​Rritet qarkullimi në industri, bie punësimi në miniera dhe gurore

Indeksi i qarkullimit në sektorët e industrisë në Kosovë u rrit për 8,56 për qind në gusht 2026, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar. Ndërkohë, indeksi i numrit të të punësuarve shënoi rritje prej 3,08 për qind, ndërsa ai i fondit të pagave dhe mëditjeve për 18,91 për qind. Kështu bëhet e…

Lajme

19/10/2026 15:57

Indeksi i qarkullimit në sektorët e industrisë në Kosovë u rrit për 8,56 për qind në gusht 2026, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar. Ndërkohë, indeksi i numrit të të punësuarve shënoi rritje prej 3,08 për qind, ndërsa ai i fondit të pagave dhe mëditjeve për 18,91 për qind.

Kështu bëhet e ditur në publikimin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për statistikat afatshkurtra të industrisë për gushtin 2026.

Rritjen më të lartë të qarkullimit e shënoi furnizimi me rrymë, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar, me 18,61 për qind. Pas tij renditen furnizimi me ujë dhe veprimtaritë e menaxhimit e trajtimit të mbeturinave, me 12,91 për qind, industria nxjerrëse me 11,30 për qind dhe industria përpunuese me 4,25 për qind.

Pavarësisht rritjes së qarkullimit, industria nxjerrëse, ku përfshihen minierat dhe guroret, regjistroi rënie prej 9,64 për qind të indeksit të numrit të të punësuarve.

Në aktivitetet e tjera punësimi shënoi rritje. Në industrinë përpunuese indeksi i të punësuarve u rrit për 3,98 për qind, në furnizimin me ujë dhe menaxhimin e trajtimin e mbeturinave për 2,19 për qind, ndërsa në furnizimin me rrymë, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar për 0,96 për qind.

Sipas ASK-së, fondi i pagave dhe mëditjeve u rrit në të gjithë sektorët. Rritja më e lartë u shënua në industrinë përpunuese, me 21,32 për qind, pasuar nga furnizimi me rrymë, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar, me 14,61 për qind.

Në furnizimin me ujë dhe veprimtaritë e menaxhimit e trajtimit të mbeturinave, ky indeks u rrit për 10,49 për qind, ndërsa në industrinë nxjerrëse për 6,36 për qind.