur edhe në fushën e lirisë së mediave, ku raporti kërkon më shumë transparencë në pronësinë e mediave, mbrojtje më të mirë për gazetarët dhe forcimin e pavarësisë së institucioneve mediale.

Megjithatë, raporti përmban edhe vlerësime pozitive. Një prej tyre është përputhja e plotë e Kosovës me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian, përfshirë deklaratat dhe masat kufizuese të BE-së. Progres është evidentuar edhe në bashkëpunimin ndërkombëtar policor dhe luftën kundër krimit të organizuar.

Në përgjithësi, Raporti i Progresit 2026 tregon se Kosova ka ende punë të konsiderueshme për të bërë në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Komisioni Evropian kërkon që institucionet të kalojnë nga zotimet politike në zbatimin konkret të reformave, veçanërisht në drejtësi, luftën kundër korrupsionit, funksionimin demokratik dhe zhvillimin ekonomik.

Raporti mbulon periudhën nga 1 shtatori 2025 deri më 1 shtator 2026 dhe mund të lexohet në faqen zyrtare të Komisionit Evropian. 

Raporti i plotë: