Java e gjuhës italiane, Italia i dhuron libra Bibliotekës Kombëtare të Kosovës
Ambasada e Italisë në Prishtinë përuroi hapësirën e dedikuar librave në gjuhën italiane në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, me libra të dhuruar nga bibliotekat qytetare të Torinos. Ambasadori i Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini, vlerësoi se ky donacion përbën një kontribut të rëndësishëm në shkëmbimin kulturor ndërmjet Italisë dhe Kosovës. “Jemi jashtëzakonisht mirënjohës…
Lajme
Ambasada e Italisë në Prishtinë përuroi hapësirën e dedikuar librave në gjuhën italiane në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, me libra të dhuruar nga bibliotekat qytetare të Torinos.
Ambasadori i Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini, vlerësoi se ky donacion përbën një kontribut të rëndësishëm në shkëmbimin kulturor ndërmjet Italisë dhe Kosovës.
“Jemi jashtëzakonisht mirënjohës për këtë donacion librash për Bibliotekën Kombëtare të Prishtinës, i cili përbën një kontribut jashtëzakonisht të vlefshëm për shkëmbimin kulturor ndërmjet Italisë dhe Kosovës. Java e Gjuhës Italiane në Botë është një mundësi e rëndësishme për të kremtuar gjuhën tonë dhe trashëgiminë e saj kulturore, duke promovuar njëkohësisht dialogun dhe shkëmbimin ndërmjet kulturave të ndryshme”, tha ambasadori Antonini.
Ndërsa, drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova-Gaxha, tha se donacioni i librave nga bibliotekat qytetare të Torinos krijojnë mundësi të reja për lexuesit, studentët dhe studiuesit që të njihen më afër me gjuhën dhe kulturën italiane.
“Dua të shpreh mirënjohjen time për Ambasadën e Italisë në Kosovë për bashkëpunimin, si dhe Bibliotekat e Torinos për donacionin e çmuar të librave, i cili mundëson krijimin e këndit italian në hapësirën që ne e kemi konceptuar si sallë të letërsisë së huaj. Ky kontribut pasuron fondin tonë bibliotekar, por mbi të gjitha krijon edhe mundësi të reja për lexuesit, studiuesit, studentët dhe për ata që duan ta njohin më afër gjuhën, kulturën dhe letërsinë italiane”, tha Rogova-Gaxha.