Një javë pas vrasjes së rëndë të Arlinda Zekajt në Pejë – Kush u suspendua, kush dha dorëheqje dhe çka ndodhi më pas?

Arlinda Zekaj u vra mbrëmjen e së dielës së 25 tetorit në shtëpinë e saj dhe të bashkëshortit në Vitomiricë të Pejës, nga kunati i saj, tashmë i arrestuar, Albert Sylaj. Të dielën, Policia ka dhënë detaje lidhur me rastin, ku ka njoftuar se Arlinda, dy orë para vrasjes, kishte raportuar për dhunë në familje…

Lajme

01/11/2026 17:59

Arlinda Zekaj u vra mbrëmjen e së dielës së 25 tetorit në shtëpinë e saj dhe të bashkëshortit në Vitomiricë të Pejës, nga kunati i saj, tashmë i arrestuar, Albert Sylaj.

Të dielën, Policia ka dhënë detaje lidhur me rastin, ku ka njoftuar se Arlinda, dy orë para vrasjes, kishte raportuar për dhunë në familje nga bashkëshorti i saj, Jeton Sylaj, i cili është ndaluar në mbajtje për 48 orë po atë natë.

Sipas Policisë, Arlinda Zekaj me vullnetin e saj është dërguar në shtëpinë e saj në Vitomiricë, pasi bashkëshorti i saj ishte arrestuar.

“Rreth orës 21:10, jemi njoftuar se e njëjta është gjetur pa shenja jete. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore dhe ekipi mjekësor, i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës. Bazuar në të dhënat fillestare, dyshohet se vdekja e saj ka ardhur si pasojë e goditjeve me një mjet të fortë. Personi i dyshuar për rastin e dytë (i cili dyshohet se është kunati i saj) ndodhet në arrati. Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, që po ashtu ka dalë në vendin e ngjarjes. Aktualisht janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit dhe lokalizimin e arrestimin e personit të dyshuar”, thuhej në raportimin e parë të Policisë pas vrasjes.

Kunati i saj, i dyshuari për vrasjen e Arlindës, ka qenë në arrati deri të martën, më 27 tetor, kur është arrestuar nga Policia rreth orës 23:40 në Deçan, pas disa ditësh kërkimesh dhe hetimesh për kapjen e tij.

Si e paralajmëroi Arlinda vrasjen e saj?

“Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime.”

Këto fjalë i shkroi Arlinda Sylaj Zekaj në një letër drejtuar kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, e cila mban vulën e pranimit të datës 22 tetor 2026. Vetëm tri ditë më vonë, më 25 tetor, ajo u vra në shtëpinë e saj në Vitomiricë, ndërsa për krimin dyshohet kunati i saj.

Në këtë letër, ajo kërkonte ndërhyrje urgjente të institucioneve, ekzekutimin e një urdhri gjyqësor dhe hetimin e zyrtarëve që, sipas saj, kishin dështuar në përmbushjen e detyrave.

Letra, e adresuar për kryeprokuroren dhe e shënuar si urgjente, përmban një paralajmërim për rrezikun që viktima ndiente ndaj jetës së saj.

Në të, ajo kërkonte marrjen e masave ndaj zyrtarëve përgjegjës, duke pretenduar se përgjegjësitë po barteshin nga një institucion te tjetri, ndërsa rreziku për jetën e saj vazhdonte.

Arlinda kishte kërkuar gjithashtu ekzekutimin e menjëhershëm të urdhrit gjyqësor dhe hapjen e hetimeve ndaj zyrtarëve të përfshirë, duke filluar nga Qendra për Punë Sociale.

“Kjo është shtesa ime e fundit”, kishte shkruar ajo, përpara se të shprehte frikën se institucionet mund të detyroheshin të jepnin llogari vetëm pasi t’i merrej jeta.

Në fund të letrës, Arlinda kishte shkruar edhe fjalët:

“Tani po e kuptoj pse ka kaq shumë vrasje!”

Një tjetër letër e shkruar nga e ndjera Arlinda Zekaj, e publikuar nga Natyra Kuçi, ngriti shqetësime të rënda lidhur me mënyrën se si ajo e ka përjetuar trajtimin nga institucionet dhe sistemi i drejtësisë.

Në shkrimin e saj, Arlinda shpreh pakënaqësinë ndaj mënyrës se si, sipas saj, janë trajtuar kërkesat dhe shqetësimet e saj, duke kërkuar drejtësi dhe trajtim të barabartë para ligjit.

“Nuk kërkoj mëshirë, por drejtësi”, është mesazhi që përcillet nga letra e saj, ku ajo shpreh shqetësimin se kërkesat e saj nuk janë marrë seriozisht dhe se e drejta për t’u dëgjuar nuk i është garantuar ashtu siç priste.

Në këtë letër, Arlinda i drejtohej edhe kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë, duke kundërshtuar mënyrën e trajtimit të rastit dhe duke kërkuar që çështja të mos zvarritej më tej.

Ajo kishte shkruar se takimet dhe bisedat me zyrtarët, pa veprime konkrete, nuk përbënin zgjidhje, ndërsa kishte kërkuar që institucionet të mos e zëvendësonin zbatimin e ligjit me premtime dhe fjalë për mundësi.

“Rastet nuk qenkan të rastësishme! Tani e shoh a kontribuat edhe institucionet në vrasjen e grave”, shkruante ajo në letër.

Në një pjesë tjetër, Arlinda kishte paralajmëruar:

“As vrasjes time nuk pres të përgjigjeni – por pres të mos mund të flini!”

Këto letra të Arlinda Zekajt nxitën hetime të thelluara të rastit, duke ngritur dyshime për përgjegjësinë e institucioneve dhe kryerjen e detyrave të tyre.

Një tjetër element që dëshmon se Arlinda kishte kërkuar vazhdimisht ndihmë është edhe një regjistrim audio i një bisede të saj me togerin policor Faruk Muqolli. Në këtë bisedë, ajo shpreh shqetësimin për sigurinë e saj dhe të djalit, duke thënë se kishte kërkuar shumë herë ndërhyrjen e Policisë.

Audio-incizimi u publikua në media më 29 tetor, ndërsa një ditë më vonë u transmetua edhe përmes altoparlantëve gjatë protestës në Pejë.

Në bisedë, Arlinda dëgjohet duke kundërshtuar mosveprimin e institucioneve dhe duke kërkuar që shqetësimet e saj të trajtohen seriozisht.

Dështimet në Gjykatën Themelore në Pejë

Përveç Policisë dhe Prokurorisë, në raportin e prezantuar nga ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, u evidentuan edhe vonesa dhe mangësi në trajtimin e rastit nga Gjykata Themelore në Pejë.

Sipas raportit, Arlinda kishte kërkuar urdhër mbrojtjeje emergjente më 7 shtator 2026, duke paralajmëruar se jeta e saj dhe e fëmijës ishin në rrezik.

Gjykata kishte nxjerrë një vendim fillestar më 7 shtator, por Arlinda kishte paraqitur kundërshtim, pasi vendimi nuk përfshinte të gjitha kërkesat e saj lidhur me fëmijën.

Seanca për shqyrtimin e kundërshtimit ishte caktuar për 24 shtator, por më pas ishte shtyrë. Ajo vazhdoi më 5 tetor, por zgjati vetëm rreth 15 minuta, ndërsa u shty sërish për shkak të mungesës së raportit nga Qendra për Punë Sociale.

Seanca u mbajt më 13 tetor, ndërsa vendimi për urdhrin e mbrojtjes u nxor më 16 tetor, më shumë se një muaj pas kërkesës fillestare.

Më 17 shtator, Arlinda i ishte drejtuar edhe kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë, Shemsedin Haxhijaj, duke shprehur shqetësimin për vonesat dhe rrezikun ndaj jetës së saj.

Përgjigjen nga gjykata e kishte marrë më 20 tetor. Sipas raportit të prezantuar nga Gërvalla, kryetari i gjykatës e kishte njoftuar se gjyqtari kishte vepruar brenda afateve ligjore, por ministrja tha se dokumentacioni i shqyrtuar tregonte të kundërtën.

Po më 20 tetor, Arlinda i ishte drejtuar sërish kryetarit të gjykatës, duke shprehur zhgënjimin dhe frikën se mund të vritej si pasojë e neglizhencës institucionale. Pesë ditë më vonë, ajo u vra.

Raporti evidentoi gjithashtu se Qendra për Punë Sociale nuk kishte dorëzuar brenda afatit raportin e kërkuar nga gjykata. Përfaqësuesi i saj kishte munguar në seancën e 5 tetorit, duke kontribuar në shtyrjen e mëtejshme të procedurës.

Sipas raportit të Gërvallës, Qendra për Punë Sociale kishte qenë në komunikim të vazhdueshëm me Arlindën nga korriku deri në tetor, por nuk e kishte konsideruar si detyrim të saj krijimin e kushteve për kthimin e saj në shtëpinë e përbashkët.

Ndërkaq, sipas raportit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, në dosjen gjyqësore për urdhrin mbrojtës ishin përfshirë Arlinda dhe bashkëshorti i saj, Jeton Sylaj. Albert Sylaj, i dyshuari për vrasjen, nuk figuronte si palë në atë procedurë.

Suspendohen dy prokurore

Të enjten e 29 tetorit, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka vendosur suspendimin e kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, dhe prokurores Arlinda Nallbani-Gacaferri.

Ky vendim erdhi pasi kryeprokurori i Shtetit, Zejnullah Gashi, kishte rekomanduar suspendimin e tyre dhe kishte iniciuar procedurë disiplinore.

Lajmin për suspendimin e tyre e ka konfirmuar vetë kryeprokurori Gashi, shkruan lajmi.net.

Suspendimi i Vuçetajt dhe Nallbani-Gacaferrit u miratua në mbledhjen e jashtëzakonshme të KPK-së me shtatë vota për. Këshilli gjithashtu themeloi një panel hetimor për shqyrtimin e çështjes.

Masat ndaj dy prokuroreve lidhen me gjetjet e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit për veprimet dhe mosveprimet e dyshuara gjatë trajtimit të rastit të Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor 2026 në Vitomiricë të Pejës.

Këshilli Prokurorial i Kosovës, përmes një njoftimi, ka bërë të ditur se ka themeluar panel hetimor dhe ka miratuar propozimin për suspendimin e kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, dhe prokurores së rastit, Arlinda Nallbani-Gacaferri, pas kërkesës së Kryeprokurorit të Shtetit për fillimin e procedurës disiplinore.

Sipas njoftimit të KPK-së, pas shqyrtimit të kërkesës, Këshilli ka vendosur të themelojë një panel hetimor për trajtimin e rastit, si dhe ka miratuar propozimin për suspendimin e të dy prokuroreve ndaj të cilave kërkohet zhvillimi i procedurës disiplinore.

Vendimet janë marrë në bazë të të gjeturave të paraqitura në raportin me numër reference A.Nr. 379/2026, të përfshirë në kërkesën e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit për fillimin e hetimit disiplinor, që ndërlidhet me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.

Ndërkaq, KPK-ja ka vendosur që Valbona Disha-Haxhosaj të caktohet ushtruese e detyrës së kryeprokurores në Prokurorinë Themelore në Pejë.

Duhet theksuar se suspendimi i dy prokuroreve nuk nënkupton se përgjegjësia e tyre është përcaktuar përfundimisht. Për këtë do të vendoset pas përfundimit të procedurave disiplinore.

Suspendohen edhe 11 zyrtarë policorë

Pas dy prokuroreve, Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e 11 zyrtarëve policorë të Stacionit Policor në Pejë.

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka njoftuar të enjten se ka angazhuar një ekip hetuesish dhe ka vazhduar të ndërmarrë veprime hetimore dhe verifikuese lidhur me mënyrën e trajtimit nga Policia e Kosovës të rasteve të raportuara nga e ndjera Arlinda Zekaj.

Këto veprime, sipas IPK-së, po ndërmerren me autorizimin e Prokurorisë së Shtetit, me qëllim të shqyrtimit të plotë të veprimeve dhe procedurave të ndjekura nga zyrtarët policorë gjatë trajtimit të raportimeve të saj.

Bazuar në veprimet hetimore preliminare, deri në këtë fazë, gjetjet nga Inspektorati Policor i Kosovës janë:

  • Nga Policia e Kosovës nuk dokumentohet që është ekzekutuar urdhri mbrojtës C.11r.1300/26 i datës 7 shtator 2026.

  • Urdhri i dytë mbrojtës i datës 16 tetor 2026 është ekzekutuar me gjashtë ditë vonesë, më 22 tetor 2026, dhe atë pas ndërmarrjes së veprimeve zyrtare nga IPK-ja, e cila kishte pranuar fillimisht një informatë nga ankuesja, znj. Zekaj.

  • Mos trajtimi nga zinxhiri komandues i shkresës/emailit të datës 23 tetor 2026, të dërguar nga hetuesi policor, i cili kërkonte vlerësim të rastit dhe asistencë në kapacitete. Hetuesi kishte vlerësuar që gjatë kohës që znj. Arlinda Zekaj ndodhej në shtëpi, të vizitohej nga patrulla të uniformuara policore dhe të kishte komunikim të shtuar me të, me qëllim të evidentimit të situatës brenda shtëpisë.

  • Dështim i zinxhirit përgjegjës komandues në trajtimin e rastit të dhunës në familje, vlerësimit të nivelit të rrezikut dhe ekzekutimit të vendimit të Gjykatës kompetente, duke përfshirë Drejtorinë Rajonale të Policisë në Pejë, Stacionin Policor në Pejë, Nënstacionin Policor në Vitomiricë dhe njësitë e hetimeve nga niveli rajonal dhe në nivel stacioni.

“Bazuar në të gjeturat deri më tani nga veprimet e ndërmarra hetimore, IPK i ka rekomanduar sot Policisë së Kosovës suspendimin e 11 zyrtarëve të cilët, bazuar në këtë rekomandim, kanë suspenduar:

  • U.D./drejtorin Rajonal në DRP-Pejë;

  • Shefin e Hetimeve Rajonale DRP-Pejë;

  • Komandantin e Stacionit Policor – Pejë;

  • Z.V./komandantin e Stacionit Policor – Pejë;

  • Shefin e Sektorit të Hetimeve në Stacionin Policor – Pejë;

  • U.D./Shefin e Sektorit të Operativës në Stacionin Policor – Pejë;

  • Komandantin e Nënstacionit Vitomiricë;

  • Katër hetues policorë të Stacionit Policor – Pejë.

Inspektorati Policor i Kosovës mbetet i përkushtuar që, në koordinim me institucionet kompetente të drejtësisë, të sigurojë trajtim profesional, të paanshëm dhe të gjithanshëm të kësaj çështjeje, duke respektuar ligjshmërinë, prezumimin e pafajësisë dhe integritetin e procesit hetimor”, thuhej në komunikatën e IPK-së.

Pra, deri në këtë fazë, në kuadër të veprimeve institucionale janë suspenduar gjithsej 13 zyrtarë: dy prokurore dhe 11 zyrtarë policorë, shkruan lajmi.net.

Donika Gërvalla dhe Xhelal Sveçla prezantojnë raportet, por nuk japin dorëheqje

Më 30 tetor, të premten, në konferencë për media kanë dalë ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pasi kryeministri Albin Kurti u kishte dhënë 54 orë kohë për të përgatitur një raport në lidhje me këtë rast.

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, duke prezantuar gjetjet e raportit, tha se ai ka evidentuar një sërë shkeljesh dhe neglizhencash nga institucionet përgjegjëse, përfshirë Gjykatën Themelore në Pejë, Prokurorinë Themelore dhe Qendrën për Punë Sociale.

Gërvalla bëri të ditur se Arlinda Zekaj kishte kërkuar mbrojtje institucionale, duke raportuar dhunë, kërcënime dhe frikë për jetën e saj dhe të fëmijës.

“Arlinda Zekaj kërkoi vazhdimisht madje edhe disa herë në ditë nga institucionet e Republikës së Kosovës. Ajo paralajmëroi se jeta e saj ishte në rrezik dhe megjithatë më 25 tetor ajo u vra. Raporti që kemi dorëzuar dje, nuk është vendim gjyqësor dhe nuk përcakton përgjegjësi penale, por evidenton mangësi serioze në funksionimin e institucioneve përgjegjëse. Këto mangësi nuk mund të relativizohen dhe përgjegjësitë që dalin prej tyre nuk mund të mbesin pa shqyrtuar”, theksoi Gërvalla.

E pyetur për mundësinë e dorëheqjes nga detyra e ministres, Gërvalla tha se nëse dorëheqja do të kontribuonte për adresim më të mirë dhe perspektivë me më pak rreziqe për gratë, nuk do ta refuzonte dorëheqjen.

Ministri Sveçla deklaroi se nuk konsideron se dorëheqja e tij do të kontribuonte në fuqizimin e grave dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre, duke theksuar se po angazhohen maksimalisht në përmbushjen e detyrave të tyre.

Sipas tij, gjetjet e raportit që ia kanë dorëzuar kryeministrit Albin Kurti evidentojnë disa shkelje serioze, përfshirë mosekzekutimin e urdhrit të parë për mbrojtje, vonesat në ekzekutimin e urdhrit të dytë, mospërfilljen e kërkesës për vlerësimin e rrezikut dhe mosndërmarrjen e masave të nevojshme për ngritjen e kapaciteteve për mbrojtjen e Arlinda Zekajt.

“Çdo qytetare dhe qytetar që kërkon mbrojtje nga institucionet e Republikës së Kosovës duhet të ketë siguri se zëri i tyre do të dëgjohet, raportimi i tyre duhet të trajtohet me seriozitet dhe jeta e tyre duhet të mbrohet. Për t’u arritur kjo duhet i gjithë zinxhiri i institucioneve përgjegjëse të funksionojë dhe nuk guxojmë asnjë hallkë që të dështojë”, theksoi Sveçla.

Ministri deklaroi se përgjegjësia është që çdo veprim dhe mosveprim të hetohet deri në fund.

Sveçla bëri të ditur se janë identifikuar edhe 155 raste aktive me rrezikshmëri të lartë, për të cilat Policia ka raportuar individualisht për veprimet e ndërmarra. Ai tha se në raport janë përfshirë edhe raportimet për rastet me rrezikshmëri të mesme dhe të ulët.

Pas refuzimit të tyre për të dhënë dorëheqje, protestat në sheshin “Zahir Pajaziti” kanë vazhduar, duke kërkuar dorëheqjen dhe shkarkimin e të gjithë të përfshirëve në këtë rast që nuk kanë ndihmuar Arlinda Zekajn.

I vetmi që ka dhënë dorëheqje pas këtij rasti është drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.

Vendimin për dorëheqje ai tha se e mori me bindjen se përgjegjësia udhëheqëse nuk përfundon vetëm te veprimet individuale.

“Ajo nënkupton edhe përgjegjësinë për të garantuar që institucioni që drejtojmë të ruajë standardet më të larta të ligjshmërisë, profesionalizmit dhe integritetit, besoj se ndonjëherë përgjegjësia morale kërkon vendime të vështira”, shkroi ai, përcjell lajmi.net.

Kuvendi themelon komision hetimor parlamentar

Përveç masave të ndërmarra nga Policia dhe Prokuroria, rasti i Arlinda Zekajt ka marrë edhe një dimension parlamentar.

Më 26 tetor, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar një rezolutë për hetimin parlamentar të vrasjes së Arlinda Zekajt dhe parandalimin e dhunës ndaj grave, me 67 vota për.

Ndërkaq, më 29 tetor, Kuvendi ka votuar me 90 vota për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar, i cili do të shqyrtojë veprimet dhe mosveprimet e institucioneve lidhur me vrasjen e saj dhe trajtimin e rasteve të dhunës ndaj grave dhe fëmijëve në familje.

Komisioni përbëhet nga 11 anëtarë dhe ka mandat deri në gjashtë muaj për përgatitjen e raportit përfundimtar.

Kryetar i komisionit është zgjedhur Burim Ramadani, ndërsa nënkryetar Adnan Rrustemi. Gjatë diskutimeve në Kuvend, deputetët kërkuan që në kuadër të hetimit të përfshihen edhe Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë, shkruan lajmi.net.

Ministrja Donika Gërvalla deklaroi se është e gatshme të vihet në dispozicion të komisionit për të ofruar të gjitha informatat e nevojshme.

Protestat vazhdojnë, kërkohet përgjegjësi politike dhe institucionale

Pas prezantimit të raporteve dhe refuzimit të ministrave për të dhënë dorëheqje, protestat në Prishtinë kanë vazhduar për disa ditë radhazi.

Më 30 tetor, protestë u mbajt edhe në Pejë, ku qytetarët dhe familjarët e Arlindës marshuan drejt institucioneve, duke kërkuar drejtësi dhe llogaridhënie nga Komuna, Qendra për Punë Sociale, Policia, Gjykata dhe Prokuroria.

Gjatë kësaj proteste u transmetua edhe regjistrimi audio i Arlindës, ku ajo kërkonte siguri nga zyrtarët policorë.

Protesta u mbajtën edhe në Mitrovicë, ku qytetarët kërkuan drejtësi për Arlindën dhe përgjegjësi nga institucionet që kishin qenë në dijeni për rastin e saj.

Ndërkohë, më 31 tetor, protestat në Prishtinë vazhduan për ditën e katërt. Protestuesit kërkuan shkarkimin e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe dorëheqjen e kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxhiri.

Kërkesat e protestuesve nuk u kufizuan vetëm te dorëheqjet. Ata kërkuan edhe shkarkimin, hetimin dhe ndjekjen penale të zyrtarëve që dyshohet se kanë dështuar në trajtimin e rasteve të raportuara nga Arlinda.

Edhe pse Gazmend Hoxha kishte dhënë dorëheqje dhe 11 zyrtarë policorë ishin suspenduar, protestuesit theksuan se këto masa nuk mjaftojnë pa u hetuar përgjegjësia e të gjithë zinxhirit institucional.

Protestat u zgjeruan edhe në Pejë e Mitrovicë, ndërsa organizatorët paralajmëruan vazhdimin e mobilizimit qytetar deri në përmbushjen e kërkesave për drejtësi dhe llogaridhënie.

Një javë pas vrasjes së Arlinda Zekajt, bilanci i veprimeve institucionale përfshin suspendimin e dy prokuroreve, suspendimin e 11 zyrtarëve policorë, dorëheqjen e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxha, themelimin e një komisioni hetimor parlamentar dhe vazhdimin e protestave qytetare.

Megjithatë, hetimet për rastin dhe procedurat disiplinore janë ende në zhvillim. Përgjegjësia përfundimtare e personave të përfshirë duhet të përcaktohet nga organet kompetente.

Rasti i Arlinda Zekajt mbetet një prej rasteve më të rënda që ka ngritur pikëpyetje për reagimin e institucioneve ndaj grave që kërkojnë mbrojtje nga dhuna në familje. /Lajmi.net/