Jep dorëheqje drejtori i Policisë së Kosovë Gazmend Hoxha, pas ngjarjes tragjike të Arlinda Zekaj

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ka dhënë dorëheqje, pas rastit tragjik të vrasjes së Arlinda Zekaj. Kryeministri Kurti ka njoftuar se pranoi nga  Hoxha kërkesën për dorëheqje dhe e liroi nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës. “Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot pranoi nga z. Gazmend Hoxha…

Lajme

30/10/2026 12:35

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ka dhënë dorëheqje, pas rastit tragjik të vrasjes së Arlinda Zekaj.

Kryeministri Kurti ka njoftuar se pranoi nga  Hoxha kërkesën për dorëheqje dhe e liroi nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot pranoi nga z. Gazmend Hoxha kërkesën për dorëheqje dhe e liroi atë nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.

Në përputhje me legjislacionin në fuqi, kryeministri Kurti, pas propozimit nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, caktoi ushtrues detyre të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, z. Fehmi Hoti.Qeveria e Republikës së Kosovës e çmon kontributin dhe angazhimin e z. Hoxha përgjatë mandatit të tij.”.

Dorëheqja e Gazmend Hoxhës është dorëheqja e parë morale, anipse një gjë e tillë iu kërkua edhe shumë të tjerëve, përfshirë këtu edhe ministren e Drejtësisë, Donika Gërvalla dhe ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla.

Dyshja folën sot para mediave, por deklaruan se s’do të dorëhiqen pasi që sipas tyre  do të “kontribuojnë mbi këtë çështje përmes mekanizmave drejtues” që të zbardhet i gjithë rastit dhe të mos ketë më raste të dhunës.

Dorëheqja e Hoxhës vie pasi dje janë suspenduar 11 zyrtarë policorë, ndërsa Këshilli Prokurorial i Kosovës mori vendim për suspendimin e kryeprokurores së Pejës, Lumturije Vuçetaj si dhe  prokuroren e rastit të Zekajt, Arlinda Nallbani Gacaferi.

KPK-ja tha në një njoftim për media se ka themeluar panel hetimor për trajtimin e rastit të Zekajt.

Si ndaj Vuçetajt, ashtu edhe ndaj Nallbani Gacaferit, KPK vendosi që të iniciohen procedura disiplinore dhe për këtë u themelua panel hetimor, thuhet në njoftim.

Rasti tragjik i vrajes mizore të Arlinda Zekaj e cila u godit me sëpatë nga kunati i saj Albert Sylaj, ka shfaqur një varg neglizhence nga policia, prokuroria, gjyqësia dhe Qendra për Punë Sociale e shumë të tjerë.

Arlinda Zekaj ishte përkujdesur që t’i ruante me dëshmi të gjithë neglizhencës që iu bë nga stacioni policor e tutje e kjo gjë u dëshmua më pas pas vrasjes mizore.

Dhuna dhe kërcënimet e vazhdueshme nga ish-bashkëshorti Jeton Sylaj, kunati dhe të tjerët nuk ishin “dëshmi të mjaftueshme” për Kryeprokuroren e prokuroren e rastit, e madje as për policët në Pejë, derisa ajo përfundoi e vrarë./Lajmi.net/