Steve Bennet kundërshton dorëheqjen e Gazmend Hoxhës: Ishte e panevojshme, kundërproduktive për procesin e të nxënit dhe përmirësimit institucional

Ish-drejtori i Misionit për Edukim dhe Zhvillim Policor, Steve Bennett, ka vlerësuar se dorëheqja e drejtorit të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, pas vrasjes së Arlinda Zekajt, ishte e panevojshme dhe mund të ndikojë negativisht në procesin e reformimit të institucionit. Përmes një postimi, Bennett ka thënë se, ndonëse rasti kërkon llogaridhënie të plotë, largimi…

Lajme

31/10/2026 11:20

Ish-drejtori i Misionit për Edukim dhe Zhvillim Policor, Steve Bennett, ka vlerësuar se dorëheqja e drejtorit të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, pas vrasjes së Arlinda Zekajt, ishte e panevojshme dhe mund të ndikojë negativisht në procesin e reformimit të institucionit.

Përmes një postimi, Bennett ka thënë se, ndonëse rasti kërkon llogaridhënie të plotë, largimi i drejtorit të përgjithshëm rrezikon që përgjegjësia simbolike të zëvendësojë shqyrtimin e dështimeve institucionale që çuan deri te tragjedia, transmeton lajmi.net.

“Dorëheqja e Gazmend Hoxhës, pas vrasjes tragjike të Arlinda Zekajt, ishte e panevojshme dhe kundërproduktive për procesin e të nxënit dhe përmirësimit institucional”, ka shkruar Bennett.

Ai ka theksuar se hetimi duhet të përqendrohet në mënyrën se si institucionet kanë trajtuar rastin, veçanërisht në zbatimin e urdhrave për mbrojtje, vlerësimin e rrezikut dhe reagimin ndaj paralajmërimeve të hetuesve.

Sipas tij, këto çështje lidhen me praktikat organizative, përgjegjësinë komanduese dhe kulturën institucionale, prandaj nuk mund të zgjidhen vetëm përmes largimit të udhëheqësit të Policisë.

“Pyetjet thelbësore kanë të bëjnë me zbatimin e urdhrave për mbrojtje, vlerësimin e nivelit të rrezikut, reagimin ndaj paralajmërimeve të hetuesve dhe efektivitetin e mbikëqyrjes nga nivelet drejtuese”, ka deklaruar ai.

Bennett ka shprehur shqetësimin se dorëheqja e Hoxhës mund të dobësojë procesin e të nxënit institucional, pasi, sipas tij, udhëheqja e lartë duhet të jetë pjesë e procesit të reformave dhe zbatimit të rekomandimeve.

Ai ka theksuar se përgjegjësia duhet të përcaktohet në bazë të fakteve dhe përgjegjësisë së dëshmuar, e jo vetëm në bazë të pozitës që mban një zyrtar.

“Llogaridhënia duhet të jetë proporcionale me përgjegjësinë e provuar dhe jo të përcaktohet thjesht nga pozita apo niveli hierarkik i zyrës që dikush mban”, ka shkruar Bennett.

Ish-drejtori i Misionit për Edukim dhe Zhvillim Policor ka kërkuar që prioritet të jetë një hetim i pavarur dhe gjithëpërfshirës, i përcjellë me masa konkrete për përmirësimin e funksionimit institucional.

Sipas tij, besimi i qytetarëve nuk mund të rikthehet vetëm përmes dorëheqjeve, por përmes identifikimit të qartë të dështimeve dhe përmirësimeve të dëshmueshme në mbrojtjen e personave të cenueshëm.

Në përfundim, Bennett ka vlerësuar se Policia e Kosovës ka nevojë për vazhdimësi në udhëheqjen e lartë dhe jo për destabilizim institucional.

“Kjo kërkon vazhdimësi në udhëheqjen e lartë të Policisë së Kosovës (PK), e jo destabilizim përmes dorëheqjeve të panevojshme”, ka përfunduar ai./lajmi.net/