Limaj: Me ndryshimet për Specialen, Kosova është futur në një betejë juridike – s’ka kush e ndal me ecë përpara

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të cilat u miratuan më 6 tetor nga Kuvendi i Kosovës. Limaj tha se me miratimin e ndryshimeve Kosova është futur në një betejë juridike. “Ne jemi futur në një betejë juridike. Apeli im dhe ftesa ime është për…

Lajme

08/10/2026 23:42

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të cilat u miratuan më 6 tetor nga Kuvendi i Kosovës.

Limaj tha se me miratimin e ndryshimeve Kosova është futur në një betejë juridike.

“Ne jemi futur në një betejë juridike. Apeli im dhe ftesa ime është për ata që kanë iniciuar dhe që kanë votuar, mos me thënë është ligji yt apo i tij, por ligji i shtetit të Kosovës, ligj sovran, ligj shtetëror, të përgatiten edhe për betejë juridike, politike, nëse ka kontestime në këtë rrugë”, tha Limaj.

Ai u shpreh mes tjerash se nuk mund të ndalet vullneti i shprehur nga Kuvendi i Kosovës përmes miratimit të ligjit.

“S’ka kush që e ndal këtë ligj me ecë përpara, ta prekë dikund. Kush mund ta ndalë Parlamentin e Kosovës me i bërë veprime të tjera?”, tha ai në Klan Kosova.

Limaj shtoi se për të, rëndësi ka vullneti politik i shprehur nga deputetët e Kuvendit.

“A po doni ju me thënë që tre njerëz janë gjykatë më i madh se shteti i Kosovës? Për mua ka pasur rëndësi vullneti politik. Vullneti politik është shprehur në Parlamentin e Kosovës”, deklaroi ai.

Kreu i Nismës tha se tani duhet të shihet se si institucionet e Kosovës do ta zbatojnë ligjin dhe nëse do të ketë kontestime para Gjykatës Kushtetuese.

“E tani kemi me i pa këta sa kanë me shku me zbatu. Këto tash çka po presim, se edhe ligje të tjera kanë shkuar në Gjykatë Kushtetuese”, tha Limaj.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të përcjellin zbatimin e ligjit nga institucionet dhe deputetët.