​Përplasje në Komision për KPMShCK-në, Bajrami e pyet anëtarin: A po na kallëzon në cilën parti je?

Debatet për funksionimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK), kuorumin dhe vonesat në shqyrtimin e ankesave kanë përplasur deputetët e pozitës dhe opozitës në Komisionin për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal. Gjatë raportimit të përfaqësuesve të KPMShCK-së, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Bajrami, e ka pyetur…

Lajme

20/10/2026 16:37

Debatet për funksionimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK), kuorumin dhe vonesat në shqyrtimin e ankesave kanë përplasur deputetët e pozitës dhe opozitës në Komisionin për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal.

Gjatë raportimit të përfaqësuesve të KPMShCK-së, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Bajrami, e ka pyetur anëtarin e Këshillit, Eshref Shabani, se cilës parti politike i përket, pasi ka vlerësuar se sjellja e tij në mbledhje nuk ishte korrekte dhe kishte ngjyrosje politike.

“Është e rëndësishme që ju jeni ftuar sot, e keni pasur mundësinë me raportuar. Unë minimalisht e kisha marrë raportin për 2024 ose 2025.Po na ua dhamë mundësinë, po ju nuk nuk vazhduat…Unë mendoj që është dashur me i pas si të dhëna, po edhe nëse s’i keni, për shembull unë e kam një propozim ndaj jush që deri të premten, dhe jam përgjigjur në pyetjet që i kemi bërë…Që mos me pas tani paragjykime, për shembull qysh e patë njëri prej anëtarëve të juaj, edhe në fakt unë mendoj që tash, paramendoje, m’u dashtë me prit derisa erdh e drejta jem me fol, për me thënë që sjellin e botës ju ju adekuate. Minimalisht, është dashur me kërkuar falje, sepse, nuk mundesh me shkuar në komision edhe me thënë që pe di për çka na keni thirrur, na, me lidhë me Serbinë, me, domethënë këto janë diskutime të panevojshme, të cilat mua më bëjnë me menduar që ju keni ngjyrosje politike. I bjen që një parti politike të ka qu por ti s’ke drejtë. A po na kallëzon në cilën parti politike je?”, tha Bajrami.

Në përgjigjen e tij, Shabani ka deklaruar se i përket Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), duke theksuar se është zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës.

“Për emocionet në fillim kërkoj falje. Për një gjë të jeni të sigurt. Unë tash po flas, si anëtar i këshillit në emër timin personal. Që gjashtë vjet jam, e kam provuar shkarkimin prej Kuvendit. Mua më ka zgjedhur Kuvendi i Republikës së Kosovës. Me të cilët deputetë kanë votuar, ku kam marrë 55 vota në Kuvend kur jam zgjedhur. Dhe të gjitha vendimet mundemi me marrë me çuar në gjykatë, sa vendime i ka kthyer gjykata, kur kam qenë kryetar kolegji. E në cilën parti jam, jam shumë krenarë që i përkas Partisë Demokratike të Kosovës. Dhe shumë krenar jam që puna jem që e kam bërë në këshill juve deputetëve të VV-së nuk ju pëlqen”, tha ai.

Përplasjet kanë nisur edhe gjatë diskutimit për kuorumin e Këshillit. Deputetja e Vetëvendosjes, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, e ka pyetur kryesuesin e KPMShCK-së, Arben Mehmeti, nëse Këshilli aktualisht ka kuorum për të mbajtur mbledhje, caktuar kolegje dhe shqyrtuar ankesa.

“Jam duke të pyet a ka Këshilli aktualisht kuorum me mbajt mbledhje, me caktuar kolegje dhe me shqyrtuar ankesa këto kolegje”, pyeti ajo.

Mehmeti i është përgjigjur se deputetja e njeh ligjin, pasi e ka votuar atë.

“Deputete, këtë pyetje s’duhesh me be, se ti e din ligjin, ti e ke votuar ligjin”, tha ai.

Ndërsa Kryeziu-Hyseni ka kundërshtuar, duke thënë se ai mund të mos dëshirojë ta zbatojë ligjin, pasi i konvenon funksionimi në këtë formë.

“Unë e di ligjin, po të pyeti ty. A nuk jam duke e ditë unë ligjin a nuk jeni tu e ditë ju. A ndoshta unë po e di ligjin edhe ju e dini, po ju s’jeni tu dashtë me ditë ligjin, sepse, po ju konvenon me funksionuar në këtë formë”, tha ai.

Gjatë diskutimit, Mehmeti ka bërë të ditur se mandati i tij ka skaduar më 25 janar 2025.

“Mu më ka skadu mandati, me 25 janar 2025”, tha Mehmeti.

Ndërkohë, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka reaguar duke përmendur periudhën kur Albin Kurti kishte ushtruar detyrën e kryeministrit pa mandat të ri.

“Hajt se dy vjet ka nejt Albin Kurti pa mandat e nuk u be kiameti ja ti…Ke tu ndejt Albulena edhe 10 vjet ushtruese e detyrës”, tha ai.

Edhe deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka kritikuar mënyrën se si ishte organizuar raportimi, duke thënë se ftesa nuk e kishte specifikuar periudhën apo çështjet për të cilat Këshilli duhej të raportonte.

“Kur ftohet jashtë raportit të rregullt duhet të përcaktohet qoftë periudha kohore për cilën keni me raportu, qoftë çështjet për çka keni me raportuar. Këtë rast më e pakta që është dashtë me shkruar në ftesën e juaj ish kon me na tregu rreth funksionimit të këtij komisioni. Unë ju përgëzoj së pari për guximin që jeni ardhur pa e ditë se për çka po shkoni, sepse, po të isha në vendin e juaj i kisha kthyer nja 304 emaile me ditë për çka kemi me fol. Sot keni ardhur në mal pa sëpatë, nëse mundeni me arrit me ja dalë, ju përgëzoj”, tha Musliu.

Kritika ndaj pushtetit ka adresuar edhe deputetja e Aleancës, Albana Bytyqi, e cila ka thënë se shpreson që thirrja e Këshillit në komision të ketë për qëllim funksionalizimin e tij dhe jo kapjen politike të institucionit.

“Me thënë shpresoj se tendenca është me ndihmuar këshillin me qenë funksional, e jo tendenca e pushtetit me kap edhe këtë këshill që është i shenjtë në mbrojtjen e shërbyeseve civil. E kam pa që edhe institucioni përballet me shumë sfida, mirëpo qysh po shihet, pushteti qysh ja paska lëshuar zullumin, mos rrini shumë shlirë, sepse, veç kur ta shihni veten në shtëpi, me keqardhje”, tha Bytyqi.

Në mbledhje, deputeti i Vetëvendosjes, Egzon Azemi, ka ngritur çështjen e vonesave në shqyrtimin e ankesave.

“Ka institucion ose palë që dërgon ankesën me 6 nëntor 2025 dhe ju e vononi përgjigjen përreth 267 ditë, ndërsa në një palë tjetër e ktheni përgjigjen brenda 45 ditëve, brenda afatit zyrtar. Në çfarë baze e bëni këtë selektimin e rasteve”, pyeti Azemi.

Përfaqësuesit e KPMShCK-së kanë thënë se koha e shqyrtimit varet nga lënda.

Deputeti Alban Bajrami ka kritikuar gjithashtu faktin që, sipas tij, Këshilli nuk kishte raportuar në komision që nga viti 2023, duke vlerësuar se përfaqësuesit e tij është dashur të vinin të përgatitur me të dhëna për punën e institucionit.

“Po besoj që u cekë që raportimi juaj këtu në këtë komision është i rregullt njëherë në vit, por edhe mund me u ftuar disa herë. E mendoj që juve është dashur, ju pëlqye, fakti që ju kemi thirr se prej 2023-ës nuk keni raportuar. Imagjinoje ju jeni tu ekzistuar një botë paralele”, tha Bajrami.

Ndaj tij ka reaguar Bytyqi, e cila ka thënë se gjatë dy vjetëve nuk kishte pasur qeveri dhe se për këtë arsye nuk kishte pasur mundësi që Këshilli të thirrej në raportim.

“Po që dy vjet s’ki pas qeveri, s’ki pas qysh mi thirr”, tha ajo.

Bajrami është kundërpërgjigjur duke thënë se partia e saj kishte kërkuar vazhdimisht zgjedhje.

Bajrami: Qe të përgjigjem për shembull, partia jote ka lypur zgjedhje vazhdimisht në këto dy vjet

“Qe të përgjigjem për shembull, partia jote ka lypur zgjedhje vazhdimisht në këto dy vjet”, tha Bajrami.