E rrahën dhe e keqtrajtuan për orë të tëra, 12 të mitur dyshohen për sulmin ndaj 14-vjeçarit në Gjermani – mes tyre edhe shqiptarë
Një rast i rëndë i dhunës ndaj të miturve në qytetin Neubrandenburg të Gjermanisë ka tronditur opinionin publik, pasi një 14-vjeçar dyshohet se është rrahur dhe keqtrajtuar për disa orë nga një grup fëmijësh dhe adoleshentësh. Policia gjermane ka identifikuar 12 persona të dyshuar për përfshirje në ngjarje, të moshës nga 9 deri në 15…
Lajme
Një rast i rëndë i dhunës ndaj të miturve në qytetin Neubrandenburg të Gjermanisë ka tronditur opinionin publik, pasi një 14-vjeçar dyshohet se është rrahur dhe keqtrajtuar për disa orë nga një grup fëmijësh dhe adoleshentësh.
Policia gjermane ka identifikuar 12 persona të dyshuar për përfshirje në ngjarje, të moshës nga 9 deri në 15 vjeç. Sipas autoriteteve, në mesin e tyre ka edhe persona me prejardhje shqiptare.
Ngjarja ka ndodhur në qytetin Neubrandenburg, në landin Mecklenburg-Vorpommern, ndërsa sulmi dyshohet se është filmuar nga disa kënde. Pamjet kanë qarkulluar për një kohë edhe në rrjetet sociale.
Sipas hetimeve, disa nga të dyshuarit dyshohet se kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në dhunën ndaj 14-vjeçarit, ndërsa të tjerë e kanë filmuar incidentin. Në mesin e personave të identifikuar, sipas autoriteteve gjermane, ka shtetas gjermanë, shqiptarë, tunizianë dhe persona me prejardhje gjermano-turke.
Fillimisht, policia kishte njoftuar se viktima kishte pësuar lëndime të lehta. Megjithatë, pas një vlerësimi të mëtejshëm mjekësor, gjendja e tij u klasifikua si lëndim i rëndë dhe ai u dërgua në spital për trajtim.
Sipas të dhënave të publikuara nga policia, gjatë sulmit ndaj të miturit dyshohet se janë përdorur grushte, shqelma dhe sende të ndryshme, ndërsa atij i janë shkaktuar edhe djegie.
Gjatë hetimeve, autoritetet kanë sekuestruar telefonat e personave të dyshuar. Në to janë gjetur materiale filmike që kanë ndihmuar në zbardhjen e rastit dhe në përcaktimin e rolit të secilit prej tyre.
Policia kriminale në Neubrandenburg po e heton rastin për vepra të dyshuara penale, përfshirë lëndimin e rrezikshëm trupor, detyrimin dhe fyerjen. Për arsye hetimore, autoritetet nuk kanë dhënë hollësi të tjera lidhur me personat që dyshohet se kanë pasur rolin kryesor në sulm.
Ndërkaq, për të dyshuarit nën moshën 14-vjeçare, pasojat e rastit do të trajtohen në bashkëpunim me shërbimet përkatëse për mbrojtjen e të miturve, pasi sipas ligjit gjerman, personat nën këtë moshë nuk kanë përgjegjësi penale.
Hetimet për rastin po vazhdojnë nga policia kriminale e Neubrandenburgut.