Përparim Rama arrin tek Prokuroria Speciale për t’u intervistuar rreth “tenderit 12 milionësh”: Detyra jem është me ndërtu Kryeqytetin

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka mbërritur në objektin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Sipas raportimeve në media ai do të intervistohet në cilësinë e të dyshuarit në lidhje me projektin e “Arkitektit të Kryeqytetit”. Pak para intervistimit, Përparim Rama u ndal shkurtimisht para mediave, ku tha se detyra e tij është me…

Lajme

30/10/2026 13:33

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka mbërritur në objektin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Sipas raportimeve në media ai do të intervistohet në cilësinë e të dyshuarit në lidhje me projektin e “Arkitektit të Kryeqytetit”.

Pak para intervistimit, Përparim Rama u ndal shkurtimisht para mediave, ku tha se detyra e tij është me ndërtu kryeqytetin.

“Detyra jem është me ndërtu Kryeqytetin, detyra e tyre është me e pa se krejt bëhet në mënyrë ligjore” ,deklaroi Rama.

Ai nuk pranoi të thotë nëse do intervistohet si i dyshuar apo si dëshmitarë.

Madje avokati i tij tha se këto detaje do dihen pas intervistimit.

“Statusin do ta kuptojmë pas intevistimti deklaroi avokati”, transmeton lajmi.net.

Dyshimet kryesore rreth projektit të “Arkitektit të Kryeqytetit” në Prishtinë ndërlidhen me procedurat e prokurimit publik, vlerën e lartë të kontratës prej 12 milionë eurosh, si dhe dyshimet për manipulim stafi dhe konflikt interesi.

Rama pritet të intervistohet lidhur me projektin e “Arkitektit të Kryeqytetit”, i cili lidhet me procedurat e prokurimit publik, vlerën e kontratës prej 12 milionë eurosh, si dhe dyshimet për manipulim të stafit dhe konflikt interesi.

Bëhet fjalë për një kontratë që Komuna e Prishtinës e kishte hapur për “Konsulencë për themelimin e Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit për nevojat e Komunës së Prishtinës”. Kontrata ishte paraparë të kishte kohëzgjatje prej 36 muajsh, ndërsa vlera e saj arrinte në 12 milionë euro. Projekti ishte kritikuar ashpër nga asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, të cilët kishin ngritur dyshime për arsyeshmërinë e një kontrate të tillë, veçanërisht duke pasur parasysh se Rama vetë është arkitekt.

Në një konferencë për media të mbajtur më 11 gusht 2022, asamblistja e VV-së, Triera Kasumi Berisha, kishte deklaruar se Prishtina përballej me probleme të shumta, ndërsa Komuna po planifikonte një tender që, sipas saj, përbënte rreth 13 për qind të buxhetit të përgjithshëm vjetor.

Ajo kishte kritikuar edhe faktin që, sipas saj, tenderi nënçmonte punën e profesionistëve që tashmë ishin të angazhuar në departamentet e Komunës.

Ndërkaq, shefi i asamblistëve të VV-së në atë kohë, Gëzim Sveçla, kishte kritikuar udhëheqjen e Ramës, duke thënë se Prishtina po përkeqësohej dhe se kishte më shumë marketing sesa punë konkrete.

Pas hapjes së tenderit më 22 korrik, Komunës i ishin dashur rreth tre muaj për të përzgjedhur operatorin ekonomik. Projekti iu besua arkitektit Astrit Nixha dhe kompanisë së tij “Anarche”.

Në atë kohë, Rama kishte deklaruar se “Arkitekti i Kryeqytetit” nuk do të ishte vetëm një person, por një shërbim me një numër të madh konsulentësh nga fusha të ndryshme, përfshirë infrastrukturën dhe rregulloret, me synimin edhe të digjitalizimit të shërbimeve komunale.

Ai kishte përmendur se përmes këtij projekti synohej të trajtoheshin edhe projekte të rëndësishme në kryeqytet, si transformimi i Pallatit të Rinisë, Tregut të Gjelbër dhe hapësirave të tjera publike.

Ky projekt, i iniciuar nga Komuna e Prishtinës nën udhëheqjen e Përparim Ramës, ka qenë në qendër të kritikave të opozitës dhe opinionit publik.

Intervistimi vije vetëm disa ditë pasi zyrtarë të VV-së kanë paralajmëruar një arrestimin të mundshëm të Ramës. Ky paralajmërim fillimisht kishte ardhur nga deputeti i VV-së, Egzon Azemi.

“Përparim Rama… tik tak, tik tak…”, kishte shkruar ai në profilin e tij në Facebook.

Paralajmërimi kishte ardhur menjëherë pas ndryshimeve në udhëheqjen e Prokurorisë Speciale. Më 2 tetor, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) shkarkoi Isufajn, me gjashtë vota për dhe një kundër.

Drejtimin e përkohshëm ia besoi prokurorit Dren Paca. Mbledhja ishte e jashtëzakonshme dhe u zhvillua me dyer të mbyllura, duke nxitur kundërshtime lidhur me transparencën.

KPK-ja e arsyetoi vendimin me keqmenaxhim, jokompetencë, mospërmbushje detyrash dhe performancë të pamjaftueshme.Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kishte reaguar ndaj paralajmërimeve të zyrtarëve të VV-së.

Ai u kishte bërë thirrje publike organeve të drejtësisë që të merren me ato që i cilëson si kërcënime ndaj tij nga deputetë dhe asamblistë të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV)./Lajmi.net/

Përparim Rama ftohet për intervistim nga Prokuroria Speciale