Qeveria propozoi për Bord të ZRRE-së kandidatë me më pak pikë, Komisioni i Ekonomisë i kaloi për votim në Kuvend

Qeveria e Kosovës ka propozuar për anëtarë të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) katër kandidatë, prej të cilëve disa nuk janë në mesin e atyre që kanë marrë më së shumti pikë në procesin e vlerësimit. Propozimi i Qeverisë për dy pozita të anëtarëve të Bordit të ZRRE-së, i miratuar më 25.09.2026,…

Lajme

01/10/2026 13:19

Qeveria e Kosovës ka propozuar për anëtarë të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) katër kandidatë, prej të cilëve disa nuk janë në mesin e atyre që kanë marrë më së shumti pikë në procesin e vlerësimit.

Propozimi i Qeverisë për dy pozita të anëtarëve të Bordit të ZRRE-së, i miratuar më 25.09.2026, përfshin: Driton Gojanin, Lutfije Dervishin, Hana Jakupin dhe Senad Domuzetin.

Më 30.09.2026, këta emra janë votuar edhe në Komisionin Parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion, i cili i ka proceduar për votim në Kuvendin e Kosovës. Vendimi përfundimtar për emërimin e tyre pritet të merret në seancë plenare.

Megjithatë, lista e propozuar nga Qeveria nuk përputhet me renditjen e kandidatëve sipas pikëve të fituara në procesin e vlerësimit.

Me vendim të Ministrisë së Ekonimisë, më 10.07.2026 ishte themeluar Komisioni rekomandues ad-hoc për udhëheqjen dhe zhvillimin e procedure së rekrutimit për këto pozita.  Më 17 dhe 18 gusht 2026, ky komision i përberë nga tre anëtarë: Anita Kalanderi, Rifat Blakaj dhe Ylber Batalli, ka zhvilluar intervistat me kandidatët e përzgjedhur nga lista e ngushtë dhe i ka vlerësuar të njëjtit.

Sipas dokumentit të poentimit të siguruar nga KALLXO.com, kandidati Petrit Pepaj ka marrë më së shumti pikë, gjithsej 49.3 apo 82.2 %, por nuk është rekomanduar nga Qeveria.

Edhe Gani Bucaj, me 48 pikë apo 80 %, dhe Skender Mucolli, me 47.7 pikë apo 79.4 %, të cilët janë renditur në vendin e tretë dhe të katërt, nuk janë propozuar për anëtarë të Bordit.

Në anën tjetër, Driton Gojani, i cili është renditur i dyti me 49 pikë apo 81.7 %, është përfshirë në propozimin e Qeverisë.

Po ashtu, Qeveria ka propozuar Lutfije Dervishin, e cila ka marrë 45.7 pikë apo 76.1 %, Senad Domuzetin me 43.7 pikë apo 72.8 % dhe Hana Jakupin me 42.7 pikë apo 71.1 %.

Këta tre kandidatë janë renditur në vendin e pestë, tetë dhe të nëntë në listën e vlerësimit nga Komisioni Vlerësues.

Komisioni parlamentar për Ekonomi, më 30.09.2026, ka proceduar për votim në Kuvend edhe dy emra për kryesues të Bordit të ZRRE-së, Driton Gojanin dhe Ymer Fejzuallahun.

Përzgjedhja e Qeverisë ka nxitur reagime lidhur me meritokracinë në procesin e emërimit të anëtarëve të Bordit të ZRRE-së, pasi kandidatët që kanë marrë më shumë pikë nuk janë përfshirë të gjithë në propozimin që tashmë është proceduar në Kuvend.

Sipas ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, i përket Qeverisë që nga lista e ngushtë t’i rekomandojë emrat për pozitat përkatëse.

Bordi i ZRRE-së, nuk ka kuorumin e nevojshëm ligjor për të marrë vendime që nga data 03.08.2026, pas përfundimit të mandatit të tre anëtarëve të këtij bordi. Për rrjedhojë, bordi aktualisht nuk mund të ushtrojë kompetencat vendimmarrëse të përcaktuara me ligj.

Sipas ZRRE-së, Ligji për Rregullatorin e Energjisë kërkon të paktën tre anëtarë për kuorumin e nevojshëm për marrjen e vendimeve.

“Sipas Ligjit nr. 05/L-084 për rregullatorin e Energjisë, për marrjen e vendimeve kërkohet kuorumi prej së paku tre anëtarëve të Bordit”- shkruhet në përgjigjen e tyre të datës 23.09.2026.

ZRRE ka sqaruar se këto kompetenca nuk mund t’i delegohen stafit profesional të institucionit. Megjithatë, mungesa e kuorumit nuk ka nënkuptuar ndërprerjen e të gjitha aktiviteteve të ZRRE-së. Sipas këtij institucioni, stafi profesional vazhdon të kryejë detyrat që janë brenda kompetencave të tij, përfshirë punën monitoruese ndaj operatorëve të licencuar.

Ndërkohë, ZRRE ka bërë të ditur se aktualisht ka çështje në fushën e licencimit, autorizimeve, ankesave të konsumatorëve dhe proceseve të tjera rregullative për të cilat kërkohet vendim i Bordit. Këto raste, sipas ZRRE-së, nuk konsiderohen të refuzuara apo të pezulluara, por vendimmarrja për to nuk mund të bëhet pa rivendosjen e kuorumit.

Institucioni ka konfirmuar gjithashtu se ka kërkesa për licenca që ndodhen në faza të ndryshme të shqyrtimit.

Numri i tyre ndryshon në varësi të aplikimeve, plotësisë së dokumentacionit dhe fazës së procedurës.

Sa u përket autorizimeve për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike, ZRRE ka thënë se aplikimet mund të pranohen, të plotësohen dhe të procedohen, por ato procedura që kërkojnë vendim të Bordit nuk mund të përmbyllen pa kuorumin e nevojshëm.

Pa bord funksional mbeten të pamundura edhe vendimet përfundimtare për ankesat e konsumatorëve në rastet kur ligji kërkon vendimmarrjen e bordit. ZRRE ka paralajmëruar se kjo mund të sjellë zgjatje të kohës së trajtimit të këtyre rasteve.

Një tjetër kompetencë që nuk mund të ushtrohet pa një bord funksional është përcaktimi apo ndryshimi i tarifave të energjisë elektrike.

ZRRE ka sqaruar se deri në marrjen e vendimeve të reja nga bordi, vazhdojnë të zbatohen tarifat ekzistuese, sipas afateve dhe kushteve të përcaktuara në vendimet tarifore në fuqi.

Duke u bazuar në Ligjin për Rregullatorin e Energjisë, Ministria e Ekonomisë, si ministri përgjegjëse për sektorin e energjisë, ka zhvilluar procedurën për emërimin e kryesuesit dhe për dy anëtarë të bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji.

Ministria e Ekonomisë më 28.04.2026 ka shpallur konkurs publik Kryesues dhe për dy anëtarë të bordit të ZRRE-së.

“Për pozitën Kryesuesit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji janë pranuar nëntë (9) aplikacione dhe për pozitën (2) Anëtarë të Bordit janë pranuar trembëdhjetë (13) aplikacione”- thuhet në përgjigjen e ministrisë të datës 23.09.2026.

Në listën e ngushtë të kandidatëve të përzgjedhur për intervistë për pozitën Kryesues i Bordit ishin pesë kandidatë ndërsa për dy anëtarë të Bordit lista kishte 12 kandidatë.

Ministria e Ekonomisë ka thënë për KALLXO.com se gjatë procesit të vlerësimit të aplikacioneve dhe përzgjedhjes së listës së ngushtë, si dhe procesit të intervistave me kandidatët e listës së ngushtë, ka marrë pjesë edhe një përfaqësues nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në cilësinë e monitoruesit të procedurës.

Më 17 dhe 18.08.2026, ministria ka thënë se Komisioni ka zhvilluar intervistat për të dy pozitat me kandidatët e përzgjedhur nga lista e ngushtë e kandidatëve.

“Me formimin e qeverisë së re, Ministria e Ekonomisë ka proceduar për shqyrtim dhe miratim në Qeverinë e Republikës së Kosovës propozim Vendimin për emërimin e kryesuesit dhe (2) anëtarëve të bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë. Kompetencat dhe vendimmarrja e bordit është e rregulluar sipas Ligjit për Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, ndërsa emërimi përfundimtar i anëtarëve të Bordit është kompetencë ekskluzive e Kuvendit të Republikës së Kosovës”- përfundon përgjigja e Ministrisë së Ekonomisë.