Kur pritet aktgjykimi ndaj Thaçit? Dhomat e Specializuara sqarojnë se më 14 shtator nisi afati 90-ditor

Ende nuk është caktuar data e shpalljes së aktgjykimit në rastin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve për administrimin e drejtësisë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Gjyqtari i vetëm i gjykimit, Christopher Gosnell, e ka mbyllur çështjen më 14 shtator 2026, duke nisur kështu edhe afatin prej 90 ditësh për nxjerrjen e…

Lajme

30/09/2026 17:08

Ende nuk është caktuar data e shpalljes së aktgjykimit në rastin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve për administrimin e drejtësisë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Gjyqtari i vetëm i gjykimit, Christopher Gosnell, e ka mbyllur çështjen më 14 shtator 2026, duke nisur kështu edhe afatin prej 90 ditësh për nxjerrjen e aktgjykimit.

Këtë e kanë konfirmuar Dhomat e Specializuara për lajmi.net, duke bërë të ditur se, deri tani, nuk është caktuar një datë për shpalljen e tij.

“Afati prej 90 ditësh fillon pasi gjyqtari e mbyll çështjen. Ai e ka mbyllur çështjen më 14 shtator 2026. Deri tani, gjyqtari i vetëm i gjykimit nuk ka caktuar një datë për aktgjykimin”, thuhet në përgjigjen e Dhomave të Specializuara.

Lidhur me çështjen e dënimit, Dhomat e Specializuara kanë sqaruar se vendimi për këtë i takon gjyqtarit të vetëm të gjykimit.

“Çështja e dënimit i takon gjyqtarit të vetëm të gjykimit për ta vendosur”, thuhet në përgjigje.

Sipas tyre, gjatë përcaktimit të dënimit, gjyqtarët përgjithësisht marrin parasysh diapazonin e dënimit të përcaktuar me ligj, rrethanat personale të personit të dënuar, si dhe rrethanat lehtësuese dhe rënduese.

Prokuroria dhe Mbrojtja mund të paraqesin qëndrimet e tyre lidhur me dënimin, por vendimi përfundimtar i takon gjyqtarit.

Rasti për administrimin e drejtësisë është i ndarë nga çështja kryesore ndaj Hashim Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, në të cilën Thaçi është dënuar me 25 vjet burgim.

Në çështjen për administrimin e drejtësisë, Prokuroria ka kërkuar gjashtë vjet burgim për Thaçin. Sipas kërkesës së Prokurorisë, nëse koha e kaluar në paraburgim nuk zbritet nga dënimi, atëherë, në kombinim me dënimin prej 25 vjetësh të shqiptuar në çështjen tjetër, dënimi total do të arrinte në 31 vjet.

Megjithatë, vendimi për dënimin në këtë çështje i takon gjyqtarit të vetëm të gjykimit. Sipas Dhomave të Specializuara, gjatë përcaktimit të tij merren parasysh diapazoni i dënimit të përcaktuar me ligj, rrethanat personale të personit të dënuar, si dhe faktorët lehtësues dhe rëndues. /Lajmi.net/