Anulohet seanca gjyqësore ndaj Pal Lekajt për hedhjen e gazit lotsjellës më 2015 në hollin e Kuvendit

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është anuluar seanca e së martës në rastin ku ish-deputeti Pal Lekj ngarkohet për hedhje të gazit lotsjellës në hollin e Kuvendit të Kosovës më 30 nëntor 2015. Lekaj po akuzohet se më 30 nëntor 2015 në hollin e Kuvendit, me qëllim të pengimit të punës së deputetëve, ka hedhur…

Lajme

06/10/2026 10:53

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është anuluar seanca e së martës në rastin ku ish-deputeti Pal Lekj ngarkohet për hedhje të gazit lotsjellës në hollin e Kuvendit të Kosovës më 30 nëntor 2015.

Lekaj po akuzohet se më 30 nëntor 2015 në hollin e Kuvendit, me qëllim të pengimit të punës së deputetëve, ka hedhur gazin lotsjellës, me ç’rast për disa minuta është ndërprerë puna dhe deputetët e të pranishmit e tjerë, janë detyruar të largohen nga holli dhe salla e Kuvendit, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Nga zyra e gjyqtares së rastit, Edita Çanta, u bë e ditur se mbrojtësi i të akuzuarit Lekaj, avokati Musa Damati përmes e-mailit ka njoftuar Gjykatën se nuk do të mund të jetë i pranishëm, për shkak të angazhimit në një seancë tjetër.

Në seancën e mbajtur më 30 prill 2025, Lekaj ishte deklaruar i pafajshëm për hedhjen e gazit lotsjellës në hollin e Kuvendit.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 1 qershor 2017 ka ngritur aktakuzë kundër Pal Lekajt, të cilin e ngarkon me veprën penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri më 30 nëntor 2015, në hollin e Kuvendit të Republikës së Kosovës me qëllim të pengimit të punës së deputetëve, ka përdorur armën-gazin lotsjellës.

Aktakuza thotë se si pasojë e kësaj, për disa minuta është ndërprerë puna në Kuvend për shkak të kontaminimit të ambientit dhe se deputetët e të pranishmit e tjerë janë detyruar të largohen nga holli dhe salla e Kuvendit.

Me këtë, Lekaj po akuzohet se ka kryer veprën penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, par.2 të Kodit Penal, ku kryerësi dënohet me gjobë deri në 10 mijë euro dhe me burgim prej një deri në 10 vjet.