Çitaku kërkon mbështetje më të madhe nga Gjermania për Kosovën, takon deputetin Hofreiter
Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka zhvilluar sot një takim me kryetarin e Komisionit për Çështje të Bashkimit Evropian në Bundestagun gjerman, Dr. Anton Hofreiter, i cili po qëndron në Kosovë së bashku me një delegacion. Në takim është diskutuar për zhvillimet e fundit politike në Kosovë, procesin e integrimit euroatlantik dhe…
Lajme
Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka zhvilluar sot një takim me kryetarin e Komisionit për Çështje të Bashkimit Evropian në Bundestagun gjerman, Dr. Anton Hofreiter, i cili po qëndron në Kosovë së bashku me një delegacion.
Në takim është diskutuar për zhvillimet e fundit politike në Kosovë, procesin e integrimit euroatlantik dhe sfidat me të cilat po përballet vendi në rrugën drejt integrimit në strukturat evropiane, raporton lajmi.net
Një prej temave të takimit ishte edhe anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare, me theks të veçantë te procesi i anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
Çitaku ka kërkuar që Gjermania të shtojë mbështetjen dhe vëmendjen ndaj Kosovës, duke vlerësuar se në rrethanat aktuale është i rëndësishëm bashkëpunimi i ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.
Ajo ka theksuar rëndësinë e rolit të Gjermanisë në përkrahjen e Kosovës në proceset euroatlantike dhe në avancimin e agjendës së saj në organizatat ndërkombëtare.
Në takim është diskutuar gjithashtu për nevojën e forcimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë dhe vazhdimit të bashkëpunimit politik në funksion të objektivave evropiane të Kosovës./Lajmi.net/