“Kemi vetëm 24 orë”, Peci i bën thirrje LDK-së për angazhim të përbashkët
Kryetari i Partisë Guxo, Faton Peci, i ka bërë thirrje Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për reflektim dhe angazhim të përbashkët, në një kohë kur, sipas tij, kanë mbetur vetëm 24 orë për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës. Peci ka thënë se zgjedhja e Presidentit do t’i kompletonte institucionet e larta të vendit dhe do…
Lajme
Kryetari i Partisë Guxo, Faton Peci, i ka bërë thirrje Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për reflektim dhe angazhim të përbashkët, në një kohë kur, sipas tij, kanë mbetur vetëm 24 orë për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës.
Peci ka thënë se zgjedhja e Presidentit do t’i kompletonte institucionet e larta të vendit dhe do të krijonte stabilitet institucional në një periudhë sfiduese për Kosovën.
“Duke parë ngjarjet aktuale dhe duke pasur parasysh se kemi vetëm edhe 24 orë për ta zgjedhur Presidentin/-en e Kosovës, si Kryetar i Partisë Guxo i bëj thirrje LDK-së për reflektim e angazhim të përbashkët me qëllim të tejkalimit të kësaj situate”, ka shkruar Peci.
Ai ka theksuar se stabiliteti institucional do të ishte i rëndësishëm edhe për përballimin e sfidave që lidhen me procesin e drejtësisë dhe shkallën e Apelit në Hagë.
“Të punojmë së bashku, të japim maksimumin që të tejkalojmë ditët e vështira që po kalon Kosova. T’ua dëshmojmë të gjithëve, po edhe vetes sonë e njëri-tjetrit, se e duam Kosovën, vendin tonë të bekuar”, ka deklaruar Peci.
Në fund, ai ka bërë thirrje për kompromis dhe marrëveshje në interes të vendit.
“Për Kosovën ia vlen kompromisi, ia vlen tejkalimi i vetvetes, ia vlen marrëveshja. Për Kosovën ia vlen gjithçka”, ka shkruar Peci. /Lajmi.net/