Raporti i DASH-it për Kosovën: Fëmijët e detyruar të lypin nuk trajtohen si viktima të trafikimit

Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë shënuar disa përparime në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore, por aty ende u mungojnë mekanizmat efikase për ta luftuar këtë problem dhe nuk i përmbushin kriteret ndërkombëtare për çrrënjosjen e kësaj veprimtarie kriminale, thuhet në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për trafikimin me qenie njerëzore për vitin 2026.…

Lajme

15/10/2026 22:51

Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë shënuar disa përparime në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore, por aty ende u mungojnë mekanizmat efikase për ta luftuar këtë problem dhe nuk i përmbushin kriteret ndërkombëtare për çrrënjosjen e kësaj veprimtarie kriminale, thuhet në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për trafikimin me qenie njerëzore për vitin 2026.

Për Kosovën, raporti vë në pah se gjykatat shqiptojnë dënime nën minimumin e paraparë me ligj, ndërsa për Shqipërinë thekson se policia dhe prokuroria nuk kanë përvojë dhe kapacitete të mjaftueshme dhe të specializuara për hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të trafikimit me qenie njerëzore.

Serbia dhe Mali i Zi nuk i përmbushin plotësisht standardet minimale për luftimin e kësaj dukurie, ndërsa Bosnjë e Hercegovina vazhdon të ketë mungesë mekanizmash efikase për ta trajtuar atë, sipas raportit.

Kosova s’i heton si trafikim me njerëz të gjitha rastet e fëmijëve të detyruar për të lypur

Drejtësia në Kosovë po shqipton më shumë dënime me burgim për trafikantët e njerëzve sesa në të kaluarën, por ato vazhdojnë të jenë kryesisht nën minimumin e paraparë me ligj, thuhet në vlerësimin e ri të Departamentit amerikan të Shtetit.

Autoritetet kanë rritur buxhetin për parandalimin e trafikimit me qenie njerëzore dhe për ndihmën ndaj viktimave, ndërsa një analizë zyrtare tregon se është përmbushur edhe një pjesë e madhe e synimeve të planit kombëtar të veprimit.

Megjithatë, Departamenti amerikan i Shtetit paralajmëron për mangësi serioze në mbrojtjen e personave më të cenueshëm.

Numri i personave të akuzuar për trafikim me njerëz ka rënë. Edhe pse Kodi Penal i Kosovës parasheh dënime të rënda, nga pesë deri në 12 vjet burgim për trafikimin e personave të rritur dhe deri në 15 vjet për trafikimin e fëmijëve, praktika gjyqësore paraqet një pamje tjetër.

Sipas statistikave zyrtare, autoritetet kanë ndjekur penalisht 34 persona të dyshuar, më pak se 49 sa ishin një vit më parë.

Policia ka punuar në katër raste të reja dhe ka vazhduar hetimet për rastet e mëparshme, ndërsa gjykatat kanë dënuar tre persona për trafikim me njerëz për qëllime të shfrytëzimit seksual. Dy prej tyre janë dënuar me burgim: njëri me tre vjet dhe tjetri me pesë vjet e gjysmë burgim, si dhe me gjobë. Një trafikant tjetër është dënuar me një vit burgim me kusht.

Raporti paralajmëron se dënimet nën minimumin e paraparë me ligj e dobësojnë përgjegjësinë penale të autorëve dhe rrezikojnë sigurinë e viktimave.

Ndërkohë, 17 persona janë ndjekur penalisht për shfrytëzimin e shërbimeve seksuale të viktimave të trafikimit me qenie njerëzore, por në këto raste nuk është shqiptuar asnjë dënim.

Sipas raportit, mangësitë vërehen edhe në punën e policisë në terren, e cila vepron përmes tetë njësive rajonale me gjithsej 45 zyrtarë.

Raporti thekson se rastet e fëmijëve të detyruar nga prindërit për të lypur rrugëve, Policia vazhdon t’i trajtojë si neglizhencë ose keqtrajtim, e jo si trafikim, me arsyetimin se këto raste nuk i përmbushin kriteret e përcaktuara me ligj për këtë vepër penale.

Vëzhguesit theksojnë se shumica e prokurorëve dhe gjyqtarëve nuk kanë trajnim dhe përvojë të mjaftueshme, veçanërisht për rastet që përfshijnë kontroll emocional ose detyrim psikologjik. Si pasojë, shqiptohen dënime të lehta ose rastet cilësohen si vepra penale më të lehta.

Raporti nënvizon gjithashtu se autoritetet nuk i kanë hetuar si trafikim të gjitha rastet e fëmijëve të detyruar për të lypur rrugëve.

Për shkak të procedurave të papërshtatshme për identifikimin e viktimave në rastet e lypjes së detyruar, autoritetet nuk kanë arritur t’i mbrojnë në mënyrë efikase viktimat e mundshme nga ndëshkimi për veprime të paligjshme që i kanë kryer si pasojë e drejtpërdrejtë e trafikimit me qenie njerëzore.

Ndërkohë, Qeveria nuk ka siguruar përpjekje të mjaftueshme për riintegrimin e viktimave dhe ofrimin e ndihmës tjetër afatgjatë, veçanërisht për fëmijët dhe personat që kanë nevojë për mbështetje psikosociale.

Sa i përket mbrojtjes së viktimave, autoritetet në Kosovë kanë identifikuar 13 viktima të trafikimit me njerëz gjatë vitit të kaluar. Të gjitha personat e identifikuar ishin shtetas të Kosovës të ekspozuar ndaj shfrytëzimit seksual: dy gra dhe 11 vajza.

Vëzhguesit paralajmërojnë edhe për mungesën e përpjekjeve për identifikimin e viktimave të lypjes së detyruar, veçanërisht të fëmijëve. Megjithatë, organizatat joqeveritare vlerësojnë se mekanizmi për referimin e viktimave drejt shërbimeve të ndihmës funksionon mirë.

Qeveria ofron strehim, trajtim mjekësor, këshillim dhe ndihmë juridike në bashkëpunim me shoqërinë civile. Gjatë vitit 2025, ndihmë morën 18 persona.

Në raport thuhet se shteti siguron mbrojtje juridike për viktimat e huaja dhe mbështetje për viktimat që dëshmojnë në gjykatë. Kjo përfshin dhoma të posaçme për intervistimin e fëmijëve dhe pajisje që mundësojnë dëshminë në distancë, duke mbrojtur identitetin e tyre.

Megjithatë, për shkak të kontrolleve të papërshtatshme për identifikimin e viktimave, Qeveria nuk ka arritur t’i parandalojë në mënyrë efikase ndëshkimet ndaj viktimave për vepra penale që i kanë kryer nën detyrim.

Sa i përket parandalimit, autoritetet e Kosovës kanë shtuar angazhimin përmes një organi të posaçëm kombëtar, i cili koordinon përpjekjet e institucioneve të ndryshme.

Mbështetja financiare për këtë qëllim është rritur në 15.000 euro, nga 3.550 euro sa ishte një vit më parë. Fondet janë ndarë për fushata ndërgjegjësuese dhe funksionimin e linjës telefonike SOS.

Shteti po përpiqet gjithashtu ta zvogëlojë kërkesën për shërbime seksuale me pagesë, duke ndjekur penalisht dhe ndëshkuar personat që shfrytëzojnë shërbimet seksuale të viktimave të trafikimit me qenie njerëzore.

Megjithëse ndërmjetësit e punësimit i nënshtrohen rregullimit efektiv dhe inspektorët e punës kryejnë rregullisht kontrolle në terren, në sistem vazhdon të ketë mangësi.

Inspektorët e punës nuk janë trajnuar për identifikimin e rasteve të trafikimit me njerëz dhe, gjatë gjithë vitit, nuk i kanë raportuar policisë asnjë rast të dyshimtë të evidentuar në terren.

Të dhënat për trafikimin me njerëz tregojnë se Kosova është vend ku viktimat shfrytëzohen seksualisht, por edhe për punë të detyruar.

Trafikantët i joshin gratë dhe vajzat me premtime të rreme për martesë ose punësim si valltare dhe këngëtare, por më pas i detyrojnë të ofrojnë shërbime seksuale në shtëpi private, banesa, klube nate dhe sallone masazhi.

Lypja e detyruar prek kryesisht fëmijët nga Kosova, Shqipëria dhe vendet e tjera fqinje.

Shumica e viktimave të shfrytëzimit seksual janë vajza nga Kosova, por janë evidentuar edhe viktima nga vendet e rajonit dhe Evropa Lindore, si dhe nga Kolumbia, Meksika, Tajlanda dhe Venezuela.

Ndërkohë, shtetasit e Kosovës janë të ekspozuar ndaj trafikimit për shfrytëzim seksual dhe punës së detyruar në vende të ndryshme të Evropës.

Shqipëri: Policia e prokuroria s’kanë përvojë dhe kapacitete të mjaftueshme

Edhe për Shqipërinë thuhet se Qeveria nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për çrrënjosjen e trafikimit me njerëz, megjithëse po bën përpjekje të konsiderueshme në këtë drejtim.

Këto përpjekje përfshijnë nisjen e procedurave penale ndaj një numri më të madh personash të dyshuar për trafikim me njerëz dhe identifikimin e më shumë viktimave.

Gjithashtu, thuhet se Qeveria ka miratuar procedura të reja standarde operative për identifikimin e viktimave dhe ofrimin e ndihmës, si dhe ka rritur fondet për mbrojtjen e tyre.

Megjithatë, policisë dhe prokurorive vendore nëpër qarqe u mungojnë përvoja e specializuar dhe kapacitetet e nevojshme për hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të trafikimit me njerëz. Për pasojë, raste të tilla janë trajtuar si vepra penale për të cilat parashikohen dënime më të lehta.

Në raport thuhet gjithashtu se Qeveria nuk ka pasur burime të mjaftueshme për të ofruar shërbime dhe mbështetje afatgjatë për viktimat.

Raporti konstaton se Qeveria ka vazhduar përpjekjet për ndjekjen penale të autorëve dhe se trafikimi me njerëz për qëllime të shfrytëzimit seksual dhe të punës është kriminalizuar.

Sipas raportit, gjatë vitit 2025, policia ka hetuar 54 raste, krahasuar me 69 raste gjatë vitit 2024.

Qeveria ka nisur procedura penale ndaj gjashtë personave të akuzuar për trafikim me njerëz për qëllime të shfrytëzimit seksual, krahasuar me katër të akuzuar për të njëjtën vepër penale gjatë vitit 2024.

Gjykatat kanë dënuar katër persona për trafikim me njerëz për qëllime të shfrytëzimit seksual.

Raporti shton se Qeveria nuk ka raportuar asnjë hetim, ndjekje penale apo dënim të zyrtarëve shtetërorë të përfshirë në vepra penale që lidhen me trafikimin me njerëz.

Sipas raportit, vëzhguesit vazhdojnë të raportojnë se Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë nuk kanë përvojë të mjaftueshme të specializuar dhe kapacitete të nevojshme për hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të trafikimit me qenie njerëzore.

Raporti konstaton se Qeveria i ka shtuar përpjekjet për mbrojtjen e viktimave dhe se gjatë vitit 2025 ka identifikuar 78 viktima të mundshme, krahasuar me 68 të tilla gjatë vitit 2024.

Serbia shënon përparim në hetimin e punës së detyruar

Qeveria serbe nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për zhdukjen e trafikimit me qenie njerëzore, por po bën përpjekje të konsiderueshme në këtë drejtim, thuhet në raportin e Departamentit të Shtetit për vitin 2026.

Raporti vëren se janë nisur procedura penale kundër një numri të vogël të dyshuarish për trafikim me qenie njerëzore dhe se Qeveria ka vazhduar të ndjekë penalisht trafikantët për krime që mbartin dënime më pak të rënda.

Raporti gjithashtu paralajmëron se është bërë pak përparim në hetimin për qindra punëtorë të huaj të ekspozuar ndaj kushteve të punës së detyruar në një fabrikë dhe minierë në pronësi të shtetasve kinezë.

Doganat e SHBA-së deklaruan se punëtorët në Zijin Copper në Serbi ishin të ekspozuar ndaj punës së detyruar sipas gjashtë treguesve: abuzimi me cenueshmërinë, mbajtja e pagave, frikësimi dhe kërcënimet, kufizimi i lëvizjes, mbajtja e dokumenteve personale dhe orët e tepërta jashtë orarit.

Gjithashtu vihet re se Qeveria ka intensifikuar përpjekjet e agjencive të zbatimit të ligjit për të luftuar trafikimin me qenie njerëzore dhe se trafikimi i qenieve njerëzore për qëllime shfrytëzimi seksual dhe të punës është kriminalizuar.

Sipas raportit, në vitin 2025, në Serbi u identifikuan zyrtarisht 58 viktima të trafikimit të qenieve njerëzore, krahasuar me 64 në vitin 2024.

Nga numri i përgjithshëm i viktimave të identifikuara, 26 ishin të ekspozuara ndaj shfrytëzimit seksual, 18 ndaj shfrytëzimit në punë, ndërsa 14 persona ishin viktima të formave të shumëfishta të trafikimit të qenieve njerëzore.

Gjithashtu shtohet se gjykatat kanë dënuar 27 trafikantë njerëzish.

Bosnja shqipton pak dënime

Bosnje dhe Hercegovina ka bërë përparim në përpunimin e rasteve të trafikimit me qenie njerëzore, por vendit ende i mungon një mekanizëm efektiv për të zhdukur plotësisht problemin, sipas raportit.

Dokumenti ofron të dhëna të hollësishme për të dy entitetet, Federatën e Bosnjës dhe Republikën Sërpska, si dhe për Distriktin e Bërçkos si njësi e veçantë administrative.

Ankesat më të mëdha lidhen me punën e gjyqësorit në nivel lokal. Për të katërtin vit radhazi, gjykatat në Republikën Sërpska nuk kanë regjistruar asnjë dënim për këto krime, ndërsa në Distriktin e Bërçkos nuk ka pasur dënime të tilla për të dytin vit radhazi.

Zyra e Prokurorit të Shtetit nisi tetë hetime të reja vitin e kaluar dhe katër persona u akuzuan për shfrytëzim seksual. Megjithatë, Gjykata e Shtetit lëshoi vetëm një dënim, një dënim prej dhjetë muajsh burgim.

Një trend i ngjashëm po vërehet në Federatën e Bosnjës, ku gjykatat kanë dënuar gjithsej shtatë persona. Ndërsa një trafikant mori një dënim me 18 vjet burg, të tjerët u dënuan me dënime që varionin nga një muaj deri në pesë vjet.

Nga ana tjetër, situata në Republikën Sërpska dhe në Distriktin e Bërçkos është edhe më e keqe. Edhe pse policia ka hapur disa hetime të reja, prokurorët nuk kanë ngritur asnjë aktakuzë, kështu që gjykatat e kanë mbyllur përsëri vitin pa asnjë vendim.

Kur bëhet fjalë për mbrojtjen, raporti thekson se autoritetet kanë bërë përpjekje më të mëdha, me 63 viktima të identifikuara.

Shumica e tyre u shfrytëzuan për punë të detyruar dhe shtatë persona ishin viktima të trafikimit seksual.

Shumica e viktimave ishin të mitura, 36 vajza dhe 12 djem. Më shumë se një e treta e viktimave, ose 26 prej tyre, ishin shtetas të huaj.

Gratë dhe vajzat shtëpiake më shpesh përfundojnë në një zinxhir shfrytëzimi seksual brenda vendit, të fshehura në prona private dhe motele, ndërsa fëmijët romë janë të ekspozuar ndaj lypjes së detyruar, vjedhjes së xhepave dhe martesave të rregulluara.

Në Mal të Zi shumica e rasteve iniciohen nga organizatat joqeveritare

Mali i Zi ka shënuar përparim në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore, por ende nuk i përmbush plotësisht standardet minimale ndërkombëtare për çrrënjosjen e këtij fenomeni, sipas raportit.

Policia nisi 20 hetime të reja, ndërsa prokuroria ndoqi penalisht 25 të dyshuar. Gjykatat dënuan nëntë trafikantë në shtatë raste, kryesisht për punë të detyruar dhe lypje, me dënime nga një deri në pesë vjet burg.

Megjithatë, raporti evidenton mangësi në kapacitetet e njësisë së specializuar policore, identifikimin proaktiv të viktimave dhe ndjekjen e rasteve. Shumica e rasteve të identifikuara dhe të referuara te autoritetet iniciohen nga organizatat joqeveritare. Gjatë periudhës së raportimit, nuk u raportua asnjë hetim apo dënim i zyrtarëve shtetërorë për bashkëpunim në këto krime.

Vitin e kaluar, në Mal të Zi u identifikuan 43 viktima të trafikimit, përfshirë 32 fëmijë dhe 11 të rritur. Plot 38 prej tyre ishin shfrytëzuar për punë të detyruar. Ndihmë dhe akomodim iu ofruan 42 viktimave, në bashkëpunim me shoqërinë civile.

Megjithatë, mbeten probleme serioze në mbrojtjen e viktimave. Strehimorja shtetërore për fëmijë ndodhet brenda një institucioni korrektues për të mitur, duke rrezikuar sigurinë dhe privatësinë e tyre, ndërsa për burrat nuk ofrohet akomodim dhe mbështetje e specializuar.

Mali i Zi mbetet vend i shfrytëzimit seksual dhe të punës së detyruar të shtetasve vendas dhe të huaj. Gratë dhe vajzat shfrytëzohen kryesisht seksualisht, fëmijët detyrohen të lypin, ndërsa punëtorët migrantë, përfshirë ata nga Azerbajxhani, shfrytëzohen në sektorin e ndërtimit.

Policia në Maqedoninë e Veriut ndaloi dhe dëboi viktima të mundshme

Maqedonia e Veriut nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për luftimin e trafikimit të qenieve njerëzore, megjithëse po bën përpjekje në këtë drejtim, sipas raportit të DASH-it.

Gjatë vitit 2025, gjykatat dënuan gjashtë trafikantë për shfrytëzim seksual, krahasuar me katër në vitin paraprak. Megjithatë, dënimet ishin nën minimumin e përcaktuar me ligj. Ndërkohë, autoritetet identifikuan vetëm tri viktima dhe i referuan te shërbimet përkatëse, krahasuar me 39 në vitin 2024.

Raporti evidenton se policia lokale ndaloi dhe dëboi viktima të mundshme, përfshirë persona të angazhuar në shërbime seksuale komerciale, pa kontrolluar paraprakisht nëse ishin trafikuar.

Mangësi të tjera përfshijnë burimet e pamjaftueshme të prokurorisë për krimin e organizuar dhe korrupsionin, si dhe mungesën e shërbimeve të specializuara për viktimat meshkuj dhe të mbështetjes afatgjatë për të gjitha viktimat.

Ndër zhvillimet pozitive, Kodi Penal u ndryshua për ta përfshirë lypjen e detyruar të fëmijëve si formë të trafikimit./Radio Evropa e Lirë/