Shtatë raste të dhunës në familje dhe kanosjeve raportohen në Kosovë, disa të dyshuar përfundojnë në mbajtje
Rastet e dhunës në familje dhe kanosjeve kanë vazhduar të raportohen në disa qytete të Kosovës. Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, gjatë datave 30 dhe 31 tetor janë regjistruar raste në Prishtinë, Podujevë, Viti, Pejë dhe Deçan. Në mesin e rasteve të raportuara ka pasur dhunë fizike dhe psikike ndaj bashkëshorteve dhe familjarëve,…
Lajme
Rastet e dhunës në familje dhe kanosjeve kanë vazhduar të raportohen në disa qytete të Kosovës. Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, gjatë datave 30 dhe 31 tetor janë regjistruar raste në Prishtinë, Podujevë, Viti, Pejë dhe Deçan.
Në mesin e rasteve të raportuara ka pasur dhunë fizike dhe psikike ndaj bashkëshorteve dhe familjarëve, kanosje nga prindërit dhe fëmijët, si dhe mosrespektim të vendimeve gjyqësore për alimentacion.
Disa nga të dyshuarit janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit, ndërsa në një rast në Pejë, gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarve, janë sekuestruar një pistoletë, dy karikatorë dhe 252 fishekë.
Në Prishtinë, më 31 tetor, rreth orës 03:50, është arrestuar një person i dyshuar se në gjendje të dehur kishte ushtruar dhunë psikike ndaj bashkëshortes së tij, duke e ofenduar me fjalë të ndryshme. Sipas Policisë, gruaja është kthyer me dëshirën e saj në banesë, te fëmijët, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Një rast tjetër është raportuar po ashtu në Prishtinë, rreth orës 09:00, ku një person dyshohet se është kanosur dhe ofenduar nga djali i tij, pas një mosmarrëveshjeje rreth shitjes së një pajisjeje për pastrimin e pishinës. I dyshuari ende nuk është hasur nga Policia, ndërsa rasti është duke u hetuar.
Ndërkaq, në Podujevë, më 31 tetor, rreth orës 14:20, është arrestuar një shtetas i Shqipërisë, i cili dyshohet se kishte sulmuar fizikisht motrën e bashkëshortes së tij. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.
Në raportin e Policisë figuron edhe një rast i mosrespektimit të vendimit të gjykatës në Prishtinë, ku një person dyshohet se nuk kishte përmbushur obligimin për pagesën e alimentacionit për fëmijët e tij. Ai është shoqëruar në stacion policor, ndërsa rasti vazhdon të hetohet.
Në Viti, më 30 tetor, rreth orës 23:30, një person ka raportuar se ishte kanosur nga djali i tij. I dyshuari është arrestuar dhe, pas intervistimit, është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.
Një rast tjetër është raportuar në Pejë, më 31 tetor, rreth orës 13:00. Një grua dyshohet se ishte përballur vazhdimisht me dhunë fizike dhe psikike nga bashkëshorti i saj, ndërsa ishte kanosur edhe nga vjehrri.
Pas bastisjes së shtëpisë së të dyshuarve, Policia ka gjetur dhe sekuestruar një pistoletë, dy karikatorë, 252 fishekë dhe një leje valide për armë. Të dyshuarit janë arrestuar, ndërsa njëri është dërguar në mbajtje dhe tjetri është liruar në procedurë të rregullt.
Në Deçan, më 31 tetor, rreth orës 02:30, është arrestuar një person që dyshohet se në vazhdimësi kishte ushtruar dhunë psikike ndaj familjarëve të tij. Sipas Policisë, ai kishte marrë pa dijeninë e prindërve veturën familjare dhe një trotinet elektrik, të cilin më pas e kishte shitur. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Ndërsa në një rast tjetër në Pejë, një grua ka raportuar se bashkëshorti i saj dyshohet se në vazhdimësi e kishte kanosur dhe i kishte shkaktuar dhunë psikike. I dyshuari është arrestuar dhe, pas intervistimit, është dërguar në mbajtje. /Lajmi.net/