Rasti i Liridona Ademaj rikthehet në gjykatë, çfarë kërkon sot Naim Murseli?
Gjykata e Apelit do të shqyrtojë sot ankesën e Naim Murselit, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj. Seanca është caktuar të mbahet në orën 11:10, në Pallatin e Drejtësisë në Hajvali. Mbrojtja e Murselit, përmes një ankese prej 30 faqesh, ka kërkuar prishjen e aktgjykimit të Gjykatës…
Lajme
Gjykata e Apelit do të shqyrtojë sot ankesën e Naim Murselit, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj.
Seanca është caktuar të mbahet në orën 11:10, në Pallatin e Drejtësisë në Hajvali.
Mbrojtja e Murselit, përmes një ankese prej 30 faqesh, ka kërkuar prishjen e aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë ose ndryshimin e tij me shqiptimin e një dënimi më të butë.
Avokatët e tij pretendojnë se gjykata e shkallës së parë i ka vlerësuar provat në mënyrë të njëanshme dhe selektive. Ata kanë ngritur kundërshtime edhe lidhur me mënyrën e marrjes në pyetje të Murselit nga Policia.
Ankesë në Gjykatën e Apelit ka paraqitur edhe familja e Liridona Ademajt, përmes avokatit Leotrim Syla, duke kërkuar që Kushtrim Kokalla të dënohet me burgim të përjetshëm.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 21 prill 2026, kishte dënuar me burgim të përjetshëm Naim Murselin dhe Granit Plavën, ndërsa Kushtrim Kokallën me 30 vjet burgim.
Liridona Ademaj ishte vrarë më 29 nëntor 2023, në një rast që fillimisht ishte raportuar si grabitje, por që më pas mori një tjetër drejtim gjatë hetimeve.
Vrasja e saj kishte nxitur reagime të shumta në opinionin publik, ndërsa procesi gjyqësor ndaj të akuzuarve ishte përcjellë me interesim të madh.
Në seancën e sotme pritet të shqyrtohen ankesat e paraqitura kundër aktgjykimit të shkallës së parë.