Pas rastit të Arlinda Zekaj, Kryeprokurori i Shtetit shkon tek Prokuroria në Pejë, kërkon që çdo rast penal të trajtohet me seriozitet

Pas vrasjes së Arlinda Zekaj dhe vënies në pah të neglizhencës institucionale, përfshirë këtu policinë, prokurorinë dhe gjyqësorin në Pejë, Kryeprokurori i Shtetit, Zejnullah Gashi, ka vizituar sot Prokurorinë e Pejës. Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, së bashku me zëvendëskryeprokurorin e Shtetit, Bahri Hyseni, prokurorin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Ersan Qavolli, njëherësh Koordinator…

Lajme

04/11/2026 14:41

Pas vrasjes së Arlinda Zekaj dhe vënies në pah të neglizhencës institucionale, përfshirë këtu policinë, prokurorinë dhe gjyqësorin në Pejë, Kryeprokurori i Shtetit, Zejnullah Gashi, ka vizituar sot Prokurorinë e Pejës.

Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, së bashku me zëvendëskryeprokurorin e Shtetit, Bahri Hyseni, prokurorin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Ersan Qavolli, njëherësh Koordinator Nacional për Rastet e Dhunës në Familje, dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Sami Istrefi, ka zhvilluar sot një vizitë zyrtare në Prokurorinë Themelore në Pejë, transmeton lajmi.net.

Gjatë takimit me prokurorët e kësaj prokurorie, Kryeprokurori i Shtetit ka theksuar se çdo rast penal duhet të trajtohet me seriozitetin, përgjegjësinë dhe ndjeshmërinë e duhur, duke marrë parasysh natyrën, peshën dhe rrezikshmërinë e veprës penale, si dhe të ndërmerren veprimet e nevojshme procedurale.

“Vëmendje e veçantë i është kushtuar trajtimit të rasteve të dhunës në familje, me ç’rast Kryeprokurori Gashi ka kërkuar vigjilencë, kujdes dhe profesionalizëm institucional në të gjitha këto raste, duke theksuar rëndësinë e vlerësimit të rrezikut, reagimit në kohë dhe mbrojtjes efektive të të drejtave të viktimave në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”,thuhet në njoftimin për media.

Tutje, Kryeprokurori i Shtetit i ka njoftuar prokurorët e Prokurorisë Themelore në Pejë për themelimin e mekanizmave në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit që kanë për qëllim përmirësimin e cilësisë së punës brenda institucionit të Prokurorit të Shtetit dhe mbrojtjen e integritetit dhe dinjitetit të prokurorëve, si dhe për caktimin e prokurorëve mbikëqyrës nëpër prokuroritë e vendit, përfshirë edhe Prokurorinë Themelore në Pejë.

Në anën tjetër, Kryeprokurori i Shtetit është njoftuar nga ushtruesja e detyrës së Kryeprokurores, Valbona Haxhosaj, dhe prokurorët e kësaj prokurorie lidhur me gjendjen e përgjithshme, ngarkesën me lëndë, sfidat dhe çështjet e tjera që ndërlidhen me funksionimin e Prokurorisë Themelore në Pejë./Lajmi.net/