Në një komunikatë, KMDK-ja sqaron se deponia e Mirashit ka qenë në dispozicion për pranimin e mbeturinave gjatë 24 orëve, deri më 30 shtator 2026.
“Rrjedhimisht, konsiderojmë se situata e krijuar në Prishtinë nuk mund t’i atribuohet mbylljes së deponisë, por kërkon një vlerësim më të gjerë të organizimit dhe menaxhimit të shërbimit të grumbullimit dhe transportimit të mbeturinave” thuhet në njoftim.
Sipas KMDK-së, kompania “Pastrimi” ka obligime financiare të papërmbushura ndaj KMDK-së, të akumuluara gjatë një periudhe të konsiderueshme.
“Pavarësisht kësaj situate, KMDK ka vazhduar të ofrojë shërbimet e saj, duke pasur parasysh rëndësinë e menaxhimit të mbeturinave për qytetarët dhe shëndetin publik.
Duke qenë se kontrata ndërmjet KMDK-së dhe K.R.M. “Pastrimi” skadon më 16 tetor 2026, KMDK konsideron të domosdoshme që obligimet e mbetura financiare të adresohen sa më parë, me qëllim të sigurimit të vazhdimësisë së bashkëpunimit dhe ofrimit të pandërprerë të shërbimeve” thuhet tutje në njoftim.
Në rast se këto obligime nuk përmbushen, KMDK vlerëson se mund të detyrohet të shqyrtojë masa në përputhje me kushtet kontraktuale, përfshirë edhe kufizimin e qasjes së KRM “Pastrimi”, në deponinë e Mirashit.
“KMDK mbetet e përkushtuar ndaj bashkëpunimit institucional dhe gjetjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme, duke vënë në plan të parë interesin e qytetarëve, mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetin publik” përfundon njoftimi.