​Punëtorët teknikë vazhdojnë grevën në Prishtinë, paralajmërohet edhe grevë tërëditore

Punëtorët teknikë të shkollave fillore dhe të mesme në Prishtinë do ta vazhdojnë grevën deri në realizimin e kërkesave. Për javën e ardhshme është paralajmëruar edhe një grevë tërëditore, nëse nuk ka reagim nga komuna. Kështu ka njoftuar Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës. Sipas njoftimit, kryetari i Sindikatës së Sektorit…

Lajme

21/10/2026 11:53

Punëtorët teknikë të shkollave fillore dhe të mesme në Prishtinë do ta vazhdojnë grevën deri në realizimin e kërkesave. Për javën e ardhshme është paralajmëruar edhe një grevë tërëditore, nëse nuk ka reagim nga komuna.

Kështu ka njoftuar Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës.

Sipas njoftimit, kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat ka diskutuar me përfaqësues të kompanive dhe të shoqatave të shkollave. Në fokus ishte gjendja e punëtorëve teknikë dhe mundësia e zgjidhjes së problemeve të tyre.

Përfaqësuesit e kompanive kanë deklaruar se janë në borxhe për shkak të faturave të papaguara nga Komuna e Prishtinës. Sipas tyre, pagesat janë vonuar nga 2 deri në 3 muaj.

Federata ka bërë të ditur se problemet e punëtorëve teknikë vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura.

“Për shkak të moszgjidhjes së këtyre problemeve, greva e punëtorëve teknikë do të vazhdojë deri në gjetjen e një zgjidhjeje dhe realizimin e kërkesave të tyre”, thuhet në njoftim.

Gjatë komunikimit me kryetarët e shoqatave të shkollave është arritur pajtim për grevën tërëditore gjatë javës së ardhshme. Kjo do të mbahet nëse nuk ka reflektim nga Komuna e Prishtinës.