Përplasje mes Haxhiut dhe Lushtakut në Kuvend, kryeparlamentarja ia kujton akuzat dhe incidentin e kaluar
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, është përplasur verbalisht me deputetin e PDK-së, Mërgim Lushtaku, gjatë seancës së Kuvendit, duke rikujtuar disa nga përplasjet e mëparshme mes tyre. Haxhiu tha se në një seancë të mbajtur rreth orës 22:00, ajo dhe deputetja Arbërie Nagavci ishin akuzuar nga Lushtaku se kishin ardhur të dehura në…
Lajme
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, është përplasur verbalisht me deputetin e PDK-së, Mërgim Lushtaku, gjatë seancës së Kuvendit, duke rikujtuar disa nga përplasjet e mëparshme mes tyre.
Haxhiu tha se në një seancë të mbajtur rreth orës 22:00, ajo dhe deputetja Arbërie Nagavci ishin akuzuar nga Lushtaku se kishin ardhur të dehura në Kuvend.
“Unë jam akuzuar bashkë me Arbërie Nagavcin nga deputeti Lushtaku që kemi ardhur në Kuvend të dehura. E di çka do të thotë kjo, zoti Lushtaku? Kjo do të thotë që ti po e poshtëron një grua, pra ka qenë shpifje, që po e poshtëron një grua, që po e denigron një grua në baza gjinore”, deklaroi Haxhiu.
Ajo e cilësoi këtë deklaratë si cenim të dinjitetit të grave dhe tha se fjalët e deputetëve në Kuvend mund të ndikojnë edhe në sjelljen e qytetarëve jashtë institucioneve.
Haxhiu rikujtoi gjithashtu incidentin e mëparshëm fizik në Kuvend, duke pretenduar se krahët e saj kishin qenë të mavijosur pas përplasjes me Lushtakun.
“Po mua s’më ka thirrur prokuroria! Mua nuk më ka thirrur prokuroria! Prandaj, çfarëdo veprimi ne bëjmë këtu në këtë seancë, duhet tepër të kemi kujdes, sepse shumë besoj që i inkurajojmë njerëzit jashtë kësaj salle për me ndërmarrë veprime të tilla”, tha ajo.
Gjatë debatit, Haxhiu iu përgjigj edhe Lushtakut lidhur me sjelljen e saj, duke i thënë se nuk kishte nevojë për ndihmën e tij.
“Ujin nuk ma jep, zotëri! Ujin nuk ma jep! Unë ujin e marr me dorën teme, se për ty s’kam nevojë”, u shpreh kryeparlamentarja.
Pas këtyre deklaratave, Lushtaku iu afrua Haxhiut dhe të dy shkëmbyen fjalë përballë njëri-tjetrit. /Lajmi.net/