“E papranueshme”, Dafina Zeqiri zbulon mesazhet që ka marrë nga gratë pas rastit të Arlindës
Këngëtarja Dafina Zeqiri ka reaguar sërish pas rastit tragjik të Arlinda Sylaj – Zekajt, duke ndarë shqetësimin për përvojat e grave që pretendojnë se kanë kërkuar ndihmë nga institucionet për shkak të dhunës, por nuk kanë gjetur mbështetjen e duhur. Përmes një postimi në rrjetet sociale, artistja ka treguar se reagimi i saj për Arlindën…
ShowBiz
Këngëtarja Dafina Zeqiri ka reaguar sërish pas rastit tragjik të Arlinda Sylaj – Zekajt, duke ndarë shqetësimin për përvojat e grave që pretendojnë se kanë kërkuar ndihmë nga institucionet për shkak të dhunës, por nuk kanë gjetur mbështetjen e duhur.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, artistja ka treguar se reagimi i saj për Arlindën ka nxitur shumë gra t’i shkruajnë privatisht dhe t’i tregojnë për rastet e tyre.
Sipas saj, disa prej tyre i kanë dërguar edhe dokumente që lidhen me denoncimet e bëra në Policinë e Kosovës.
Foto: Screenshot/Instagram
Dafina ka bërë të ditur se këto gra kanë raportuar se janë paraqitur disa herë në polici për të kërkuar ndihmë për dhunë fizike dhe abuzim nga partnerët, por, sipas mesazheve që ajo ka pranuar, nuk kanë marrë mbështetjen që kanë pritur.
Këngëtarja e ka cilësuar këtë situatë si të papranueshme, duke kërkuar që institucionet përgjegjëse t’i trajtojnë me seriozitet denoncimet dhe të kuptojnë peshën e përgjegjësisë që kanë kur bëhet fjalë për sigurinë dhe jetën e qytetarëve.
Në reagimin e saj, ajo ka kundërshtuar edhe tendencën për ta konsideruar dhunën në familje si një çështje që duhet të mbetet brenda mureve të shtëpisë.
Sipas Dafinës, rastet e tilla nuk mund të justifikohen si probleme private, pasi bëhet fjalë për dhunë dhe vepra që kërkojnë trajtim serioz.
Përveç kërkesës për reagim institucional, artistja ka vënë në pah edhe rëndësinë e edukimit të djemve që në fëmijëri, duke theksuar se respekti ndaj grave duhet të mësohet dhe të kultivohet që në familje.
Si nënë e një djali dhe në pritje të një fëmije tjetër, Dafina e ka cilësuar këtë si një përgjegjësi të rëndësishme, duke bërë thirrje që fëmijët të rriten me vlera që promovojnë respektin, dashurinë dhe dinjitetin.
