Bajraktari: Ligji për Specialen mund të miratohet para 6 tetorit, nëse ka vullnet politik për shmangien e afateve
Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, i miratuar mbrëmë nga Qeveria e Kosovës, mund të procedohet dhe miratohet në Kuvend brenda një periudhe më të shkurtër se afatet e rregullta, nëse ekziston vullneti politik për shmangien e këtyre afateve. Kështu tha avokati, Ardian Bajraktari, i cili në një prononcim për…
Lajme
Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, i miratuar mbrëmë nga Qeveria e Kosovës, mund të procedohet dhe miratohet në Kuvend brenda një periudhe më të shkurtër se afatet e rregullta, nëse ekziston vullneti politik për shmangien e këtyre afateve.
Kështu tha avokati, Ardian Bajraktari, i cili në një prononcim për Kosovapress foli për procedurat që duhet të ndiqen pas miratimit të projektligjit nga Qeveria si dhe për afatin prej 72 orësh ndërmjet shqyrtimeve parlamentare.
“Pas marrjes së miratimit, përkatësisht mendimit nga ana e Qeverisë, si rregull, nëse do të ketë shqyrtim brenda afateve, atëherë bazuar në faktin që ka relativisht pak kohë për shqyrtimin e saj deri më 6 tetor, ku dhe rrjedhimisht, në rast se nuk do të ketë zgjedhje të presidentit, kemi shpërndarje të Kuvendit. Mirëpo, gjithë procedura varet ekskluzivisht nga çështja e vullnetit, sepse në rast se ka vullnet politik, atëherë mund të kemi vendime për shmangien nga afatet e rregullta procedurale, veprime të cilat në jo pak raste kanë ndodhur.” tha ai.
Ai ka sqaruar se pas marrjes së mendimit nga Qeveria, projektligji duhet të shqyrtohet nga Komisioni për Legjislacion, i cili më pas i dërgon rekomandimet për shqyrtim dhe miratim në seancë plenare.
Sipas Bajraktarit, pa një vendim për shmangien nga afatet procedurale, koha e mbetur deri më 6 tetor nuk do të ishte e mjaftueshme për përfundimin e procedurës.
“Fillimisht duhet të theksohet që pas marrjes së vendimit nga ana e Qeverisë, duhet të ngarkohet Komisioni për Legjislacion si komision funksional për shqyrtimin e kësaj nisme. Dhe pastaj natyrisht, varësisht prej vendimmarrjes së komisionit, i shkojnë rekomandimet për miratim ose jo në seancën plenare, e cila, siç e thashë, nëse ka vullnet për t’u shkurtuar afatet, atëherë mund të bëhet. Ndryshe, afatet që parashihen me dispozitat e Rregullores së Punës së Kuvendit, natyrisht. që e bëjnë të pamundur shqyrtimin dhe miratimin e kësaj nisme brenda kësaj periudhe, e cila është para nesh deri më datën 6 tetor”, u shpreh Bajraktari.
I pyetur për pasojat juridike në rast se projektligji do të votohej në lexim të dytë para përfundimit të 72 orëve, Bajraktari tha se paraprakisht duhet të merret vendim për shmangien nga afatet procedurale.
“Fillimisht duhet me pasur vendim për shmangien nga afatet, vendim i cili merret me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve që marrin pjesë edhe që votojnë. E në rast se ka vendim të tillë për shmangien nga afatet procedurale, atëherë besoj që një vendim i tillë është në linjë me dispozitat e Rregullores dhe rrjedhimisht mund të jetë edhe i arsyetuar për nga fakti që kemi të bëjmë me afate të cilat natyrisht që edhe çështja është relativisht e ndjeshme”, tha ai.
Bajraktari theksoi se 72 orëshi mund të shmanget vetëm përmes një vendimi të Kuvendit për shmangie nga dispozitat përkatëse të Rregullores së Punës.
“Vetëm në rast se ka vendim për shmangien nga dispozitat e Rregullores së Punës së Kuvendit. Nëse ka vendim për shmangien e këtyre afateve, vendim i cili natyrisht që merret në seancën plenare, atëherë jemi në rregull me afatet. Në të kundërtën, natyrisht që afatet e parapara me rregullore si rregull duhet të zbatohet”, tha ai.
Bajraktari vlerësoi se rëndësia e projektligjit dhe çështjet që lidhen me të mund të shërbejnë si bazë për arsyetimin e një vendimi për shmangie nga afatet procedurale.