Gjashtë ditë nga vrasja e 29-vjeçarit në Pogragjë, babai i dyshuar ende në arrati

Gjashtë ditë pas vrasjes së 29-vjeçarit Bajram Arifi në fshatin Pogragjë të Gjilanit, i dyshuari për rastin, babai i tij Ramiz Arifi, vazhdon të jetë në arrati. Lajmi është konfirmuar për Sinjalin më 17 tetor nga zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, i cili ka bërë të ditur se i dyshuari ende…

Lajme

17/10/2026 21:08

Gjashtë ditë pas vrasjes së 29-vjeçarit Bajram Arifi në fshatin Pogragjë të Gjilanit, i dyshuari për rastin, babai i tij Ramiz Arifi, vazhdon të jetë në arrati.

Lajmi është konfirmuar për Sinjalin më 17 tetor nga zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, i cili ka bërë të ditur se i dyshuari ende nuk është arrestuar.

Ngjarja e rëndë kishte ndodhur më 11 tetor, rreth orës 19:30, kur Policia ishte njoftuar për të shtëna me armë zjarri në Pogragjë. Në vendin e ngjarjes kishin dalë ekipet policore dhe ekipi mjekësor, i cili kishte konstatuar vdekjen e 29-vjeçarit, transmeton lajmi.net.

Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, Policia ka sekuestruar tri armë, 68 fishekë dhe katër gëzhoja. Po ashtu, më 12 tetor është gjetur vetura me të cilën dyshohet se është larguar personi i kërkuar, rreth tre deri në katër kilometra larg shtëpisë së tij.

Trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa rasti po hetohet si vrasje e rëndë dhe për posedim të paautorizuar të armëve. Motivi i ngjarjes nuk është bërë i ditur në raportimet e publikuara.

Policia ka bërë të ditur se po vazhdon kërkimet për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave janë në zhvillim./lajmi.net/