Në Demiraj të Gjilanit varrosen Adonis Demiri dhe vajza e tij tre muajshe

Në fshatin Demiraj të Gjilanit po zhvillohet ceremonia mortore për Adonis Demirin, 27-vjeçarin, dhe vajzën e tij tremuajshe, Dolora Demiri, të cilët u gjetën pa shenja jete të dielën, më 1 nëntor. Familjarë, miq, të afërm dhe banorë të zonës janë mbledhur për t’u dhënë lamtumirën e fundit babait dhe vajzës së tij, vdekja e…

Lajme

03/11/2026 17:56

Në fshatin Demiraj të Gjilanit po zhvillohet ceremonia mortore për Adonis Demirin, 27-vjeçarin, dhe vajzën e tij tremuajshe, Dolora Demiri, të cilët u gjetën pa shenja jete të dielën, më 1 nëntor.

Familjarë, miq, të afërm dhe banorë të zonës janë mbledhur për t’u dhënë lamtumirën e fundit babait dhe vajzës së tij, vdekja e të cilëve ka tronditur rëndë familjen Demiri dhe opinionin publik, transmeton lajmi.net.

Sipas njoftimit të familjarëve, ceremonia e varrimit është caktuar të mbahet pas faljes së namazit të Ikindisë, në varrezat e fshatit Demiraj.

Ngjarja e rëndë ndodhi të dielën, kur trupat e pajetë të 27-vjeçarit dhe foshnjës u gjetën në një shtëpi në këtë fshat të Gjilanit. Rasti ka marrë përmasa të rënda, ndërsa organet e drejtësisë kanë nisur hetimet për të zbardhur të gjitha rrethanat e vdekjes së tyre.

Për këtë rast është arrestuar Brahim Demiri, 65-vjeçar, babai i Adonisit dhe gjyshi i foshnjës. Ai dyshohet se pas një konflikti fizik e ka privuar nga jeta të birin, ndërsa Prokuroria po heton edhe rrethanat e vdekjes së foshnjës.

Gjykata Themelore në Gjilan ka caktuar ndaj tij masën e paraburgimit prej 30 ditësh, ndërsa hetimet për rastin janë duke vazhduar.

Sipas informacioneve të bëra publike nga dosja e Prokurorisë, në këtë rast janë ngritur dyshime edhe ndaj një personi tjetër, ndërsa janë duke u pritur rezultatet e autopsisë dhe ekspertizave të tjera për të përcaktuar saktësisht rrethanat e vdekjes së dy viktimave.

Vdekja e Adonis Demirit dhe vajzës së tij të mitur ka nxitur reagime të shumta, ndërsa rasti mbetet nën hetim nga institucionet kompetente./lajmi.net/