Gjini: Daut Haradinaj është fytyra e UÇK-së, ai nuk ka mbajtur molotov në zyrë, e as nuk e ka gjuajtur kuvendin me zollë
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka reaguar në mbrojtje të ish-deputetit Daut Haradinaj, duke e cilësuar atë si një nga figurat përfaqësuese të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Përmes një postimi, Gjini ka kritikuar partitë dhe kundërshtarët politikë që, sipas tij, e sulmojnë Haradinajn përmes akuzave që i konsideron absurde, ndërsa i ka vënë në…
Lajme
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka reaguar në mbrojtje të ish-deputetit Daut Haradinaj, duke e cilësuar atë si një nga figurat përfaqësuese të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Përmes një postimi, Gjini ka kritikuar partitë dhe kundërshtarët politikë që, sipas tij, e sulmojnë Haradinajn përmes akuzave që i konsideron absurde, ndërsa i ka vënë në pikëpyetje qëndrimet e tyre për shkak të së kaluarës politike, transmeton lajmi.net.
“Dauti është fytyra e UÇK-së, e emrin e tij është krejt normale që disa që janë anti komb e kanë telashe edhe sot, gati tre dekada pas luftës”, ka shkruar Gjini.
Ai ka thënë se partitë politike në Kosovë do të dëshironin ta kishin Daut Haradinajn në radhët e tyre, por se qëndrimi ndaj tij ndryshon kur ai është kundërshtar politik.
“Nuk ka parti politike në Kosovë që nuk do të kishte dëshirë ta kishte Dautin në radhët e veta. Sikur ta kishin do ta qonin në kulm atë, familjen e tij dhe të kaluarën e tij. Por kur e kanë kundërshtar politik duhet të shpikin akuza absurde duke i harruar keqbërësit e panumërt nga radhët e veta për të cilët janë bërë purgator”, ka shkruar ai.
Gjini ka vazhduar reagimin me kritika ndaj subjekteve politike që, sipas tij, dikur mbanin armë në zyra, ndërsa sot, siç pretendon ai, përpiqen të paraqiten si shembull i moralit politik.
“Sot është ironike kur sheh se si disa parti, që dikur mbanin armatim nëpër zyra e që sot janë shndërruar në organizata të mirëfillta kleptokratike, kanë filluar të na shesin moral”, ka shkruar kryetari i Aleancës.
Në postimin e tij, Gjini ka përmendur edhe akuza për përdorimin e molotovit, sulmet ndaj Kuvendit dhe keqpërdorimet e pretenduara financiare, duke i krahasuar ato me figurën e Daut Haradinajt.
“Daut Haradinaj nuk ka mbajtur molotov në zyrë, e as nuk e ka gjuajtur kuvendin me zollë. Dauti nuk i ka vjedh milionat me rrymë as me penj të spitaleve, e as me grurë të popullit. As nuk është fshehur, asnjëherë”, ka shkruar Gjini./lajmi.net/