​Seanca për kanalin Ibër-Lepenci u ndërpre, prokurori mungonte, s’u caktua data e re, gjyqtari pensionohet

Seanca gjyqësore ndaj tre të akuzuarve për sulmin në kanalin Ibër-Lepenci u shty, pasi që prokurori i rastit, Bekim Kodraliu nuk ishte i pranishëm në seancë dhe e zëvendësoi kolegu, Armend Zeneli. Se kur do të mbahet seanca e radhës ende nuk u caktua, sepse gjyqtari Vesel Ismaili do të pensionohet më 10 nëntor dhe…

Lajme

19/10/2026 15:49

Seanca gjyqësore ndaj tre të akuzuarve për sulmin në kanalin Ibër-Lepenci u shty, pasi që prokurori i rastit, Bekim Kodraliu nuk ishte i pranishëm në seancë dhe e zëvendësoi kolegu, Armend Zeneli.

Se kur do të mbahet seanca e radhës ende nuk u caktua, sepse gjyqtari Vesel Ismaili do të pensionohet më 10 nëntor dhe nuk mund të vazhdojë më rrugëtimin profesional.

Prokurori Zeneli kërkoi që kjo seancë të shtyhet për një ditë tjetër, sepse, sipas tij, Kodraliu kishte një urgjencë dhe e kishte të pamundur të vinte në seancë.

“Prokurori ka pasur një urgjencë. Propozoj që seanca e sotme të ndërpritet dhe të shtyhet për një datë tjetër”, tha ai.

Avokatët mbrojtës të të akuzuarve e kundërshtuan propozimin e prokurorisë, ndërsa kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili, tha se miratohet kërkesa e prokurorit Zeneli.

“Trupi gjykues pas këshillimit merr aktvendim: aprovohet propozimi i prokurorit. Seanca e sotme ndërpritet dhe e njëjta caktohet në kohë të pacaktuar. Arsyeja pse nuk është vendosur afati është që unë më 10 nëntor e përfundoj karrierën time, pensionohem. Për caktim do të njoftoheni me kohë”, tha ai.