Sejdiu: S’e konsideroj të denjë të zgjidhem President vetëm për t’i shmangur zgjedhjet
Profesori universitar, Bekim Sejdiu, i cili në shtator u tërhoq nga kandidatura për President, tha sot se nuk konsideron se është e denjë që ai të zgjidhet shef shteti vetëm për shmangien e zgjedhjeve. Sejdiu tha se i ka njoftuar kryeministrin Albin Kurti dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku – të cilët ishin dakorduar për…
Lajme
Profesori universitar, Bekim Sejdiu, i cili në shtator u tërhoq nga kandidatura për President, tha sot se nuk konsideron se është e denjë që ai të zgjidhet shef shteti vetëm për shmangien e zgjedhjeve.
Sejdiu tha se i ka njoftuar kryeministrin Albin Kurti dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku – të cilët ishin dakorduar për emrin e tij – se nuk do të jetë më kandidat, pavarësisht se kryetari i LVV-së e përmendi sërish sot mundësinë që ai të zgjidhet shef shteti.
“Nëse dojnë këta të LDK-së, mundem me ua dërgu edhe mesazhin që ua kam dërguar dhe unë ju kam thënë kështu: më së pari nuk konsideroj që është e denjë me u zgjedh president dikush që zgjedhet vetëm me i shmang zgjedhjet, president duhet të zgjedhet dikush që e meriton atë pozitë”, tha ai për Gazetën Infokusi.
Sejdiu tha se çështja e Presidentit s’duhet të lidhet “me tema të tjera që janë të rëndësishme për këtë vend”.
“E dyta, unë kam hyrë në një kombinim politik LDK-VV dhe e kisha mirëprit përkrahjen e të gjithëve. Partitë politike në përgjithësi kanë pasë fjalë të mira për mua si kandidat dhe e çmoj edhe faktin se edhe një pjesë e gazetarëve dhe opinionit publik kanë pasur vlerësim pozitiv për mua. Mirëpo, meqë unë nuk i kam pasur votat, unë jam tërheq nga kjo garë. Për më tepër, në këtë proces me kaq shumë drama, unë nuk kam qenë në Kosovë fare këto ditë. E çmoj shumë besimin dhe vlerësimin nga të gjithë, por unë nuk jam më pjesë e këtij procesi”, tha ai.