Haxhiu kërkon hetim për vrasjen e gruas në Vitromiricë: Duhet të sqarohet çdo veprim dhe mosveprim i mundshëm institucional
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas lajmit për vrasjen e rëndë në Vitromiricë të Pejës. Kryekuvendarja Haxhiu deklaroi se është e tronditur thellësisht nga vrasja e Arlinda Zekajt mbrëmë në Vitomiricë të Pejës. Arlinda u vra pak minuta pasi ishte kthyer në shtëpi nga stacioni policor, ku kishte denoncuar dhunën në…
Lajme
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas lajmit për vrasjen e rëndë në Vitromiricë të Pejës.
Kryekuvendarja Haxhiu deklaroi se është e tronditur thellësisht nga vrasja e Arlinda Zekajt mbrëmë në Vitomiricë të Pejës. Arlinda u vra pak minuta pasi ishte kthyer në shtëpi nga stacioni policor, ku kishte denoncuar dhunën në familje.
“Tri ditë më parë, ajo i kishte shkruar Prokurorisë në Pejë: “Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”,deklaroi Haxhiu, transmeton lajmi.net.
“Këto rrethana kërkojnë hetim të plotë. Kur një femicid ndodh pasi viktima ka kërkuar mbrojtje, hetimi duhet të shkojë përtej vrasjes dhe të përfshijë mënyrën se si janë trajtuar denoncimet e saj, si është vlerësuar rreziku dhe çfarë masash janë ndërmarrë për mbrojtjen e saj. Duhet të sqarohet çdo veprim dhe mosveprim i mundshëm institucional dhe, aty ku vërtetohen shkelje, të përcaktohet përgjegjësia përkatëse”,shtoi ajo.
Haxhiu deklaroi se në kuadër të përgjegjësive mbikëqyrëse të Kuvendit, do të kërkoj që komisionet përkatëse parlamentare të shqyrtojnë funksionimin e mekanizmave për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe parandalimin e femicidit, me theks të veçantë te vlerësimi i rrezikut dhe bashkërendimi ndërinstitucional.
“Është përgjegjësia jonë të sigurohemi që ligjet që miratojmë të zbatohen dhe që mangësitë të trajtohen para se të kushtojnë jetë të tjera”,deklaroi ajo.
Haxhiu u shprehu ngushëllime djalit të Arlindës dhe të gjithë të afërmve të saj ./Lajmi.net/