Kërcënimet me vrasje ndaj vëllëzërve Haradinaj, Aleanca: Kjo fushatë linçuese po gjen mbështetje përmes deklaratave skandaloze edhe tek deputetët e VV-së

Zëdhënësi i Aleancës Kushtrim Xhemaili, ka shkruar se ditëve të fundit në rrjetet sociale po zhvillohet një fushatë e organizuar shpifjesh dhe kërcënimesh ndaj zyrtarëve të kësaj partie, Ramush dhe Daut Haradinaj. Përmes një reagimi publik, Xhemaili ka thënë se dhjetëra profile të rreme po shpërndajnë informacione të pavërteta, ndërsa sipas tij, kjo fushatë ka eskaluar…

Lajme

31/10/2026 10:15

Zëdhënësi i Aleancës Kushtrim Xhemaili, ka shkruar se ditëve të fundit në rrjetet sociale po zhvillohet një fushatë e organizuar shpifjesh dhe kërcënimesh ndaj zyrtarëve të kësaj partie, Ramush dhe Daut Haradinaj.

Përmes një reagimi publik, Xhemaili ka thënë se dhjetëra profile të rreme po shpërndajnë informacione të pavërteta, ndërsa sipas tij, kjo fushatë ka eskaluar deri në thirrje për vrasjen e dy vëllezërve Haradinaj, transmeton lajmi.net.

Ai ka veçuar një profil në rrjetet sociale, të hapur me emrin “Besmir Kelmendi”, i cili, sipas tij, përdor fotografinë e Avni Rrustemit dhe emrin “Avni Rrustemi 2.0”.

“Ky profil ka filluar një fushatë të hapur propaganduese duke bërë thirrje publike për vrasjen e z. Ramush Haradinaj dhe z. Daut Haradinaj”, ka shkruar Xhemaili.

Sipas zëdhënësit të Aleancës, përmes këtij profili po tentohet të ndërlidhet emri i familjes Haradinaj me rastin tragjik në Pejë, duke përdorur pretendime dhe citate që ai i cilëson të pavërteta.

Xhemaili ka vlerësuar se këto veprime nuk janë vetëm shpifje politike, por përbëjnë kërcënime serioze ndaj sigurisë së individëve.

“Këto nuk janë më thjesht shpifje politike, por janë thirrje të pastra kriminale që cenojnë drejtpërdrejt sigurinë e jetës dhe rendin ligjor në vend”, ka deklaruar ai.

Ai ka bërë të ditur se Aleanca ka dorëzuar në Policinë e Kosovës të dhënat dhe provat që, sipas tij, lidhen me këtë profil dhe llogaritë e tjera të ndërlidhura me të.

“Ne do të ndjekim rrugën ligjore deri në fund për secilin individ që fshihet pas këtyre profileve dhe që prodhon apo shpërndan mesazhe të tilla terrorizuese”, ka theksuar zëdhënësi i AAK-së.

Në reagimin e tij, Xhemaili ka kritikuar edhe deputetë të partisë në pushtet, duke pretenduar se deklaratat e tyre po kontribuojnë në fushatën e linçimit dhe kërcënimeve online.

Ai ka akuzuar se kjo po bëhet me qëllim të zhvendosjes së vëmendjes së opinionit publik nga përgjegjësia institucionale për rastin tragjik në Pejë.

“Tragjeditë njerëzore nuk mund dhe nuk do të lejohen të keqpërdoren për luftë politike e as për nxitje të dhunës”, ka përfunduar Xhemaili reagimin e tij./lajmi.net/