Hoti: Një marrëveshje mes dy kryetarëve nuk mund të jetë urdhër për deputetët, jemi gati të votojmë kandidat nga LDK-ja
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti (LDK), ka reaguar lidhur me zhvillimet rreth zgjedhjes së Presidentit të Kosovës. Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka kundërshtuar thirrjet për respektimin e një marrëveshjeje politike, duke thënë se një dakordim mes dy kryetarëve të partive nuk mund të shndërrohet në detyrim për deputetët e Kuvendit.…
Lajme
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti (LDK), ka reaguar lidhur me zhvillimet rreth zgjedhjes së Presidentit të Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka kundërshtuar thirrjet për respektimin e një marrëveshjeje politike, duke thënë se një dakordim mes dy kryetarëve të partive nuk mund të shndërrohet në detyrim për deputetët e Kuvendit.
“Si mund të thirret dikush në një marrëveshje kur vetë personi i përfshirë në atë marrëveshje është tërhequr nga kandidatura?!”, ka shkruar Hoti.
Ai ka thënë se deputetët nuk i nënshtrohen detyrimeve për shkak të marrëveshjeve politike.
“Kushtetuta është shumë e qartë: deputetët, si përfaqësues të popullit, nuk i nënshtrohen asnjë detyrimi”, ka deklaruar Hoti.
Sipas tij, LDK-ja është e gatshme të votojë një kandidat për President nga radhët e saj.
“Marrëveshjet politike mund të ndryshohen. Ne jemi gati të votojmë një kandidat nga Lidhja Demokratike të Kosovës, sepse vetëm kështu sigurohet balanca e pushteteve. Ne zgjedhim ‘zgjedhjet e reja’ në vend të nënshtrimit politik”, ka shkruar ai.
Hoti ka përfunduar duke thënë se marrëveshjet politike mund të negociohen, por Kushtetuta nuk mund të ndryshohet përmes tyre.
“Marrëveshjet politike mund të negociohen, por jo Kushtetuta e Kosovës”, ka shkruar Hoti. /Lajmi.net/