Kryetari i Obiliqit thotë se u kërcënua me jetë, ish-drejtori i Inspeksionit mohon akuzat
Kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, ka deklaruar se është kërcënuar me jetë nga ish-drejtori i Inspeksionit në këtë komunë, Hajrullah Preniqi. Thaçi ka thënë për KosovaPress se arsyeja e pretenduar e kërcënimeve lidhet me ndryshimin e pozitës së Preniqit, nga drejtor i Inspeksionit në drejtor të Emergjencave. Sipas Thaçit, menaxhimi i burimeve njerëzore…
Lajme
Kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, ka deklaruar se është kërcënuar me jetë nga ish-drejtori i Inspeksionit në këtë komunë, Hajrullah Preniqi.
Thaçi ka thënë për KosovaPress se arsyeja e pretenduar e kërcënimeve lidhet me ndryshimin e pozitës së Preniqit, nga drejtor i Inspeksionit në drejtor të Emergjencave.
Sipas Thaçit, menaxhimi i burimeve njerëzore është kompetencë e kryetarit të komunës dhe ai ka deklaruar se me ndryshimin e pozitës nuk i ka shkaktuar Preniqit dëm në pagë apo në pozitë.
“Arsyeja është se ai po pretendon me u kthye si shef i inspekcionit edhe për këtë arsye, menaxhimi i burimeve njerëzore më takon mua si kryetar komune, edhe lëvizjen që unë e kam bërë prej shefit të inspekcionit e kam dërguar në shef të emergjencave. Pra, unë nuk e kam dëmtuar asgjë në pagë, as në pozitë, vetëm e kam, arsye se ia kam ndërruar drejtorin”, ka deklaruar Thaçi.
Ai ka pretenduar se është kërcënuar përmes personave të tjerë dhe se i është thënë se nuk do të lejohej të shkonte në komunë.
“E kjo është arsyeja që ai po pretendon edhe përmes njerëzve, më ka çuar njerëz domethënë edhe më ka thënë që të hënën, nuk kemi me të lënë në jetë për me ardhur në komunë”, ka thënë Thaçi.
Kryetari i Obiliqit ka konfirmuar se rastin e ka raportuar menjëherë në Policinë e Kosovës dhe se, sipas tij, çështjen e kanë marrë në trajtim njësitë për krime të rënda.
“Rastin menjëherë e kam lajmëruar në polici e kanë marrë krimet e rënda. Janë marrë krimet e rënda me këtë punë, mirëpo, prokurori i rastit, Paulin Pashku, ka vendosur, që për derisa nuk ka veprime, nuk mundet edhe me u arrestuar”, ka deklaruar Thaçi.
Ai ka pretenduar se Preniqi ka lidhje të ngushta me prokurorin e rastit dhe se kjo, sipas tij, ka ndikuar në vonimin e marrjes së masave.
“Përderisa ne shumë mirë e dimë që njerëzit po arrestohen për një koment në Facebook, po nuk arrestohen pse ai çon njerëz edhe çon edhe kam dëshmitarë që ai më ka kërcënuar”, ka thënë Thaçi.
Thaçi ka ngritur edhe pretendime të tjera ndaj Preniqit, duke e cilësuar atë si person të përfshirë në disa vepra penale. Ai ka përmendur edhe një rast të mëparshëm të plagosjes dhe ka pretenduar se Preniqi ka lidhje familjare me një gjyqtar.
“Ky është Hajrullah Preniqi, është njëri nga recidivistët e disa veprave penale, ka para tre vjete, dy-tre apo katër vjete që i ka ndodhur një plagosje. Mirëpo ky zotëria e ka, e ka djalin e motrës e ka gjyqtar edhe natyrisht që edhe prokurori bie në ndikim të tij. Pra krejt kjo është një skemë e krimit të organizuar”, ka deklaruar Thaçi.
Ai ka thënë se do të vazhdojë ta ndjekë rrugën institucionale dhe se do të veprojë në përputhje me kompetencat që ia mundëson ligji.
Ndërkaq, Hajrullah Preniqi i ka mohuar akuzat e kryetarit të Obiliqit.
Preniqi ka thënë për KosovaPress se nuk e ka kërcënuar Thaçin dhe se pretendimet e tij nuk janë të vërteta.
“S’është e vërtetë. Ai mundet me thënë çka do, mund të deklarojë çka do. Mundet ku të dojë me shkua me ato, prej meje s’ka, nuk është i kërcënuar. Ato janë një shantazh i tij”, ka deklaruar Preniqi.
Rasti është raportuar në Polici, ndërsa pretendimet e të dyja palëve mbeten për t’u trajtuar dhe verifikuar nga institucionet kompetente.