Këshilli Prokurorial shkarkon Kryeprokurorin Blerim Isufaj
Këshilli Prokurorial i Kosovës është mbledhur sot. Takimi është thirrur si mbledhje e jashtëzakonshme pas zhvillimeve të fundit. Por burime të lajmi.net bëjnë të ditur se në fakt mbledhja është thirrur me një pikë të vetme: Shkarkimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj. Madje siç mësohet vendimi për shkarkimin e tij veçse është marrë.…
Lajme
Këshilli Prokurorial i Kosovës është mbledhur sot. Takimi është thirrur si mbledhje e jashtëzakonshme pas zhvillimeve të fundit.
Por burime të lajmi.net bëjnë të ditur se në fakt mbledhja është thirrur me një pikë të vetme: Shkarkimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.
Madje siç mësohet vendimi për shkarkimin e tij veçse është marrë.
Pritet që mbledhja të përfundoi shumë shpejtë dhe vendimi në fjalë të bëhet edhe publik. Me 6 vota për dhe një kundër, Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale u shkarkua sot nga KPK.
Duhet theksuar se zhvillime të njëpasnjëshme ka pasur në Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe në sistemin e prokurorisë në përgjithësi.
E ky veprim i sotëm për mbledhje të jashtëzakonshme për t’u diskutuar kinse për performancën e Blerim Isufajt vie pas disa lëvdatave që iu bën atij dhe Prokurorisë Speciale pikërisht nga Ambasada amerikane, nga ajo britanike dhe nga shumë zyrtarë të huaj.
Në mbledhjen e kaluar në KPK u shfaqën disa statistika kinse për mos-punë të mjaftueshme nga kjo Prokurori, por që anëtari i saj, Milot Krasniqi i kundërshtoi.
Blerim Isufaj është një nga figurat më të rëndësishme të sistemit prokurorial në Kosovë.
Ai ka drejtuar Prokurorinë Speciale që nga viti 2019, ndërsa gjatë karrierës së tij ka shërbyer edhe si prokuror special dhe në pozita të tjera brenda sistemit të drejtësisë.
Në periudhën kur Isufaj është në krye të Prokurorisë Speciale, institucioni ka trajtuar një numër të madh të rasteve të krimit të organizuar, korrupsionit dhe krimeve të luftës, ndërsa në vitet e fundit disa prej dosjeve më të rëndësishme kanë marrë vëmendje të madhe publike.
Një prej rasteve më të mëdha ishte aktakuza për sulmin në Banjskë, e ngritur në shtator të vitit 2024 ndaj 45 personave.
Në mesin e të akuzuarve është edhe Milan Radoiçiq. Prokuroria i ka ngarkuar të pandehurit me vepra penale që lidhen me terrorizmin, financimin e terrorizmit dhe shpëlarjen e parave.
Një tjetër dosje e rëndësishme lidhet me krimet e luftës dhe dëbimin e shqiptarëve gjatë vitit 1999.
Në këtë rast, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 21 personave, të cilët dyshohet se kanë pasur role komanduese në strukturat serbe gjatë luftës.
Në shtator të vitit 2026, Prokuroria Speciale njoftoi edhe për aktakuzën ndaj 35 personave për krimet e kryera në Prekaz në mars të vitit 1998. Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë qenë pjesë e strukturave të atëhershme të Policisë Serbe dhe dyshohet se kanë marrë pjesë në operacionet në lagjen e Jasharëve.
Përveç rasteve të krimeve të luftës dhe terrorizmit, gjatë drejtimit të Isufajt, Prokuroria Speciale ka trajtuar edhe raste që kanë përfshirë zyrtarë të lartë shtetërorë, ministra, ish-ministra, drejtorë dhe drejtues institucionesh.
Në korrik 2025, duke iu përgjigjur kritikave të Albin Kurtit, Isufaj deklaroi se nga viti 2010 kishte ngritur rreth 300 aktakuza gjatë karrierës së tij dhe se, sipas tij, vetëm rreth 6 ishin refuzuar, duke e llogaritur këtë si rreth 97% të aktakuzave të aprovuara.
Ndërkohë, raportimi i tij për punën e Speciales në vitin 2025 u rrëzua nga KPK në shtator 2026: 4 anëtarë votuan kundër dhe 3 pro. Në atë raportim, Isufaj tha se në rastet e krimeve të luftës kishte një rast me aktakuzë të hedhur, 11 persona të shpallur fajtorë, një të liruar dhe një aktakuzë të refuzuar; për krimin e organizuar raportoi 81 persona të shpallur fajtorë, 44 të liruar dhe 22 raste ku aktakuza ishte refuzuar.
Isufaj, në anën tjetër, ka mbrojtur punën e tij dhe të institucionit që drejton, duke argumentuar se kritikat ndaj Prokurorisë Speciale shpesh nuk bazohen në fakte dhe duke theksuar rezultatet e arritura në rastet e trajtuara gjatë mandatit të tij./Lajmi.net/
