Kurti në ditën e marshit: Dhomat e Specializuara e theksuan se UÇK-ja nuk është në gjyq, kemi shqetësime për konkludimet e tjera

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka pritur sot në takim presidenten e Komisioni Evropian, Ursula von der Leyen. Pas kësaj, Kurti në një konferencë për media deklaroi se kjo është vizita juaj e gjashtë në Prishtinë si Kryetare e Komisionit Evropian nga Ursula von der Leyen. Kryeministri Albin Kurti në konferencën e përbashkët me presidenten…

Lajme

01/10/2026 14:46

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka pritur sot në takim presidenten e Komisioni Evropian, Ursula von der Leyen.

Pas kësaj, Kurti në një konferencë për media deklaroi se kjo është vizita juaj e gjashtë në Prishtinë si Kryetare e Komisionit Evropian nga Ursula von der Leyen.

Kryeministri Albin Kurti në konferencën e përbashkët me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen përmendi aktgjykimin dënues të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK’së, duke thënë se janë tri pika që duhet të theksohen.

“Le të stopojmë pakëz, të doja të ndalem edhe tek aktgjykimi i fundit i Dhomave të Specializuara, të cilat qytetarët tanë po e ndjekin me shumë vëmendje. Në këtë aktgjykim janë tri pika që duhen theksuar ndërkombëtarisht: E para, pretendimet për të ashtuquajturën «Shtëpi të Verdhë» dhe për trafikimin e organeve as nuk bëjnë pjesë e aktakuzës. E dytë, akuzat për krime kundër njerëzimit dhe për sulme të gjera e sistematike kundër popullsisë civile u rrëzuan. Dhe e treta, Dhomat e Specializuara theksuan qartë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk është në gjyq dhe se vendimi i tyre në asnjë mënyrë nuk synon të cenoojë drejtësinë apo legjitimitetin e luftës çlirimtare”, ka deklaruar Kurti.

Kreu i Qeverisë ka shprehur shqetësime për konkludimet e tjera dhe dënimet e rënda, duke thënë se pret që ato të korrigjohen në procedurën e apelit.

“Në të njëjtën kohë, kemi shqetësime serioze për konkludime të tjera dhe për dënimet e rënda. Besojmë se ato përmbajnë gabime faktike, historike dhe juridike, dhe presim që këto të korrigjohen në apel. Drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe duhet të shihet e përjetohet si e paanshme”, ka thënë ai.Kurti ka folur edhe për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, duke theksuar nevojën për drejtësi për të gjitha viktimat dhe për ndëshkimin e përgjegjësve për krimet e kryera.

“Rreth 20,000 njerëz janë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe shumë kryerës nuk janë ndëshkuar. Kosova kërkon drejtësi për çdo viktimë, për çdo krim dhe për çdo kryerës. Dhe ne nuk mund të lejojmë barazimin e përgjegjësisë se fajësisë për shkak se dëshiron dikush të krijojë narrativa alternative”, ka deklaruar Kurti.Në fund, kryeministri Kurti e ka falënderuar presidenten e Komisionit Evropian për vizitën në Kosovë, duke theksuar gatishmërinë e vendit për të vazhduar rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.“Presidente Von der Leyen, ju falënderoj edhe një herë përzemërsisht që jeni këtu. Kosova e ka bërë pjesën e saj dhe ne jemi gati për hapin e radhës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”./Lajmi.net/