Tahiri: Kuvendi duhet ta rishikojë ligjin për Dhomat e Specializuara, llogaridhënia është themel i demokracisë
Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka kërkuar që institucionet e Kosovës t’i trajtojnë me seriozitet gjetjet e Raportit ex officio të Avokatit të Popullit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Pas pjesëmarrjes në tryezën ku u prezantua raporti, Tahiri ka thënë se dokumenti evidenton mungesë serioze të mbikëqyrjes së Dhomave të…
Lajme
Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka kërkuar që institucionet e Kosovës t’i trajtojnë me seriozitet gjetjet e Raportit ex officio të Avokatit të Popullit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Pas pjesëmarrjes në tryezën ku u prezantua raporti, Tahiri ka thënë se dokumenti evidenton mungesë serioze të mbikëqyrjes së Dhomave të Specializuara nga institucionet kushtetuese të Kosovës.
Ai ka ngritur gjithashtu shqetësime për mungesën e transparencës lidhur me vazhdimin e mandatit të Avokatit të Personit, duke theksuar se nuk ka informacion të mjaftueshëm për procedurat, kriteret dhe performancën mbi bazën e të cilave është marrë ky vendim.
“Raporti evidenton mungesë serioze të mbikëqyrjes së Dhomave të Specializuara nga institucionet kushtetuese të Republikës së Kosovës. Nuk ka informacion të mjaftueshëm për procedurat, kriteret dhe performancën mbi bazën e të cilave është vazhduar mandati i Avokatit të Personit. Mungesa e transparencës në vazhdimin e mandatit”, ka shkruar Tahiri.
Ai ka theksuar se institucionet e Kosovës duhet të veprojnë mbi bazën e fakteve dhe standardeve të qarta, duke lënë anash deklaratat emocionale dhe lavdërimet.
“Ka përfunduar koha e deklaratave emocionale dhe lavdërimeve. Tani është koha që institucionet e Kosovës të veprojnë mbi bazën e fakteve dhe standardeve të qarta”, ka deklaruar Tahiri.Deputeti i ka vlerësuar se Kuvendi, Komisioni për Legjislacion dhe institucionet e tjera duhet t’i shqyrtojnë me seriozitet gjetjet e raportit të një institucioni të pavarur kushtetues.Sipas tij, Kuvendi i Kosovës ka të drejtë ta rishikojë ligjin për Dhomat e Specializuara në përputhje me standardet ndërkombëtare, nëse evidenca tregon se nevojiten ndryshime.“Kuvendi i Kosovës ka të drejtë ta rishikojë ligjin, në përputhje me standardet ndërkombëtare, kur evidenca tregon se nevojiten ndryshime. Rishikimi i ligjit sipas standardeve ndërkombëtare është shumë diskutabil”, ka shkruar ai.
Tahiri ka theksuar rëndësinë e llogaridhënies nga institucionet, duke e cilësuar atë si një nga parimet themelore të demokracisë.“Llogaridhënia nuk është zgjedhje, por themel i demokracisë”, ka përfunduar Tahiri.