Ku mbetën hallkat elektronike për dhunuesit e grave që promovoheshin nga Qeveria Kurti? Gjykatësi tha që burri mos t’i afrohet dy metra Arlindes brenda shtëpisë

Arlinda Zekaj, është viktima tjetër e dhunës në familje që përfundoi me vrasje mizore nga goditjet e sëpatës të cilat ia dha kunati i saj, Albert Sylaj. Ajo u vra dje nga kunati i saj, Albert Sylaj në shtëpinë që ishte pronë e përbashkët e saj dhe bashkëshortit të saj Jetonit, i cili pak orë…

Lajme

26/10/2026 16:31

Arlinda Zekaj, është viktima tjetër e dhunës në familje që përfundoi me vrasje mizore nga goditjet e sëpatës të cilat ia dha kunati i saj, Albert Sylaj.

Ajo u vra dje nga kunati i saj, Albert Sylaj në shtëpinë që ishte pronë e përbashkët e saj dhe bashkëshortit të saj Jetonit, i cili pak orë më parë u arrestua për dhunë ndaj saj.

Arlinda Zekaj i mbylli sytë përgjithmonë pasi kërkoi ndihmë nga të gjitha institucionet e rendit, ndihmë e cila nuk iu ofrua.

Ajo biles tri ditë para se të vritej, me një letër dërguar Kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë i tregoi hapur se e kishte jetën e rrezikuar, por asaj nuk iu bë asnjë zgjidhje.

Në një vendim të Gjykatës Themelore në Pejë, bashkëshortit të saj, Jetonit iu caktua që t’i qëndronte dy metra larg saj, ndonëse të dy jetonin brenda të njëjtës shtëpi. Kërkesa e gjykatësit të Pejës ishte krejtësisht pa sens, pasi dyshja jetonin në shtëpinë e njëjtë të ndërtuar pas kthimit nga Amerika dhe ku më pas krejt papritur ishin vendosur të jetonin edhe vjehrra dhe kunati.

Qëndrimi i tyre në të njëjtën shtëpi nuk i ndihmoi Arlindës, pasi që ishte ai që pak orë para se Arlinda të vritej nga vëllai i tij, ta dhunonte atë e më pas të arrestohej nga Policia për dhunë në familje.

Sistemi i hallkave elektronike për monitorimin e dhunuesve në Kosovë u lançua zyrtarisht më 10 dhjetor 2024 nga Qeveria e Kosovës

Kësisoj parashihej që vendosja e hallkës të bëhet në këmbë ose në dorë të personit të dënuar apo të dyshuar për dhunë në familje.

“Nëse personi i dyshuar i afrohet viktimës brenda zonës së ndaluar nga gjykata, një sinjal alarmi dërgohet automatikisht në nivelin lokal dhe atë qendror të Policisë së Kosovës.”

Për kryesit e dhunës dhe të dyshuarit që iu ndalohet të qëndrojnë afër viktimave, Qeveria, saktësisht kryeministri Kurti dikur kishte premtuar se do të funksionalizonin hallkat për monitorim elektronik.

Kurti në 2024-ën kishte thënë se mbikëqyrja elektronike që do të hynte në fuqi menjëherë, do të vlente për secilin individ sapo të ketë vendim të Gjykatës për urdhër-mbrojtjeje.

“Ka qenë kërkesë e kamotshme që policia jonë, për të pasur parandalim më efikas, hetime më të mira dhe trajtime më gjithëpërfshirëse, të kalojë edhe në këtë fazë të hallkave për monitorim elektronik”.

Hallka siç kishte njoftuar Kurti dy vite më parë do të vendoset në këmbën ose dorën e dhunuesit, ose të personit të dyshuar, ndërsa viktimat dhe autoritetet do t’i kenë gjurmuesit.

Nëse viktimës i afrohet i dyshuari në zonën që ia ndalon gjykata, sinjali u shkon me automatizëm nivelit lokal dhe qendror të policisë, dhe nisin procedurat standarde për ndërhyrje.

“Problemet më të mëdha i kemi për shkak se nuk respektohen urdhrat mbrojtës. Defekti nuk është thjesht te mungesa e hallkave për monitorim elektronik, por te mosrespektimi i urdhrave mbrojtës. Meqenëse ka të tillë që do të vazhdojnë me mosrespektim të urdhrave mbrojtës, ne kemi bërë një hap gjigant për mbikëqyrje të të gjithë këtyre personave”, kishte thënë Kurti.

Por, a pati hallkë për Jeton Sylajn?

Ai pavarësisht urdhrit të mbrojtjes së Gjykatës, nuk qëndroi dy metra larg Arlinda Zekajn, duke e sulmuar atë pak orë para se të vritej.

Arlinda Zekaj dje u godit me sëpatë nga kunati i saj, e si për pasojë nuk arriti t’i shpëtoj plagëve të marra që i sollën vdekjen.

Prokuroria Themelore në Pejë, përmes një konference për media ka njoftuar se kanë nisur hetimet për të gjithë zyrtarët e përmendur nga Arlinda Zekaj. Sipas zëdhënësit të kësaj Prokurorie, Shkodran Nikçit viktima kishte pretenduar në një parashtresë se një zinxhir zyrtarësh e kishin neglizhuar rastin e saj.

Nikçi në një konferencë për media ka bërë të ditur se parashtresa ishte pranuar nga kryeprokurorja. Ai ka thënë se në paragrafin e parë, Zekaj kishte ngritur pretendime për neglizhencë institucionale, për të cilat, sipas tij, janë iniciuar hetime.

Duke folur për pjesën tjetër të parashtresës, ai ka thënë se viktimës i ishte njohur e drejta e shfrytëzimit të pronës. Sipas Nikçit, vendimi gjyqësor përfshinte edhe urdhrin që bashkëshorti të mos i afrohej brenda distancës prej 2 metrash.

Ai ka deklaruar se vendimi ishte ekzekutuar të enjten, në praninë e policisë, ndërsa disa orë më vonë kishte ndodhur një konflikt.

Sipas zëdhënësit të Prokurorisë, viktimës i ishte kërkuar të mos shkonte në atë shtëpi, pasi mund t’i rrezikohej siguria.

Nikçi ka shtuar se ishin ftuar edhe 2 vëllezërit e saj, që ta bindnin të qëndronte në shtëpinë e tyre derisa të gjendej një zgjidhje

“Ne si Prokurori me 22 tetor, përkatësisht Kryeprokurorja ka pranuar një parashtresë nga viktima, e cila ka qenë tri çështje të ngritura. Në paragrafin e parë sipas viktimës ka pas pretendime se një zinxhir zyrtarësh ka neglizhuar rastet dhe njëkohësisht nuk i kanë trajtuar sipas detyrës zyrtare. Menjëherë, kryeprokurorja ka hapur rast në departamentin e Krimeve të Rënda, ka autorizuar prokurorin e krimeve të rënda të ndërmarr veprime lidhur me pretendimet e viktimës, në mënyrë që të vërtetohet secili veprim i secilit zyrtar lidhur me keqpërdorimin e detyrës zyrtare.  Paragrafi i dytë ka qenë ekzekutimi i një vendimi gjyqësor, ku sipas një vendimi të nxjerr me datën 18 tetor, viktima ka kërkuar të ekzekutohet ky vendim  ku ka pasur të ekzekutohet vendimi ku i është njohur e drejta e pronësisë dhe shfrytëzimit të pronës barabartë me ish-bashkëshortin e saj dhe ka pas një urdhërmbrojtje që viktimës të mos i afrohet bashkëshorti më afër se dy metra.  Siç e dini, vendimet e Gjykatës, janë kompetencë e Policisë dhe Gjykatës por Policia ka njoftuar prokurorin kujdestar, dhe me asistimin e tij kanë ekzekutuar këtë vendim. Ndër veprimet e para të kryeprokurores ka qenë që të hapet hetim zyrtar për të gjithë zyrtarët kompetentë të institucioneve relevante të cilat i trajtojnë këto raste, dhe kanë qenë pretendime të viktimës dhe ven dim ik i dytë ka qenë i prokurores kujdestare të asistoj në realizimin e këtij vendimi”, ka thënë Nikçi.

Ai ka treguar edhe hapat që kanë marrë për të mos rrezikuar jetën e viktimës.

“Më 22 tetor viktima ka shkuar që të ekzekutohet vendimi bashkë me Policinë. Disa orë ka pas në Polici që ka pas mosmarrëveshje brenda shtëpisë. Prokurorja kujdedstar eka shkuar në vendngjarje dhe kan ë ardh në përfundim që shëndeti dhe jeta e viktimës janë në rrezik, dhe kanë kërku nga viktima që për momentin të mos shkoj në atë shtëpi dhe njëkohësisht janë munduar ta bindin që për momentin të mos qëndroj në atë shtëpi. Viktima kategorikisht ka kundërshtuar që të mos shkoj në shtëpi, vëllezërit e saj janë ftuar nga kryeprokurorja dhe kanë qëndruar deri në ora 2 të natës duke e bindur viktimën  të shkoj te shtëpia e familjes. Kryeprokurorja ka kërkuar nga institucionet të veprojnë urgjentisht të gjitha që të bëhet zgjidhje në mënyrë urgjente. Ato e kanë vlerësuar se qëndrimi i viktimës në atë ambient nuk është i sigurtë. Viktima ka pranuar që natën e 23 tetorit të shkoj te vëllezërit e saj, mirëpo ka kërkuar shënim zyrtar mbi arsyet pse ajo nuk mund të shkoj te shtëpia e saj që ka qenë pasuria e saj dhe djali i saj jetonte bashke me ish-bashkëshortin”, ka thënë Nikçi.

Ai ka thënë se viktima ka qëndruar një natë te vëllezërit e saj, të nesërmen prokurorja kujdestare ka autorizuar Policinë që një patrullë policore të monitoroj vendbanimin e tyre dhe të pyes viktimën për situatën.

“Natën e mbrëmshme është raportuar për dhunë në familje në vendbanimin e saj dhe ish bashkëshortit. Ish-bashkëshorti dhe viktima janë shoqëruar në stacion, janë intervistuar dhe ish-bashkëshorti është ndaluar për 48 orë.  Viktima është rekomanduar të shkoj në strehimore, ajo ka kundërshtuar kategorikisht. Policia e ka shoqëruar në shtëpi, ajo me të hyrë në shtëpi është sulmuar nga ish-kunati i saj me një mjet të fortë dhe ka pësuar lëndime fatal.e për jetën e saj, ku më pas Policia ka dal në vendngjarje, kryeprokurorja dhe prokurorja e krimeve të rënda I dyshuari është në arrati dhe po punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij.  Si prokurori i kemi marrë të gjitha veprimet e parapara dhe i kemi kërkuar institucionet të veprojnë urgjentisht.”, ka shtuar Nikçi.

Çfarë thonin ministrat për hallkën elektrnike?

Ministrja e Drejtësisë asokohe, Albulena Haxhiu, ka thënë se dhuna në familje nuk është çështje private, është përgjegjësi e institucioneve, andaj pret veprime serioze nga prokuroria dhe gjykatat.

Sipas Haxhiut, dënimet e buta vetëm mund t’i inkurajojnë dhunuesit.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, deklaronte se hallkat për mbikëqyrje do të përdoren edhe për parandalim të veprave tjera penale, mirëpo parësor do të jetë parandalimi i përsëritjes së dhunës ndaj grave.

Kurse shefi i Policisë, Gazmend Hoxha, ka thënë se policia e ka pasur obligim zbatimin e ligjit ekzistues dhe një gjë e tillë është mundësuar pasi Qeveria ka ndarë buxhet të veçantë, pa përmendur shifrën.

Nga viti 2010, në Kosovë janë vrarë 67 gra.

Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në disa raste, kanë fajësuar autoritetet për dështim në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna.

Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë./Lajmi.net/