Çfarë rrezikon Kosova nëse dështojnë Lojërat Mesdhetare? Paralajmëron ish-sekretari i KOK-ut
Ish-sekretari i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Shasivar Haxhijaj, ka paralajmëruar për pasojat që mund të ketë për Kosovën dështimi i organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030. I ftuar në SportCast, Haxhijaj ka thënë se përplasjet mes dy figurave po e rrezikojnë një projekt të rëndësishëm për vendin. Sipas tij, nëse Kosova dështon në organizimin…
Sport
Ish-sekretari i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Shasivar Haxhijaj, ka paralajmëruar për pasojat që mund të ketë për Kosovën dështimi i organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.
I ftuar në SportCast, Haxhijaj ka thënë se përplasjet mes dy figurave po e rrezikojnë një projekt të rëndësishëm për vendin. Sipas tij, nëse Kosova dështon në organizimin e kësaj ngjarjeje, do të jetë shumë e vështirë që në të ardhmen t’i besohet organizimi i garave të tjera serioze ndërkombëtare.
“Nëse ka diçka në Kosovë që është krijuar për ta përmirësuar imazhin e Kosovës, le ta di secili, që sporti i Kosovës ka qenë ai që i ka dhënë imazh Kosovës. Edhe ato sidomos medaljet e arritura, duke përfshirë tre medaljet e arta në Lojëra Olimpike, pastaj dy të tjera që kanë ardhur në Lojërat e fundit. Pesë medaljet olimpike, edhe medaljet evropiane, mesdhetare, dhe të tjerat. Pa i anashkaluar edhe medaljet botërore të kampionateve evropiane të federatave, që janë elitare të gjitha. Dhe këto i kanë dhënë imazh të jashtëzakonshëm në arenën ndërkombëtare Kosovës. Mua më kujtohet, prej medaljes së parë olimpike kur e kemi marrë me Majlindën, komplet trajtimi i gjithë lëvizjes olimpike ka filluar të ndryshojë në raport me Kosovën. Domethënë, nëse deri atëherë nuk jemi vërejtur fare prej të tjerëve, automatikisht, krejt bota ka filluar me na vërejë. Mos të flasim kur kanë ndodhur dy medaljet e arta të tjera. E ka ndryshuar komplet imazhin. Ajo çka nuk e besoj, ajo çka nuk dua ta besoj është që ky imazh i Kosovës, i sportit të Kosovës të prishet për bajraktarizëm. Pse jam unë, mos të jetë ai tjetri”, tha Haxhijaj.
Haxhijaj ka folur edhe për rëndësinë që ka pasur sporti në përmirësimin e imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ai ka vlerësuar se sukseset e sportistëve kosovarë, veçanërisht medaljet olimpike, kanë ndikuar në mënyrë të jashtëzakonshme në njohjen dhe vlerësimin e vendit në botë.
Duke kujtuar medaljen e parë olimpike të Majlinda Kelmendit dhe sukseset e tjera të sportistëve kosovarë, ish-sekretari i KOK-ut ka theksuar se nuk duhet lejuar që imazhi i ndërtuar përmes këtyre arritjeve të dëmtohet për shkak të interesave personale dhe përplasjeve mes drejtuesve.
“Krejt problemin e kemi dhe duhet me ia heq që thonë pleqtë, petën lakrorit, për dy figura, krejt ky rrezikim është duke ndodhur. Domethënë pse nuk munden ta durojnë njëri tjetrin. Mua fare nuk më intereson kjo pjesë. Unë jam një prej njerëzve që kam kontribuar në sport dhe raportet mes atyre dy njerëzve nuk më interesojnë. Mua më interesojnë ata t’i kalojnë ato edhe t’i organizojnë Lojërat Mesdhetare. Mos ta dëmtojnë imazhin e Kosovës, e të sportit të Kosovës, sepse po iu garantoj që edhe 20 vite, 30 vite tjera askush nuk do të flas më për Kosovën me i dhënë ndonjë garë serioze për organizim”, tha Haxhijaj.
Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 përbëjnë një nga projektet më të rëndësishme sportive për Kosovën. Organizimi i tyre shihet si mundësi për zhvillimin e infrastrukturës sportive, promovimin e vendit dhe dëshmimin e kapaciteteve organizative në arenën ndërkombëtare.