Pas rastit të Arlinda Zekajt, ish-drejtoresha e Auditimit në ASHNA thotë se edhe ajo u ndëshkua pasi raportoi keqpërdorimet
Xhyldane Murtezi Kiçmari, ish-drejtoreshë e Njësisë së Auditimit të Brendshëm në Agjencinë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA), ka akuzuar disa ish-zyrtarë të këtij institucioni se, sipas saj, e larguan nga puna pasi raportoi dyshime për keqpërdorime të parasë publike. Në një postim në Facebook, ajo ka përmendur Samir Bllacakun, Agon Krasniqin, Besian Hysajn dhe…
Lajme
Xhyldane Murtezi Kiçmari, ish-drejtoreshë e Njësisë së Auditimit të Brendshëm në Agjencinë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA), ka akuzuar disa ish-zyrtarë të këtij institucioni se, sipas saj, e larguan nga puna pasi raportoi dyshime për keqpërdorime të parasë publike.
Në një postim në Facebook, ajo ka përmendur Samir Bllacakun, Agon Krasniqin, Besian Hysajn dhe Sherif Gosalcin, duke pretenduar se këta të fundit kishin përdorur pozitat e tyre për ta larguar nga puna.
“Pra, e ndëshkuan me largim nga puna një grua që guxoi t’u thoshte jo abuzimit me paranë publike”, ka shkruar Murtezi Kiçmari.
Ajo ka thënë se deri më tani është përqendruar në dëshmitë dhe argumentet që, sipas saj, i ka dorëzuar në institucionet kompetente lidhur me keqpërdorimet e dyshuara në ASHNA, ndërsa tani ka vendosur të flasë edhe për atë që e cilëson si aspekt gjinor të rastit të saj.
Murtezi Kiçmari ka pretenduar se Sherif Gosalci kishte nënshkruar vendimin për largimin e saj nga puna, duke e akuzuar se këtë e kishte bërë për të ruajtur pozitën e tij. Ajo ka kërkuar që të shqyrtohen avancet për udhëtime zyrtare dhe përfitimet e tjera që, sipas saj, Gosalci kishte pasur pas largimit të saj.
Ndërkaq, për Besian Hysajn, ajo ka pretenduar se, si anëtar i komisionit disiplinor, kishte nënshkruar vendimin për largimin e saj pa pasur, sipas saj, argumente apo shkelje të detyrave të punës.
Ajo ka pretenduar gjithashtu se Hysaj kishte përfituar nga ky vendim, duke marrë pozitën e drejtorit të Departamentit të Trafikut Ajror në ASHNA, të cilën, sipas saj, aktualisht e ushtron si ushtrues detyre.
Në reagimin e saj, Murtezi Kiçmari ka ngritur edhe çështjen e një kontrate në vlerë prej 5.5 milionë eurosh, duke pretenduar se Hysaj kishte nënshkruar përshtatjen e kritereve të përzgjedhjes në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik. Ajo ka thënë se dëshmitë lidhur me këtë çështje i ka dorëzuar në institucionet kompetente.
Në fund, ish-drejtoresha e Auditimit të Brendshëm ka kritikuar, siç e sheh ajo, mosveprimin e institucioneve dhe mungesën e mbrojtjes për sinjalizuesit që raportojnë shkelje të dyshuara në institucionet publike.
“Atëherë, kush duhet të ndëshkohet? Të zëshmit që po i njoftojnë institucionet që duhet të veprojnë dhe t’i mbrojnë këta sinjalizues, e të cilët po ndëshkohen me largime nga puna dhe ndëshkime të formave tjera apo ata që po abuzojnë me pushtetin për përfitime personale dhe po i dëmtojnë të tjerët”, ka shkruar ajo.
Pretendimet e ngritura në reagimin e Murtezi Kiçmarit i atribuohen asaj dhe nuk përbëjnë konstatime të pavarura për përgjegjësinë e personave të përmendur. /Lajmi.net/