Vuçiq përballet me sfidën më të madhe zgjedhore mes shqetësimeve për parregullsi të mundshme
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi, të cilat do të mbahen më 25 tetor, shihen nga shumëkush si sprova më e madhe deri më tani për liderin populist Aleksandar Vuçiq. Në një klimë të përçarjeve të thella dhe tensioneve shoqërore, Partia Përparimtare Serbe (SNS) e Vuçiqit synon ta ruajë pushtetin pas protestave masive kundër Qeverisë…
Lajme
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi, të cilat do të mbahen më 25 tetor, shihen nga shumëkush si sprova më e madhe deri më tani për liderin populist Aleksandar Vuçiq.
Në një klimë të përçarjeve të thella dhe tensioneve shoqërore, Partia Përparimtare Serbe (SNS) e Vuçiqit synon ta ruajë pushtetin pas protestave masive kundër Qeverisë në mbarë vendin.
Sfiduesi kryesor i saj është një lëvizje studentore, e cila u shfaq pas një vale protestash që kanë zgjatur prej dy vjetësh kundër korrupsionit.
“Këto janë zgjedhjet e para në më shumë se një dekadë, rezultati i të cilave është vërtet shumë i pasigurt”, tha për Radion Evropa e Lirë (REL) Vladimir Bilçik, ish-raportues i Parlamentit Evropian për Serbinë.
Vuçiq dha dorëheqje nga posti i presidentit në fund të shtatorit, duke i hapur rrugë vetes për të hyrë në garë për kryeministër.
Sondazhet e deritanishme tregojnë se elektorati në Serbi është kryesisht i ndarë mes atyre që mbështesin një koalicion të gjerë të ndërtuar rreth partisë në pushtet dhe atyre që përkrahin lëvizjen studentore.
Studentët nuk kanë udhëheqës formalë, ndërsa lista e tyre zgjedhore përbëhet nga figura jopartiake, shumica prej të cilave janë profesorë universitarë.
Në zgjedhje marrin pjesë gjithsej 18 lista, përfshirë dy koalicione opozitare që deri më tani kanë pasur vende në Parlament, një proevropian dhe tjetri i krahut të djathtë, me qëndrime euroskeptike.
Gara do të zhvillohet për 250 vende në Parlamentin serb. Për të fituar mandate, listat duhet t’i sigurojnë të paktën 3 për qind të votave. Nëntë listat e pakicave përjashtohen nga pragu i zakonshëm zgjedhor dhe duhet ta kalojnë një prag më të ulët.
Vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë kanë paralajmëruar për abuzime të mundshme nga autoritetet, pas raportimeve për presion ndaj votuesve dhe parregullsi në vendvotime gjatë zgjedhjeve të mëparshme, në vitin 2023.Qeveria thotë se që atëherë i ka zbatuar të gjitha rekomandimet e bëra nga misioni i vëzhgimit të zgjedhjeve i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Megjithatë, hulumtimet e Radios Evropa e Lirë kanë zbuluar parregullsi që në fazën e parë të procesit zgjedhor: në listën e votuesve.
Zgjedhjet po mbahen gjithashtu në një kohë kur janë ngritur akuza për përgjim të paligjshëm dhe arrestime të kundërshtarëve të Qeverisë, ndërsa Vuçiq ka forcuar kontrollin e tij mbi shërbimet e sigurisë gjatë 14 vjetëve në pushtet.
Mes Lindjes dhe Perëndimit
Zgjedhjet po mbahen vetëm pak ditë para përvjetorit të dytë të tragjedisë në Novi Sad.
Vdekja e 16 personave, pas shembjes së një strehe të saporinovuar në stacionin hekurudhor të këtij qyteti, më 1 nëntor 2024, nxiti protesta kundër Qeverisë në mbarë vendin. Të udhëhequr nga studentët, protestuesit kërkuan përgjegjësi dhe i akuzuan autoritetet për korrupsion.
Qeveria i ka hedhur poshtë vazhdimisht këto akuza, megjithëse disa zyrtarë, përfshirë dy ministra, u arrestuan ose dhanë dorëheqje pas tragjedisë. Procedurat gjyqësore për përcaktimin e përgjegjësisë për shembjen ende nuk kanë përfunduar.
Protestat u shoqëruan me përleshje, dhunë policore dhe arrestime. Vuçiqi, i cili në atë kohë ishte ende president, e hodhi poshtë për një vit të plotë kërkesën e studentëve për zgjedhje të parakohshme.
Ai i hodhi poshtë akuzat për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar dhe, pa paraqitur prova, pretendoi se protestat organizoheshin dhe financoheshin nga jashtë, si dhe kontrolloheshin nga shërbime të paidentifikuara të inteligjencës së huaj.
Ai i cilësoi ato si një “përpjekje për revolucion me ngjyra”, term që përdoret nga Kremlini për të diskredituar lëvizjet pro demokracisë që sfidojnë qeveritë autoritare në ish-republikat sovjetike.
Një nga incidentet më serioze ndodhi gjatë një proteste më 15 mars 2025, kur autoritetet dyshohet se përdorën një armë zanore në mënyrë të paligjshme kundër protestuesve paqësorë, sipas opozitës dhe ekspertëve vendorë e ndërkombëtarë.
Mohimet e Vuçiqit se ishte përdorur një armë e tillë u mbështetën nga Moska zyrtare.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka shprehur personalisht mbështetjen e tij për Vuçiqin para zgjedhjeve.
Flamuj të Serbisë dhe BE-së të vedosura në Beograd. Fotografi ilustruese nga arkivi.
SHIKONI EDHE:
Brukseli qorton Beogradin që u jep shtetësi rusëve me procedurë të përshpejtuar
Disa ligjvënës amerikanë kanë paralajmëruar se Moska mund të luajë rol aktiv në zgjedhjet në Serbi, ndërsa edhe Parlamenti Evropian ka ngritur shqetësime për operacionet e ndikimit rus në vend. Beogradi mban lidhje të ngushta me Kremlinin.
“Rusia po vë në dispozicion burimet, taktikat dhe metodat e saj më të mira për të monitoruar, shtypur dhe penguar qytetarët e Serbisë, si dhe lëvizjen e fuqishme studentore që dëshiron të rivendosë sundimin e ligjit në vend”, tha për REL-in kongresisti republikan Joe Wilson.
Përveç Rusisë, furnizuesit kryesor të Serbisë me gaz, Vuçiqi është përpjekur t’i forcojë lidhjet me Kinën, një investitor i madh në vend, duke ruajtur njëkohësisht synimin e kahershëm për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ai është përpjekur gjithashtu t’i përmirësojë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin.
Gjatë fushatës zgjedhore, Vuçiqi u zotua se do ta vazhdojë këtë kurs të politikës së jashtme, përfshirë refuzimin për t’iu përgjigjur thirrjeve të BE-së për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Lëvizja studentore e ka përqendruar fushatën te lufta kundër korrupsionit, duke e lënë politikën e jashtme në plan të dytë.
Megjithatë, studentët kanë kundërshtuar sanksionet ndaj Rusisë dhe e kanë përsëritur mbështetjen për qëndrimin zyrtar të Beogradit, i cili refuzon ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Në një dokument të publikuar në maj, ata thanë se “ruajtja e Kosovës është emëruesi i përbashkët i të gjitha përpjekjeve të tyre”.
Ish-presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë një tubimi të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në pushtet, në prag të zgjedhjeve parlamentare, në Beograd, Serbi, më 3 tetor 2026.
SHIKONI EDHE:
Kosova në fushatën zgjedhore në Serbi: Retorikë nacionaliste, pak zgjidhje konkrete
“Kjo tregon se edhe studentët nuk janë në gjendje t’i shpëtojnë kurthit të politikës nacionaliste të Serbisë, e cila ndërtohet mbi mitin e Kosovës”, tha në atë kohë për REL-in profesori nga Beogradi, Zarko Korac.
Ndërkohë, procesi i integrimit të Serbisë në BE ka ngecur, duke e lënë vendin, i cili dikur ishte ndër kandidatët kryesorë së bashku me Malin e Zi, ndër vendet e fundit në këtë rrugë.
Që nga fundi i vitit 2021 nuk është hapur asnjë kapitull i ri në negociatat për anëtarësimin e Serbisë në BE.
Rënia e standardeve demokratike, marrëdhëniet e pazgjidhura me Kosovën dhe, mbi të gjitha, refuzimi i Serbisë për të vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës, janë ndër arsyet kryesore të bllokimit të procesit.
Një grup dypartiak senatorësh amerikanë u ka bërë thirrje autoriteteve serbe të sigurojnë kushte të barabarta për të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje, duke iu referuar “shenjave shqetësuese” para votimit të 25 tetorit.
Një deklaratë e publikuar më 21 tetor nga Komiteti i Senatit për Marrëdhënie me Jashtë përmendi raportimet për përgjim të paligjshëm të anëtarëve të opozitës dhe përpjekjet për të diskredituar e penguar misionet e vëzhgimit të zgjedhjeve.
Një analizë e pavarur forenzike, e kryer nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, ka konfirmuar gati 20 raste të përdorimit të programeve të paligjshme të përgjimit që nga fillimi i vitit 2026.
Dokumentet për blerjet kanë rrjedhur në të ashtuquajturin “dark net” (Ilustrim).
Autoritetet kanë hedhur poshtë gjithashtu akuzat për mungesë të kushteve të barabarta në zgjedhje, presion ndaj votuesve dhe punonjësve të sektorit publik, keqpërdorim të burimeve publike, mbulim të pabarabartë mediatik dhe probleme me listën e votuesve. Këto çështje u theksuan nga misioni i vëzhgimit të zgjedhjeve i OSBE-së pas votimit të vitit 2023.
Qeveria pretendon se i ka zbatuar të gjitha rekomandimet e bëra nga Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), përmes ndryshimeve në katër ligje zgjedhore.
Megjithatë, katër punonjës të institucioneve që veprojnë nën autoritetin e Beogradit zyrtar në Kosovë i kanë thënë REL-it se po përballen me presion për të votuar për partinë në pushtet në zgjedhjet e 25 tetorit.
Ata pranuan të flasin me kusht që të mos u publikohej identiteti.
Vëzhguesit vendorë të zgjedhjeve kanë dokumentuar praktika të ngjashme në vendet e punës në disa komuna të Serbisë.
ODIHR-i ka angazhuar më shumë se 300 vëzhgues për zgjedhjet.
Në raportin e tij të ndërmjetëm, të publikuar para votimit të 25 tetorit, misioni tha se disa nga rekomandimet e tij ende nuk ishin zbatuar, përfshirë ato që lidhen me saktësinë e listës së votuesve. Në raport u vunë në dukje numra jashtëzakonisht të lartë votuesish të regjistruar në disa komuna dhe në adresa të caktuara.
“Raporti i ndërmjetëm mbulon disa nga çështjet për të cilat po dëgjojmë, si dhe ato që mund t’i shqyrtojmë më hollësisht dhe të vazhdojmë t’i monitorojmë. Po i qasemi këtij procesi praktikisht nga e para, pa pasur paraprakisht ndonjë përfundim të paracaktuar”, tha për REL-in Thomas Rymer, zyrtar i misionit të OSBE-së/ODIHR-it.
Autoritetet thonë se lista e votuesve, e cila përmban rreth 6.5 milionë persona me të drejtë vote, është “më e përditësuara ndonjëherë”.
Por REL-i zbuloi se më shumë se 500.000 persona të regjistruar në listë nuk kishin një adresë të saktë të shënuar, që do të thotë se adresave të tyre të regjistruara u mungonte emri i rrugës ose numri i shtëpisë.
REL-i zbuloi gjithashtu se qindra votues ishin regjistruar në objekte publike, përfshirë qendra të punës sociale, si dhe në shtëpi ku nuk mund të banonin aq shumë persona.
Këto gjetje kanë tërhequr vëmendjen e publikut, pasi vëzhguesit vendorë dhe ndërkombëtarë kanë ngritur më parë dyshime se autoritetet organizuan “migrimin masiv” të votuesve: qytetarë serbë nga vendet fqinje, të cilët dyshohet se u regjistruan në adresa në Serbi për të fituar të drejtën e votës atje, duke i sjellë potencialisht përfitime partisë në pushtet.
Autoritetet i kanë hedhur poshtë këto akuza.
Në të njëjtën kohë, hulumtimet e REL-it zbuluan se numri i personave me të drejtë vote në zgjedhjet serbe në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë ishte rritur para votimit.
Në të dyja këto vende, serbët etnikë konsiderohen një bazë e rëndësishme mbështetjeje për partinë e Vuçiqit.
Ndërkohë, votimi është bërë më i vështirë për pjesën tjetër të diasporës serbe.
Pavarësisht një numri rekord të personave që u regjistruan për të votuar jashtë vendit, tri herë më shumë sesa në zgjedhjet e mëparshme, autoritetet refuzuan kërkesat për hapjen e vendvotimeve në dhjetëra qytete, pa dhënë shpjegime.
Për këtë arsye, disa votues do të duhet të udhëtojnë mijëra kilometra për ta ushtruar të drejtën e votës. Një tjetër ndërlikim është se vendvotimet do të funksionojnë sipas orës së Serbisë, që do të thotë se në disa pjesë të botës ato do të mbeten të hapura deri vonë gjatë natës.
Këto do të jenë zgjedhjet e gjashta parlamentare që nga ardhja në pushtet e Partisë Përparimtare Serbe (SNS), në vitin 2012. Vuçiqi e themeloi këtë parti pasi u nda nga Partia Radikale Serbe e ekstremit të djathtë, e udhëhequr nga Vojislav Shesheli, i cili u dënua për krime lufte nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY). Partia e Sheshelit tani e mbështet SNS-në.
Që atëherë, SNS-ja i ka fituar të gjitha zgjedhjet.
Gjatë dekadës së fundit, Serbia ka shënuar rënie të lirive, një prirje që theksohet edhe në raportin më të fundit të organizatës ndërkombëtare mbikëqyrëse Freedom House.
Raporti e rendit Serbinë ndër vendet që kanë përjetuar rëniet më të theksuara të nivelit të lirive.