Raporti i BE-së: Qeverisja në Kosovë u dobësua nga bllokada politike, kritika për përfaqësimin e serbëve dhe komunat në veri
Komisioni Evropian, në Raportin e Progresit për Kosovën, ka evidentuar një sërë problemesh në funksionimin e institucioneve dhe qeverisjen e vendit, duke theksuar se statusi i Qeverisë në detyrë për pjesën më të madhe të periudhës raportuese ka penguar efektivitetin e qeverisjes dhe ka vonuar reformat strukturore. Sipas raportit, Qeveria ka qenë në statusin e…
Lajme
Komisioni Evropian, në Raportin e Progresit për Kosovën, ka evidentuar një sërë problemesh në funksionimin e institucioneve dhe qeverisjen e vendit, duke theksuar se statusi i Qeverisë në detyrë për pjesën më të madhe të periudhës raportuese ka penguar efektivitetin e qeverisjes dhe ka vonuar reformat strukturore.
Sipas raportit, Qeveria ka qenë në statusin e kujdestarit për pjesën më të madhe të periudhës së vlerësimit, raporton lajmi.net
Funksionet e plota i ka rifilluar vetëm për një periudhë të shkurtër pas formimit të qeverisë në shkurt 2026, ndërsa sërish pas periudhës raportuese, në shtator 2026.
Komisioni Evropian vëren se gjatë kësaj periudhe, shumë deputetë të sapozgjedhur kanë vazhduar njëkohësisht të mbajnë edhe pozitat e tyre në ekzekutiv. Kjo, sipas raportit, duket se nuk është në përputhje me dispozitat e Kushtetutës dhe Ligjit për Qeverinë.
Edhe pse transparenca në vendimmarrje është ruajtur zyrtarisht, mungesa e mbikëqyrjes parlamentare ka dobësuar mekanizmat e llogaridhënies.
Raporti thekson se institucionet e pavarura rregullatore dhe Avokati i Popullit kanë vazhduar punën, por ndikimi i tyre i përgjithshëm ka mbetur i kufizuar.
BE-ja evidenton probleme edhe në komunat me shumicë serbe
Një tjetër çështje e trajtuar në raport është bashkëpunimi ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal. Sipas Komisionit Evropian, koordinimi mes këtyre niveleve vazhdon të jetë kryesisht reaktiv, duke ndikuar në zbatimin e përgjegjësive të deleguara dhe planifikimin e zhvillimit lokal.
Zgjedhja e kryetarëve të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, në dhjetor 2025, vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt rikthimit të qeverisjes lokale përfaqësuese.
Megjithatë, udhëheqjet e reja komunale në veri vazhdojnë të përballen me pengesa të konsiderueshme. Në mesin e tyre përmenden mungesa e qasjes në arkivat e plota dhe problemet me stafin e rekrutuar nga administratat e mëparshme komunale.
Raporti vë në pah se një pjesë e këtij stafi nuk e zotëron gjuhën e komunitetit shumicë në komunat përkatëse dhe nuk përfaqëson në mënyrë të duhur përbërjen e komunitetit.
Komisioni Evropian thekson se marrëdhëniet ndërmjet autoriteteve qendrore dhe të gjitha komunave me shumicë serbe në Kosovë vazhdojnë të jenë të tensionuara.
Shqetësimet lidhen me respektimin e kërkesave gjuhësore, pengesat procedurale dhe rastet kur Policia dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal kanë kufizuar ushtrimin e kompetencave komunale ose aktiviteteve të miratuara në mënyrë të rregullt nga autoritetet lokale.
Kritika për përfaqësimin e komuniteteve jo-shumicë
Në raport thuhet se përfaqësimi i komuniteteve jo-shumicë në strukturat qeverisëse vazhdon të jetë i pamjaftueshëm, si në nivelin qendror, ashtu edhe në atë lokal.
Komisioni Evropian veçon edhe emërimin e dy zëvendësministrave serbë të Kosovës më 23 mars 2026, pa miratimin formal të shumicës së deputetëve serbë të Kosovës, siç përcaktohet me Kushtetutë.
Sipas raportit, ky vendim ka ngritur shqetësime lidhur me përfaqësimin e komuniteteve pakicë dhe ka dobësuar të drejtat e tyre kushtetuese.
Në përgjithësi, Komisioni vlerëson se problemet me funksionimin e institucioneve, mbikëqyrjen parlamentare dhe koordinimin ndërmjet niveleve të qeverisjes kanë ndikuar në efektivitetin e administrimit të vendit gjatë periudhës së raportimit./Lajmi.net/