Lushtaku pas përplasjes së Policisë me protestuesit: Dhuna joproporcionale është e papranueshme

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka reaguar pas situatës së tensionuar para institucioneve, ku pati përplasje mes Policisë së Kosovës dhe protestuesve dhe u përdor gaz lotsjellës për shpërndarjen e tyre. Lushtaku e ka cilësuar të papranueshme, siç e ka quajtur ai, dhunën joproporcionale ndaj protestuesve. “Shteti nuk është as i Xhelal Sveçlës, as i…

Lajme

05/10/2026 21:04

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka reaguar pas situatës së tensionuar para institucioneve, ku pati përplasje mes Policisë së Kosovës dhe protestuesve dhe u përdor gaz lotsjellës për shpërndarjen e tyre.

Lushtaku e ka cilësuar të papranueshme, siç e ka quajtur ai, dhunën joproporcionale ndaj protestuesve.

“Shteti nuk është as i Xhelal Sveçlës, as i Albin Kurtit, as i imi, e as i askujt tjetër. Institucionet janë të qytetarëve dhe policia duhet të veprojë në emër të ligjit, jo në emër të pushtetit”, ka shkruar Lushtaku.

Ai ka thënë se protestuesit kanë dalë për të kërkuar miratimin e Projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara edhe në lexim të dytë.

“Ata dolën për të kërkuar që një çështje që lidhet me historinë, dinjitetin dhe të ardhmen tonë të mos përdoret si monedhë pazari politik: miratimi i ligjit për Dhomat e Specializuara edhe në lexim të dytë”, ka thënë ai.

Lushtaku ka ngritur pyetje edhe për përdorimin e forcës nga Policia, duke iu referuar raportimeve për protestues të lënduar.

“Nëse ka protestues të lënduar, të gjakosur apo të dërguar në emergjencë, ndërsa asnjë deputet nuk është në emergjencë, atëherë pyetjet për përdorimin e forcës janë të pashmangshme”, ka deklaruar Lushtaku.

Në fund, deputeti i PDK-së ka thënë se qytetarët kanë të drejtë të protestojnë dhe se institucionet duhet t’i mbrojnë ata.

“Qytetarët kanë të drejtë të protestojnë paqësisht dhe të kërkojnë llogari. Deputetët kanë përgjegjësi të votojnë. Institucionet kanë detyrë t’i mbrojnë qytetarët, jo t’i përplasin me ta. Mos e ngatërroni shtetin me pushtetin. Kosova nuk është pronë e askujt!”, ka përfunduar Lushtaku. /Lajmi.net/