Dy vite më parë u premtua furnizim 100% i barnave në Onkologji, disa prej tyre mungojnë edhe sot – “Tetori Rozë” në Kosovës nis me premtime të parealizuara
Më 1 tetor edhe në Kosovë, si në botë ka fillur fushata “Tetori Rozë”, për të nisuar muajin e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit. Në vendin tonë, kjo fushatë është hapur në Kuvendin e Kosovës, dhe aty kanë folur kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe ushtruesja e detyrës së Presidentes Albulena Haxhiu. Ushtruesja e detyrës…
Lajme
Më 1 tetor edhe në Kosovë, si në botë ka fillur fushata “Tetori Rozë”, për të nisuar muajin e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.
Në vendin tonë, kjo fushatë është hapur në Kuvendin e Kosovës, dhe aty kanë folur kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe ushtruesja e detyrës së Presidentes Albulena Haxhiu.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, foli për sfidat me të cilat përballen pacientet dhe familjet e tyre. Ajo ka theksuar rëndësinë e parandalimit, diagnostikimit të hershëm dhe trajtimit.
Por, cila është situata në Klinikën e Onkologjisë në QKUK?
Klinika e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare, është Klinika ku trajtohen pacientët me të gjitha llojet e kancerit, përfshirë edhe ata me kancer të gjirit.
Kjo Klinikë si edhe të tjerat, ka mungesa të barnave. Një ndër to që mungon aktualisht është Avastin (Bevacizumab) e cila përdoret në raste të caktuara të kancerit metastatik të gjirit.
Pas mungesër për disa kohë, dje janë siguruar baret Phesgo dhe Ribociclib të cilat perdoren kundër kancerit të gjirit. Phesgo përdoret kryesisht për kancer të gjirit HER2-pozitiv ndërsa Ribociclib për kancer të gjirit HR-Pozitiv dhe HER2-negativ.
Në vitin 2024, kur janë përuruar renovimet në Klinikën e Onkologjisë, Kurti kishte premtuar se furnizimi me barna në këtë Klinikë gjatë vitit 2025 do të jetë 100%.
“60 shtretërve modern së shpejti pritet t’i shtohen edhe 50 të tjerë për ta çuar në 110 numrin total të tyre, nga vetëm 45 sa ishin para dy muajve e për shumë vite rresht. Në të njëjtën kohë, po ofrohet falas vaksina HPV për sëmundjen e kancerit të qafës së mitrës dhe lista e barnave esenciale është zgjeruar për shkak se buxhetin për barna esenciale e kemi rritur për 150%”, ka thënë Kurti më 5 korrik 2024 përmes një postimi në Facebook.
Pavarësisht këtij premtimi, barnat në këtë klinikë vazhdojnë të jenë mungesë dhe furnizimi me to ende nuk është 100%.
Pacientët me kancer të gjirit dhe lloje të tjera të kancereve, përballen me mungesa të barnave të ndryshme në vazhdimësi të cilat zakonisht janë edhe me çmime shumë të shtrenjta, e që e pamundësojnë sigurimin e tyre nga vetë pacientët. /Lajmi.net/