Nga kërkesa për votimin e Ligjit për Specialen te përleshjet: Si u përshkallëzua protesta në Prishtinë
Prishtina u përball të hënën me një mbrëmje të tensionuar, e cila nisi me protestën për votimin në lexim të dytë të Projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe përfundoi me përplasje mes protestuesve dhe Policisë së Kosovës, përdorim të gazit lotsjellës, mjeteve policore, lëndime, arrestime dhe bllokim të disa rrugëve të…
Lajme
Prishtina u përball të hënën me një mbrëmje të tensionuar, e cila nisi me protestën për votimin në lexim të dytë të Projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe përfundoi me përplasje mes protestuesve dhe Policisë së Kosovës, përdorim të gazit lotsjellës, mjeteve policore, lëndime, arrestime dhe bllokim të disa rrugëve të kryeqytetit.
Protesta ishte zhvilluar në një ditë me zhvillime të shumta politike, ku në qendër ishte edhe takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, lidhur me Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, shkruan lajmi.net.
Takimi Kurti-Hamza zgjati rreth dy orë, por pas përfundimit të tij nuk u bë e ditur ndonjë marrëveshje mes dy partive. Nga PDK-ja u bë e ditur se grupi parlamentar do të mblidhej për të diskutuar situatën, ndërsa në shesh nisën thirrjet për pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve në protestë.
Në anën tjetër, PDK-ja kishte kërkuar që Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të procedohej dhe të votohej në Kuvend, ndërsa LVV-ja kërkonte që para se të votohej ligji në lexim të dytë të zgjidhej presidenti i ri i vendit, duke pasur parasysh se afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit përfundon më 6 tetor.
Përplasja politike rreth këtyre dy çështjeve u bart edhe në rrugë.
Gjatë protestës, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, u bëri thirrje qytetarëve që t’u bashkoheshin protestuesve, duke thënë se edhe deputetët e PDK-së po qëndronin në sallën plenare.
“Të dashur qytetarë, ashtu siç po qëndroni ju që tri javë në rrugët e Kosovës e në metropolet e botës, ashtu po qëndrojmë edhe ne në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës, me të vetmen kërkesë dhe të vetmin qëllim, për ta votuar Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës”, tha Musliu.
Ajo theksoi se PDK kishte 22 deputetë dhe kërkoi mbështetjen e qytetarëve.
“Ne e dimë që jemi pak, jemi vetëm 22 deputetë, por sa më shumë jeni ju në rrugë, aq më të fortë do të bëhemi ne brenda sallës”, u shpreh ajo.
Ndërkohë, protestuesit u pozicionuan para institucioneve. Në një moment, hyrja e objektit të Qeverisë së Kosovës u bllokua, ndërsa protestuesit pamundësuan kalimin përmes hyrjes kryesore.
Paralelisht, forcat policore nisën të shtoheshin përreth Qeverisë dhe Kuvendit. Policia u vendos në pika të ndryshme, ndërsa u krijuan kordone për të siguruar hapësirat përreth institucioneve.
Rreth orës 17:00 e tutje situata nisi të bëhej gjithnjë e më e tensionuar.
Në afërsi të Kuvendit u vendosën dy kordone të Policisë, ndërsa rrugë të ndryshme përreth institucioneve nisën të bllokoheshin. U bllokua edhe rruga në zonën e “Qafës”, ndërsa më vonë Policia u vendos edhe në rrugën “Agim Ramadani”.
Situata u përshkallëzua kur protestuesit thyen kordonin policor. Në drejtim të institucioneve dhe pjesëtarëve të Policisë u hodhën mjete piroteknike, fishekzjarrë dhe sende të forta.
Policia reagoi duke përdorur gaz lotsjellës për shpërndarjen e turmës. Në vendngjarje arriti edhe autoambulanca, ndërsa u raportua se disa protestuesve u ishte përkeqësuar gjendja pas gazit.
Me përshkallëzimin e situatës, gaz lotsjellës u përdor në disa raste, ndërsa protestuesit nisën të largoheshin nga sheshi “Skënderbeu” drejt rrugës “Agim Ramadani”.

Në këtë pjesë të kryeqytetit u raportua edhe për djegie të kontejnerëve, ndërsa Policia vazhdoi të ishte e pranishme në terren.

Në një moment, shefi i Njësisë për Reagim të Shpejtë iu drejtua protestuesve me paralajmërimin: “Largohuni se lëndoheni”.
Por tensionet nuk u ndalën.
Protestuesit vazhduan të qëndronin në zonën përreth institucioneve, ndërsa Policia vazhdoi përdorimin e gazit lotsjellës. Në rrugën “Agim Ramadani” u raportua se protestuesit hodhën gurë në drejtim të pjesëtarëve të Policisë, raporton lajmi.net.

Ndërkohë, në sheshin “Skënderbeu” dhe përreth tij u panë përplasje të vazhdueshme. Në disa pamje u raportua edhe përdorimi i shufrave të gomës nga Policia ndaj protestuesve, ndërsa një protestues u pa i shtrirë në tokë.
Në një moment tjetër u raportua se një qytetar ishte rrahur nga disa persona, ndërsa situata në zonën e protestës vazhdoi të ishte e tensionuar.
Në mesin e personave të prekur nga zhvillimet ishte edhe kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, i cili u dërgua për trajtim në QKUK pas gazit lotsjellës.
Po ashtu, u raportua se Leutrim Thaçi, nipi i ish-presidentit Hashim Thaçi, ishte në mesin e personave të lënduar dhe kishte kërkuar trajtim në emergjencë.
Më herët gjatë protestës ishte arrestuar Atdhe Thaçi, po ashtu nip i Hashim Thaçit.
Pas arrestimit të tij, Atdhe Thaçi foli para mediave, duke thënë se 30 vjet pas luftës qytetarët po detyroheshin të dilnin në shesh për të mbrojtur UÇK-në.
Në një moment, një grup qytetarësh iu afrua pjesëtarëve të Policisë duke kërkuar lirimin e tij, ndërsa zyrtarët policorë u thanë se bëhej fjalë për procedurë.
Tensionet prekën edhe deputetët.
Një pjesë e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje mbetën të bllokuar në hapësirat pranë Kuvendit, ndërsa Policia krijoi kordone përreth tyre dhe në pjesë të ndryshme të zonës.
Në ndërkohë, dyert e Kuvendit u mbyllën për gazetarët për arsye sigurie dhe atyre iu pamundësua dalja nga objekti.
Në terren vazhdoi prania e shtuar e Policisë, ndërsa disa rrugë të kryeqytetit u bllokuan. Përveç rrugës “Agim Ramadani” dhe zonës së “Qafës”, Policia u vendos edhe te “rrethi i madh”, në hyrje të Prishtinës nga drejtimi i Fushë Kosovës, duke penguar qarkullimin e automjeteve.

Përplasjet dhe gazi lotsjellës vazhduan edhe më vonë.
Ndërkohë, Policia bëri të ditur se kishte përdorur edhe topin e ujit për shpërndarjen e turmës.
Sipas Policisë së Kosovës, gjatë protestës gjashtë zyrtarë policorë dhe 11 qytetarë kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
“Si pasojë e sulmit dhe hedhjes së mjeteve të ndryshme ndaj objekteve shtetërore dhe në disa raste ndaj zyrtarëve policorë që kanë qenë në detyrë zyrtare, gjashtë (6) zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të natyrave të ndryshme”, thuhej në komunikatën e Policisë.
Policia njoftoi gjithashtu se tre persona ishin shoqëruar në stacion policor dhe se veprimet e mëtejme do të ndërmerreshin në bashkëpunim me organet e drejtësisë.
Sipas Policisë, ndërhyrja ishte bërë në rastet kur protestuesit kishin shfaqur dhunë ndaj institucioneve dhe zyrtarëve policorë, ndërsa theksoi se nuk kishte vepruar ndaj personave që kishin protestuar në mënyrë të qetë.
Për gjendjen e të lënduarve foli edhe drejtori i Emergjencës në Prishtinë, Naser Syla.
Ai bëri të ditur se deri në momentin e deklarimit të tij, në Qendrën Emergjente kishin kërkuar ndihmë mjekësore 12 persona.
“Deri në këtë moment në Qendrën Emergjente kemi pranuar 12 raste, 12 pacientë që kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Prej tyre kanë qenë një polic dhe 11 civilë. Shumica prej tyre janë ankuar në veprimin e lotsjellësit”, deklaroi Syla.
Ndërkohë, Organizata e Veteranëve të Luftës reagoi ndaj mënyrës së menaxhimit të protestës.
Në komunikatën e saj, OVL-UÇK kërkoi nga Policia që të ndalte atë që e cilësoi “dhunë të tepruar dhe të paprovokuar”.
“Polici, e dimë që jeni me urdhër dhe se po zbatoni urdhra. Por mbani duart larg fëmijëve të dëshmorëve, invalidëve, veteranëve dhe qytetarëve të këtij vendi”, thuhej në reagim.
Edhe nga skena politike pati reagime të shumta.
Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, e kritikoi mënyrën e ndërhyrjes së Policisë dhe tha se institucionet nuk duhet të ngatërrohen me pushtetin.
“Shteti nuk është as i Xhelal Sveçlës, as i Albin Kurtit, as i imi, e as i askujt tjetër. Institucionet janë të qytetarëve dhe policia duhet të veprojë në emër të ligjit, jo në emër të pushtetit”, shkroi Lushtaku.
Ai tha se qytetarët kishin dalë për të kërkuar miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Në anën tjetër, shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, e kritikoi situatën e krijuar gjatë protestës.
Ajo tha se e drejta e protestës dhe e fjalës së lirë nuk duhet të cenojë të drejtat e të tjerëve dhe se askush nuk ka të drejtë të pengojë lëvizjen e qytetarëve apo të sulmojë deputetët.
“Askush nuk ka të drejtë ta pengojë të tjetrin, të drejtën e lëvizjes, të fjalës e aq më shumë të sulmojë deputetët”, deklaroi Nagavci.
Ndërkohë, deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, kërkoi hetim për veprimet e Policisë.
Ai tha se sjellja e Policisë ishte, sipas tij, joproporcionale dhe kërkoi që Inspektorati Policor i Kosovës të hetojë veprimet e zyrtarëve policorë.
“Duhet ta shohin me detaje Planin Operativ (nëse ka qenë i përgatitur mirë), pajisjet dhe nivelin e forcës së përdorur”, shkroi Ramadani.
Edhe në planin politik, mbrëmja u shoqërua me deklarata të forta.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, pas takimit Kurti-Hamza deklaroi: “Votoma Presidentin, ta votoj ligjin”, duke e cilësuar këtë si “pazar” me kauzën e çlirimtarëve.
Ndërkohë, deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, kritikoi fjalimin e Kurtit për Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke e cilësuar atë si “dorëzim para përgjegjësisë” dhe duke pretenduar se në thelb ishte sabotim i ligjit.
Nga ana tjetër, ish-deputeti i Aleancës, Daut Haradinaj, tha se kryeministri Albin Kurti po përdorte, siç e quajti ai, “kartën e fundit” për ta çuar vendin në zgjedhje dhe për të ushtruar presion ndaj PDK-së.
Ndërkohë, LDK-ja reagoi ndaj vendosjes së emrave të deputetëve të saj bashkë me emrat e Listës Serbe në një aktivitet të zhvilluar jashtë institucioneve.
LDK-ja e cilësoi këtë si përpjekje për “linçim publik dhe kërcënim politik”, duke deklaruar se nuk shantazhohet dhe se qëndrimi i saj lidhet me, siç tha, përgjegjësinë juridike dhe shtetërore.
“Mesazhi ynë është i qartë, LDK nuk shantazhohet. As me etiketime, as me kërcënime, as me përpjekje të tilla”, thuhej në reagim.
Në shesh, ndërkohë, protesta vazhdoi.
Pas përplasjeve, njësitet speciale të Policisë u ripozicionuan në zonë. Pas një diskutimi mes deputetëve të PDK-së dhe komandantit të Policisë së Kosovës, Fatmir Balaj, njësitet speciale u liruan nga disa korridore për t’u mundësuar protestuesve të mblidheshin sërish në sheshin “Skënderbeu”.
Balaj paralajmëroi se nuk do të toleroheshin persona me maska.
“Nuk tolerojmë njerëz me maska”, tha ai.
Më vonë, protestuesit nisën të shpërndaheshin nga sheshi “Skënderbeu”. Kreu i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, u bëri thirrje qytetarëve që të largoheshin dhe të riktheheshin sot në orën 09:00 për vazhdimin e protestës.
Kështu, një protestë e nisur me kërkesën për votimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara u shndërrua në një nga mbrëmjet më të tensionuara politike dhe institucionale në Prishtinë.
Nga kërkesat politike dhe thirrjet në shesh, situata kaloi në bllokim të hyrjeve të institucioneve, shtim të madh të pranisë policore, thyerje të kordoneve, hedhje të mjeteve piroteknike dhe sendeve të forta, përdorim të gazit lotsjellës dhe topit të ujit, bllokim të rrugëve, lëndime, arrestime dhe përplasje të drejtpërdrejta mes protestuesve dhe Policisë.
Në fund të mbrëmjes, Policia deklaroi se situata ishte qetësuar, por zyrtarët policorë mbetën në terren për të garantuar rendin dhe sigurinë publike.
Bilanci i bërë publik nga Policia ishte gjashtë zyrtarë policorë dhe 11 qytetarë që kërkuan ndihmë mjekësore, ndërsa tre persona ishin shoqëruar në stacion policor.
Protesta pritet të vazhdojë edhe sot, ndërsa në të njëjtën kohë vazhdon edhe përplasja politike mes partive për Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe zgjedhjen e presidentit të Kosovës. /Lajmi.net/