Nesër nis hetimi parlamentar për vrasjen e Arlinda Zekajt, flet deputetja Emilia Rexhepi
Komisioni hetimor parlamentar i Kuvendit të Kosovës, i përbërë nga përfaqësues të të gjitha partive politike, do të mbajë nesër, në orën 11:30, mbledhjen e parë lidhur me hetimin e rrethanave të vrasjes së Arlinda Zekajt. Pjesë e këtij komisioni është edhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Emilia Rexhepi, e cila ka thënë se qëllimi…
Lajme
Komisioni hetimor parlamentar i Kuvendit të Kosovës, i përbërë nga përfaqësues të të gjitha partive politike, do të mbajë nesër, në orën 11:30, mbledhjen e parë lidhur me hetimin e rrethanave të vrasjes së Arlinda Zekajt.
Pjesë e këtij komisioni është edhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Emilia Rexhepi, e cila ka thënë se qëllimi është të shqyrtohen të gjitha rrethanat që i paraprinë vrasjes dhe të identifikohen eventualisht pengesat në punën e institucioneve.
“Do të duhet të konfirmojmë të gjitha rrethanat që i kanë paraprirë vrasjes së Arlindës. Numri i vrasjeve të grave tona është shumë i madh dhe kjo tregon se ne, si shoqëri në tërësi, kemi probleme me të cilat duhet të përballemi”, ka deklaruar Rexhepi për emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova.
Ajo ka bërë të ditur se mbledhja e nesërme do të jetë takimi i parë i komisionit hetimor parlamentar, i cili kryesohet nga Burim Ramadani.
“Do të japim maksimumin tonë që të shohim se si po shkon hetimi lidhur me rastin e Arlindës dhe të kuptojmë nëse institucionet, ndoshta diku, janë bllokuar në këtë proces”, është shprehur Rexhepi.
Komisioni pritet të shqyrtojë veprimet institucionale dhe rrethanat që kanë paraprirë rastin tragjik të vrasjes së Arlinda Zekajt.