Kadrijaj alarmon për rrezikun e mbylljes së 15 qumështoreve: Rreth 500 punëtorë mund të mbesin pa punë
Deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, në seancën e sotme ka ngritur shqetësime lidhur me situatën e qumështit në Kosovë. Kadrijaj ka thënë prodhuesve vendorë u është kufizuar përdorimi i vajit të palmës, ndërsa i njëjti dyshohet se gjendet në produktet që po importohen. ‘’Sot po ngre një shqetësim serioz që prek drejtpërdrejt prodhimin vendor, fermerët,…
Lajme
Deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, në seancën e sotme ka ngritur shqetësime lidhur me situatën e qumështit në Kosovë.
Kadrijaj ka thënë prodhuesve vendorë u është kufizuar përdorimi i vajit të palmës, ndërsa i njëjti dyshohet se gjendet në produktet që po importohen.
‘’Sot po ngre një shqetësim serioz që prek drejtpërdrejt prodhimin vendor, fermerët, punëtorët dhe ekonominë e Kosovës. Si është e mundur që prodhuesve vendorë të qumështit, tu kufizohet përdorimi i vajit të palmës në nënproduktet e qumështit, ndërsa në tregun e Kosovës, vazhdojnë të shiten produkte që dyshojnë se përmbajnë të njëjtin përbërës’’, ka thënë ajo.
Deputetja, ka alarmuar edhe për pasojat që mund të ketë në vendet e punës, duke thënë se qumështorja Vita ‘’ ka paralajmëruar pasoja të renda në punësim, me rrezikun që rreth 500 punëtorë të mbeten pa punë’’.
‘’Nuk mund të ketë një standard për qumështin e Kosovës, dhe një tjetër për produktet që vijnë nga jashtë. Ndërsa produktet e importuara konkurrojnë në tregun tonë, qumështoret vendore po përballen me pasiguri, kosto dhe rrezik për vazhdimin e veprimtarisë. Sipas shqetësimeve të ngritura nga sektori privat, rreth 15 qumështore vendore, janë në rrezik serioz. Qumështorja VITA ka paralajmëruar pasoja të renda në punësim, me rrezikun që rreth 500 punëtorë të mbeten pa punë’’, ka shtuar ajo.
Më tej, Kadrijaj, ka shtruar pyetjen se a e kuptojnë ‘’institucionet se çfarë do të thotë kjo’’.
‘’A e kuptojnë institucionet çfarë do të thotë kjo? Pas çdo qumështoreje, janë fermerë që prodhojnë qumësht, punëtorët sigurojnë bukën e gojës dhe investime që janë ndërtuar me vite. Nëse mbyllen qumështorët, kush do ua blej qumështin fermerëve tanë, kush do i mbajë punëtorët në punë, dhe kush do e paguajë faturën ekonomike të kësaj gjendjeje.’’, ka shtuar ajo.
Në fund, deputetja, ka kërkuar ‘’barazi’’ për fermerët e vendit, duke thënë se nuk mund të ‘’përdoren standarde të dyfishta’’.
‘’Kuvendi duhet të kërkojë përgjegjësi dhe transparencë para se të rrezikohen edhe më shumë vendet e punës. Nuk bën një standard i dyfishtë. Ju më përpara keni rrëzu kamionë që kanë ardh me produkte nga jashtë Kosove. Barazi për fermerët tanë, sepse nuk mund të përdorim standarde të dyfishta, të lejojmë të futen jogurt nga Serbia dhe të ua ndalojmë punën qumështorëve tona dhe fabrikës VITA’’, ka deklaruar Kadrijaj.