Kunati që vrau Arlinda Zekajn ende në liri- Policia e shpalli dje në kërkim por ende asnjë informacion nga ai

Edhe pse sot do t’i jepet lamtumira e fundit Arlinda Zekajt, e cila u vra në mënyrë mizore nga kunati i saj, Albert Sylaj- i dyshuari në këtë rast vazhdon që të jetë ende në liri. Sylaj, që është vëllai i ish-bashkëshortit të Arlinda Zekajt e vrau kunatën e tij në derë të shtëpisë posa…

Lajme

27/10/2026 09:04

Edhe pse sot do t’i jepet lamtumira e fundit Arlinda Zekajt, e cila u vra në mënyrë mizore nga kunati i saj, Albert Sylaj- i dyshuari në këtë rast vazhdon që të jetë ende në liri.

Sylaj, që është vëllai i ish-bashkëshortit të Arlinda Zekajt e vrau kunatën e tij në derë të shtëpisë posa ajo hyri brenda oborrit.

Kjo ngjarje tragjike ishte një thirrje e zëshme për të gjitha institucionet në Kosovë dhe për pasigurinë që kanë gratë në përgjithësi, shto këtu faktin se 67 prej tyre janë vrarë nga familjarët që nga viti 2010.

Arlinda Zekaj prej muajit korrik kishte kërkuar ndihmë, madje e njëjta ndihmë kërkoi edhe pak ditë para se të vritej.

Sipas informacioneve të deritanishme katër ditë para vrasjes, Arlinda kishte telefonuar Policinë për t’u ankuar lidhur me moszbatimin e vendimit të Gjykatës për kujdestarinë e fëmijës së saj.

Sipas informacioneve të siguruara nga KALLXO, më 22 tetor, rreth orës 16:00, Zekaj kishte kontaktuar Policinë, por fillimisht ishte njoftuar se nuk kishte në dispozicion automjet zyrtar. Asaj i ishte thënë se Policia do t’i përgjigjej ankesës sapo të siguronte një automjet.

Rreth orës 17:10, Policia ishte pajisur me automjet zyrtar dhe i ishte përgjigjur thirrjes së saj.

Atë mbrëmje, Zekaj e kishte njoftuar Policinë se në shtëpinë e saj ndodheshin persona të tjerë, të cilët, sipas saj, po qëndronin aty pa pëlqimin e saj.

Në shtëpi, zyrtarët policorë kishin takuar nënën e ish-bashkëshortit të saj, kunatin Albert Sylaj, i dyshuar për vrasjen e saj, si dhe dy fëmijët e tij.

Në deklaratën e dhënë në Polici, Zekaj kishte shprehur kundërshtimin e saj për qëndrimin e familjarëve të ish-bashkëshortit në shtëpi, pasi konsideronte se ata nuk kishin të drejtë të qëndronin aty.

Ajo kishte deklaruar se në një moment kunati i saj, Albert Sylaj, i ishte drejtuar me fjalët: “Largomu, largomu se t’mys”.

Po ashtu, Zekaj kishte deklaruar se ishte përballur me sulm verbal nga Sylaj, kur kishte tentuar ta merrte digitronin.

Por me urdhër të prokurores, fillimisht ishte kërkuar përpilimi i një shënimi zyrtar. Ndërkohë, palëve të përfshira u ishte kërkuar që t’i siguronin dhe t’i dorëzonin incizimet nga kamerat e sigurisë të instaluara në shtëpinë e banimit.

E kërkesa të ngjashme dhe raportime mbi dhunën e tmerrshme që po i bëhej asaj në shtëpinë të cilën e kishte ndërtuar bashkë me Jeton Sylaj, ish-bashkëshortin pas kthimit nga Amerika- policia dhe Prokuroria në Pejë nuk e morën parasysh.

Madje neglizhencë në këtë rast raportohet të ketë pasur nga të gjitha palët, si nga policët, prokurorët, zyrtarët e QPS-së Komuna dhe Gjykata e Pejës, që kishte nxjerrë fillimisht një vendim qesharak që burri të mos i afrohej për dy metra (anipse jetonin brenda shtëpisë së njëjtë).

Në shtëpinë e tyre ishin vendosur edhe vjehrra dhe kunati- pa asnjë arsye vetëm e vetëm që t’i bënin asaj presion të vazhdueshëm.

Arlinda sipas informacioneve kishte disa muaj që s’e kishte takuar djalin e saj, e nata kur u kthye në shtëpi kishte këtë arsye: Që ajo të bashkohej të.

Arlinda Zekaj u vra mbrëmjen e 25 tetorit në Vitomiricë të Pejës. Për vrasjen e saj dyshohet kunati, Albert Sylaj, i cili ende ndodhet në arrati dhe është shpallur në kërkim nga Policia.

Sipas njoftimit të Policisë, viktima kishte raportuar një rast të dhunës në familje në stacionin policor në Pejë rreth orës 19:00 të së dielës, më 25 tetor.

Ajo ishte shoqëruar në stacionin policor, ku ishte intervistuar, e më pas ishte dërguar në shtëpinë e saj në Vitomiricë. Sipas Policisë, Zekaj ishte kthyer në shtëpi me vullnetin e saj.

Pas raportimit për dhunë në familje, bashkëshorti i saj ishte arrestuar dhe ndaluar për 48 orë, sipas deklarimeve të organeve të rendit.

Megjithatë, rreth orës 21:10, pasi Zekaj ishte kthyer në shtëpi, Policia kishte marrë informatën se ajo ishte vrarë.

Sipas të dhënave fillestare të Policisë, dyshohet se vdekja e saj ishte shkaktuar nga goditjet me një mjet të fortë (Sëpatë).

Prokuroria gjatë deklarimeve të djeshme që pati para mediave tha se ajo këmbënguli të “kthehej në shtëpi tek djali”, duke tentuar që të arsyetohen përballë gjithë dështimit institucional të hetuesisë dhe drejtësisë në rastin e Arlindës, gruas së tetë me radhë që u vra brenda 10 muajve në Kosovë./Lajmi.net/

Arlinda Zekaj paralajmëroi rrezikun tri ditë para vrasjes, çfarë u tha sot për rastin që tronditi Kosovën

Ku mbetën hallkat elektronike për dhunuesit e grave që promovoheshin nga Qeveria Kurti? Gjykatësi tha që burri mos t’i afrohet dy metra Arlindes brenda shtëpisë

Pa ndihmë nga shteti, Prokuroria e udhëzoi Arlinda Zekajn të shkojë në shtëpinë e vëllezërve- Çka dihet deri tani nga rasti tragjik

Thellohet rasti i vrasjes së Arlinda Zekajt| Gjykata e Pejës thotë se sot pranuan aktakuzën e Prokurorisë ndaj ish-bashkëshortit të saj

“Të thej, të mbys- çka lyp ti në shtëpinë time?”- “A duhet me më vra Jetoni që ju Policia ta arrestoni?” Zbulohet deklarimi i Arlinda Zekajt në polici