KDI: Komisioni për Legjislacion nisi punën me shkelje të Rregullores së Kuvendit

KDI, ka reaguar lidhur me mbledhjen e sotme të komisionit për Legjislacion, duke thënë se ky i fundit e ka nisur ‘’punën me shkelje të rregullores së kuvendit’’. Nga KDI, shtohet se komisioni e filloi punën duke shqyrtuar dhe votuar në parim të pakos së projektligjeve për reformën në drejtësi, në shkelje të dispozitave të…

Lajme

30/09/2026 17:06

KDI, ka reaguar lidhur me mbledhjen e sotme të komisionit për Legjislacion, duke thënë se ky i fundit e ka nisur ‘’punën me shkelje të rregullores së kuvendit’’.

Nga KDI, shtohet se komisioni e filloi punën duke shqyrtuar dhe votuar në parim të pakos së projektligjeve për reformën në drejtësi, në shkelje të dispozitave të Rregullores së Punës së Kuvendit.

‘’Fillimisht, neni 34 (4) i Rregullores përcakton se, përveç rasteve të veçanta, mbledhja e komisionit thirret së paku tri ditë pune para mbajtjes së saj. Në rastin e sotëm, deputetët kanë pranuar pakon e projektligjeve dhe materialet përcjellëse prej qindra faqesh mbrëmë, ndërsa janë ftuar që sot t’i diskutojnë dhe votojnë ato në parim. Për këtë procedim të përshpejtuar nuk është dhënë paraprakisht ndonjë arsyetim’’, thuhet në reagim.

Nga KDI, po ashtu thuhet edhe se, projektligjet u votuan pa u prezantuar nga ministrja përgjegjëse, duke shtuar se, edhe pse kjo lidhet me praktikën parlamentare dhe jo me një detyrim procedural, për një pako kaq të rëndësishme të reformës në drejtësi do të duhej që ministrja të ishte e pranishme, t’i prezantonte propozimet dhe t’u përgjigjej pyetjeve eventuale të deputetëve.

Komunikata e plotë:

KDI: Komisioni për Legjislacion e nisi punën me shkelje të Rregullores së Kuvendit

KDI shpreh shqetësimin që Komisioni për Legjislacion e nisi sot punën e tij me shqyrtimin dhe votimin në parim të pakos së projektligjeve për reformën në drejtësi, në shkelje të dispozitave të Rregullores së Punës së Kuvendit.

Fillimisht, neni 34 (4) i Rregullores përcakton se, përveç rasteve të veçanta, mbledhja e komisionit thirret së paku tri ditë pune para mbajtjes së saj. Në rastin e sotëm, deputetët kanë pranuar pakon e projektligjeve dhe materialet përcjellëse prej qindra faqesh mbrëmë, ndërsa janë ftuar që sot t’i diskutojnë dhe votojnë ato në parim. Për këtë procedim të përshpejtuar nuk është dhënë paraprakisht ndonjë arsyetim.

Për më tepër, Rregullorja, në nenin 74 (1), parasheh që leximi i parë në seancë plenare mbahet vetëm pasi të kenë kaluar dy javë nga shpërndarja e projektligjeve tek deputetët. Pra, Komisioni kishte kohë që ta zhvillonte shqyrtimin në parim duke respektuar afatin e rregullt për thirrjen e mbledhjes dhe duke u dhënë deputetëve mundësi reale për t’i shqyrtuar materialet.

Projektligjet u votuan gjithashtu pa u prezantuar nga ministrja përgjegjëse. Edhe pse kjo lidhet me praktikën parlamentare dhe jo me një detyrim procedural, për një pako kaq të rëndësishme të reformës në drejtësi do të duhej që ministrja të ishte e pranishme, t’i prezantonte propozimet dhe t’u përgjigjej pyetjeve eventuale të deputetëve.

KDI i konsideron këto projektligje tejet të rëndësishme për avancimin e integritetit, performancës dhe llogaridhënies në sistemin e drejtësisë. Pikërisht për këtë arsye, procedimi i tyre duhet të bëhet pa nguti dhe në përputhje të plotë me Rregulloren e Kuvendit.

KDI pret që Komisioni për Legjislacion, i cili është përgjegjës për të garantuar zbatimin e drejtë të Rregullores së Kuvendit, t’i zhvillojë fazat e mëtejshme të shqyrtimit të kësaj pakoje duke respektuar plotësisht procedurat parlamentare dhe duke siguruar përfshirjen e akterëve relevantë./Lajmi.net/