Llalloshi për vrasjen e Arlinda Zekajt dhe grave të tjera, kritikon QPS-të: Duhet reformim rrënjësor i tyre

Deputetja e VV-së, Edona Llalloshi në seancën e Kuvendit të Kosovës ka folur për rastin e fundit të vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë. Ajo ka thënë se vrasja e Arlindës duhet të shërbej si pikë kthese dhe moment përtej dallimeve politike që kanë të bashkohen kundër burrave që e kanë kthyer dhunën në mjet…

Lajme

29/10/2026 11:18

Deputetja e VV-së, Edona Llalloshi në seancën e Kuvendit të Kosovës ka folur për rastin e fundit të vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë.

Ajo ka thënë se vrasja e Arlindës duhet të shërbej si pikë kthese dhe moment përtej dallimeve politike që kanë të bashkohen kundër burrave që e kanë kthyer dhunën në mjet sundimi.

Llalloshi ka përmendur kushërirën e saj, doktoreshën Igballe Llalloshi, që është vrarë nga bashkëshorti i saj, për çka ka thënë se edhe pse kanë kaluar 18 vite, dhimbja nuk është shuar.

“Që nga paslufta, më shumë se 80 gra janë vrarë në Kosovë. Pas secilit prej këtyre numrave qëndron një jetë e shuar, një familje e shkatërruar dhe fëmijë që mbeten me plagë gjithë jetën.  Sot duhet ta kemi një pyetje, edhe sa gra duhet të humbin jetën që ne të reagojmë me seriozitet. Andaj të mos presim një tjetër tragjedi, dhe koha është të veprojmë tani me vendosmëri, ta kthejmë dhimbjen në përgjegjësi dhe fjalët në veprim”, ka thënë Llalloshi.

Ajo ka kritikuar Qendrat për Punë Sociale dhe bartjen e përgjegjësive te komunat, sipas saj pa garantuar kapacitet dhe burime të nevojshme.

“Rasti i fundit dhe mijëra raste të dhunës të heshtura që nuk arrijnë asnjëherë në vëmendjen e mediave dhe sallën e Kuven dit na tregon se shërbimet sociale kanë nevojë për reformim rrënjësor. Nuk mund të presim që tragjeditë të bëhen publike, për ta kuptuar përmasat e dhunës dhe përgjegjësinë e institucione për ta parandaluar atë.  Reforma e QPS-ve duhet të nis tani”, ka thënë Llalloshi. /Lajmi.net/