Haziri për incidentin me deputetin e VV-së: Më vjen keq, protestuesit ma morën prej duarve
Organizatori i protestës “Jo në emrin tim!”, Çlirim Haziri, ka folur për rastin e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fahrush Rexhepi, i cili gjatë protestës së djeshme u përball me protestuesit teksa po kthehej në Kuvend. Haziri ka thënë se i vjen keq për incidentin, duke deklaruar se Rexhepi ishte marrë nga duart e protestuesve. “Ne…
Lajme
Organizatori i protestës “Jo në emrin tim!”, Çlirim Haziri, ka folur për rastin e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fahrush Rexhepi, i cili gjatë protestës së djeshme u përball me protestuesit teksa po kthehej në Kuvend.
Haziri ka thënë se i vjen keq për incidentin, duke deklaruar se Rexhepi ishte marrë nga duart e protestuesve.
“Ne kemi qenë shumë këtu, mbi 100 mijë vetë. Policinë e kemi ruajtur si sytë e ballit, policia është e jona. Mua më vjen keq edhe për të gjitha incidentet që kanë ndodhur dje. Gjithashtu edhe një deputet i VV-së, i cili me sa duket ishte edhe familjar i një dëshmori, më vjen keq shumë, ma kanë marrë prej duarve protestuesit”, ka deklaruar Haziri para gazetarëve.
Ai ka thënë se situata ka qenë e tensionuar, duke e cilësuar rastin si një provokim në momentet kur, sipas tij, protestuesit po përpiqeshin ta mbanin protestën të qetë.
“Ka qenë një provokim që ndodhte në momente kur gjithçka ishte e tensionuar, mirëpo jemi munduar që vazhdimisht protesta të jetë e qetë”, ka thënë Haziri.
Ai ka kritikuar edhe ndërhyrjen e Policisë së Kosovës, duke pretenduar se gjatë protestës janë përdorur gazlotsjellës dhe se një protestues ka pësuar lëndime.
“Deri në momentet kur policia ka gjuajtur gazlotsjellës e njërit nga shokët tanë ia kanë thyer këmbët duke e gjuajtur drejt në trup. Përveç se nuk është e lejuar, nuk është as njerëzore”, ka deklaruar ai.